Wednesday, August 2, 2017

Ramiz Kuqi: Cikli poetik " Netët më grimcojnë ngadalë"

FUND KORRIKU
Mbeta peng i një fjale
Që iku si erë mali
Kur kthej kokën pas
Det është bërë malli
Më mban për gjuhe kjo ëndërr
Netët m'i grimcon ngadalë
Si një copë arnë veshur mbi trup
Shndërruar është koha në xixa stralli
Sa ditë...

STINËN SOJNIKE
Nata ka zbritur mbi fshat
Erë e lehtë fryn mbi vargje
Hëna si hyjneshë në fron
Grish yjet
Luginës buzëkuqet
Marrin mbi krahë dritën
Për një puthje fjala
Bie mbi ëndrra lirike
I flet heshtjes
Për dy sy e një mall poeti
Shdërrohet në zog
Njërëzit rrinë bri lëmës
Kujtojnë kohën e drithit
Ngrohtësinë e shpirtit
Stinën sojnike
Njerëzinë !

E LUTA
Si zogun
Mos të ik nga kjo fole
E kishte ngritur
Me thonj të duarve
Sypërlotura
Rrugët kryqëzohen dikund
E bukura e fjalës !

PASKA IKUR
Sonte nata
Miqtë e fjalës
Zogj të muzës
Ka ndonjë kumt të urtë
Për rrapin tim
C'ti them diellit nesër?

QENTË
Po lehin Atdhe
Po lehin
Pa zinxhirë në qafë
Edhe nëpër shkronja Evrope
Qentë
Me zgjebë janë
Me kokë tullace
Me mjekërr deri në gjoks
Rri zgjuar Zog
Zgjuar rri !

ÇAST LIRIK
Sytë fjalës në dritare
Yllit në mesnatë
Qiellin pa zë
Ëndrrën me shtrëngatë
Nata ka rënë mbrëmë
Paluar në gjumë
Si fëmijë bonjak
Dallgëzuar varkë nëpër lumë
O sa poet ke lënë
Me stilllaps në dorë
Të vargëzojnë vargun në strofë
Si trëndafil me kurorë
Të mos ishte ti ëndërr e bukur
As shi s'do derdhej nëpër metafora !

MOS LUANI
Mos luani me Fjalën, o njerëz
Nëse vargu bën udhë pa shkëlqim
Mes miqve ndani sofrën
Verën e kuqe
Ëndrrat për Emër
Nuk zgjat shumë kjo buzëqeshje
Poet
Çdo trëndafil ka një syth
Që qiellin e zbukuron
S'është poezi ajo
Që nuk ka një copë dhimbë
E një Lot !

POET
Ta them se nuk ishte grindje
Veç ikje nga Fjala e bukur
Shkulje
Nga rrënja e Vargut
Unë s'di të flas marroqe
As përuljen s'e njoha kurrë
Ditës
I dhemb koka
Kur s'takoj njerëz
Nëpër germa shkrimi
Poet
Bëri vend trumcakut
Në folenë tënd të ngushtë !


0 comments:

Post a Comment