Thursday, August 10, 2017

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi: “Mos ma prekni Kadarenë”! Miti dhe antimiti


“Mos ma prekni Kadarenë”! – është një thirrje të cilën e lexova thënë nga goja e një njeriu publik në Kosovë! U ndala dhe bëra disa paralelizma: “Mos e prekni Skënderbeun”! - Ishte pasthirrma më e përhapur javëve të fundit, pasi atë e preku një opinionist mesatar i ekranit dhe mediave shqiptare në Shqipëri! Këngë pa fund titullohen “Mos ma prek flamurin”, “Mos ma prek trollin shqiptar”! Këto dy të fundit lidhen me simolika jofrymore, por që janë sinetza e përvojës njerëzores te një kombi, shqiptarët. Flamuri, atdheu, heroi kombëtar janë tri simbolikat kombëtare që i lidhin ën përgjithësi kombet ballkanike. Serbët nuk duan t’ua prekësh Car llazarin, Shën Savën,e Shën Stefanin, deri te Beteja e Fushë-Kosovës, me të cilën ata formuan mitin serb të viktimizmit, tradhëtisë dhe vetëmohimit! Maqedonët janë marrosur pas figurave të lashtësisë si Aleksandi I Madh apo Filipi II, megjithëse e dijnë mirë se nuk janë pasardhës të tyre! Por miti u duhet dhe atyre, ata thërrasin në ndihmë historinë e maqedonasve të vjetër vëllezër të ilirëve për të sunduar mbi shqiptarët!
Personalisht besoj se mitet e vejtra ndër ballkanasit janë të mjaftueshëm, madje të tepërt që ne të përballojmë sfidat e kohëve tona moderne. Disa duan të krijojnë mite të reja ideologjike e joideologjike, bazuar në besimin fetar ose në ndonjë besim tjetër pagano-atdhetar! Pikërisht këto përpjekje për të krijuar “Mitin Kadare” kanë prodhuar antimitin Kadare! Çdo aksion e ka një lloj reaksioni. Prandaj diskutimi i sotëm për Ismail Kadarenë është kontravers e me plot kategorizime pohuese e mohuese. Natyrshëm lind dhe zhvillohet një debat i tillë në kushtet e një shoqërie që thirret në mite dhe frymëzohet prej tyre, duke u i ngjarë kështu një shoqëri arkaike, e cila ushqehet me ëndërrat e së shkuarës, duke harruar të tashmen e të ardhmen e vet!
Mitet janë dualitet i së shkuarës në vetëdijen njerëzore. Ky dualitet ndërtohet nga pikëpamja shpirtërore në ndeshjen e ndërgjegjes njerëzore midis dy kategorive, dashurisë dhe të kundërtës së saj, frikës, e cila shkakton urrejtje, mohim të së vërtetës e deri hakmarrje! Nëse njohim mitologjitë aty do të gjejmë vetëm dy kategori njerëzish: Të mirin dhe të keqin, lindjen dhe vdekjen, dashurinë dhe urrejtjen. Në mitologji nuk gjendët në asnjë rast një mundësi e tretë e artë për mendim, veprim dhe gjykim. Mitologjia përmbledh gjithnjë skenarët e betejave dhe luftërave, në të cilat gjenden përballë tyre dy palë e dy forca, në njërën anë dhunuesit, sunduesit, mizorët, në anën tjetër engjëjt, viktimat, nga njëra anë të mirët nga ana tjetër të këqinjtë, në antitezë me njëra-tjetrën drita me errësirën e kështu me radhë. Kështu ka ndodhur që në kohën e Evës dhe Adamit, midis të cilëve “hyri djalli”!
Mitologjia është përpjekje e njerëzve për t’i imponuar ngjarjet komike e të zakonshme në vetëdijen e njerëzimit dhe për t’i shndërruar ato ngjarje e personazhet e tyre në qenie mbinjerëzore! Religjionet janë gjithashtu burim i përpunimit dhe përhapjes së teorive dhe ngjarjeve e personazheve mitologjike. Popujt që ushqehen me mitet dhe mitologjinë janë popuj të harruar në skutat e shekujve dhe mijëvjeçarëve. Popujt e civilizuar e mësojnë historinë e kombit në mënyrë kritike dhe jo mitike, siç e mësojmë ende ne shqiptarët. Një histori që shkruhet mbi gojëdhëna dhe legjenda nuk është histori. Një lloj histori si kjo ka për qëllim dogmatizimin e shoqërisë dhe e pengon atë të shohë sfidat e kohës në të cilat ajo jeton. Eshtë karakteristikë e mendimit unitarist e totalitarist të ushqejë shoqërinë me ngjarje dhe personazhe mitike.
E ndërsa bota e civilizuar ka heq dorë nga mitologjia si botëkuptim, por jo si shkencë, ka mendje të ndritura në Shqipëri që bëjnë thirrje të krijohen mite të reja. Si një prej këtyre na shpërfaqet edhe shkrimtari shqiptar i përkthyer në shumë gjuhë të botës, Ismail Kadare. “Mos ma prekni Kadarenë”! – thirret me pskamë një analist antimysliman. Dhe jam i bindur se ka ndër këta që Kadarenë nuk e njohin për veprën e tij letrare, sa e njohin për replikat e shumta dhe qëndrimet e tij kundër Islamit dhe Turqisë. E shohin Kadarenë si ushqim për të kategorizuar ngjarjet, fenomenet, personazhet sipas skemës mitologjike të të mirit e të keqit, pa vënë në lëvizje mendimin, gjykimin, eksperiencën, dhe shkencën. Në këtë mënyrë përjetimi i ze vendit dijes, përceptimi kufizohet në formën e disa ndijimeve dhe e vërteta nuk merr formë asnjëherë.
Nga ana tjetër, duke hymnizuar njerëzit e duke i shndërruar ata në mite të gjalla ose jo të gjalla, humbet mundësia për të shkuar tek e vërteta. Njeriu që vihet në kërkim të së vërtetës është njeriu i kohës. Njeriu i të vërtetave i bën shërbimin më të madh kombit e shoqërisë. Dhe e vërteta del në pah përmes debatit. Ndërsa debate kërkon argument, fakte, të dhëna, gjithëpërfshirjen e ngjarjeve dhe personazheve të tyre.
Aktualisht diskutimi kontravers për Kadarenë dhe veprën e tij, një diskutim që erdhi në jetë nga përpjekja e grupimit të rrjetit të madh kadareistë, për ta shndërruar shkrimtarin ashtu të madh, në një shkrimtar hyjnor e madje edhe në një personazh hyjnor. Me këto përpjekje të çmendura për ta shkëput shkrimtarin nga realiteti në të cilin ai ka jetuar dhe ka prodhuar letërsinë e tij, në vend që t’i vihen vetullat, duket se u krijua mundësia që disa t’i turren shrimtarit për t’ia nxjerrë sytë. Kësisoj erdhi në publik letra e shkrimtarit për korrektoren e veprave të tij, e motrën e tij, Kadrije Kadare, e cila në përkushtimin e saj për të vëllain dhe famën e tij jo vetëm desh përfundoi në burg, por mbeti edhe pa familje! Eshtë ndoshta sakrifica e motrës për vëllain, një rit ky që meriton të renditet edhe në mitologji.
Grupimi i hyjnores në raport me Ismail Kadarenë është përgjegjës pse reagimi i kundërt ndoshta e tepron kur kërkon varrosjen e tij dhe veprës që ai ka krijuar. Sepse psh nëse për serbët Beteja e Fushë - Kosovës është një mit, për shqiptarët është antimit. Nëse ajo betejë ka diçka të vërtetë që duhet parë me objektivizëm, serbët e zhveshën nga njerëzorja dhe nxitën shqiptarët që ta shohin si të keqen e historisë së tyre për ekzistencë. E njëjta gjë ndodh në çdo rast kur tentohet të krijohen mite. Kjo po ndodh për fat të keq edhe në rastin e Kadaresë. Prandaj duhet besuar në realitetet që ekzistojnë, edhe kur ato cënojnë integritetin e shkrimtarëve ose njerëzve të mëdhenj. Ndryshe shoqëria shqiptare vetëm sa polarizohet dhe askush nuk mund të mbërrijë kurrkund!
Titanë, më 10.08.2017

0 comments:

Post a Comment