Saturday, August 26, 2017

Sokol Gjoni: Recencion mbi librin “ Njërën e ke falas” të autorit, Fran Vukaj

Të nderuar miq të librit, të artit dhe të kulturës!
Në javën e hareshme të festave të fundvitit, ku humori dhe e qeshura janë rituali tradicional që karakterizon mjedisin familjar dhe shoqëror të çdo familjeje shqiptare, regjisori i mirënjohur Fran Vukaj gjen një “sebep” për të na mbledhur dhe për të kaluar nën shoqërinë e humorit disa çaste së bashku.
Miq të humorit!
Si me qësendi, në një shprehje të përbotshme thuhet se, “e qeshura të shton jetën”, ndaj dhe sot përmes kësaj kuintisense sa filozofike, aq dhe popullore jemi këtu për të promovuar librin e sapodalë në qarkullim të autorit dhe regjisorit të mirënjohur, anëtarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, z. Fran Vukaj me titull “Njërën e ke falas”.
Autori i këtij libri, Fran Vukaj, aktor, regjisor, poet, prezantues e moderator në veprimtari artistike brenda e jashtë vendit, i vlerësuar me tituj të lartë për punën e suksesshme prej shumë dekadash në fushën e artit dhe të kulturës, si dhe për kontribut të shquar në promovimin e vlerave më të mira të artit dhe të kultuës pukjane(përmendim këtu titujt: “Martin Camaj”, Krenaria e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, si dhe “ Qytetar Nderi”, i Bashkisë Pukë).
Performanca dhe karriera e tij artistike nuk njeh caqe dhe nuk kufizohet vetëm në lëvrimin e gjinisë së humorit, siç jemi mësuar ta shohim në profilin e tij të zakonshëm, por, ai mjaft mjeshtëri dhe cilësi të lartë artistike i ka dhënë fondit të artë të dramaturgjisë shqiptare shpirtin e tij krijues me role të njohura tek dramat: “Familja e peshkatarit”, “Fisheku në pajë”, “Mulliri i Kostë Bardhit”, etj.
Ka tundur skenat kombëtare dhe më gjerë me interpretimet epike me mjaft mjeshtëri, ndjenjë, virtyozitet dhe potencë artistike të roleve që mishërojnë figura të njohura të historisë dhe të kulturës kombëtare si: Isa Boletini, At Gjergj Fishta, Rrustë Kabashi etj.
Karriera e tij artistike është e lidhur përjetësisht me skenën, jo vetëm si aktor, por edhe si skenarist dhe regjisor, i njohur me vënien në skenë të komedive: “Këshilli i ndrikullave”, “Luani i shtëpisë”, “Dsëm pa nuse”, si dhe dhjetëra estrada e variete të mirëpritura e të duartrokituara nga publiku.
Energjik, potent, dinamik, por mbi të gjitha “ i ngutshëm” për të kapur kohën, kjo do të ishte sentenca sintetike e të gjithë punës artistike dhe krijuese të z. Fran Vukaj, i cili herë pas herë e befason publikun me krijie që sjellin risi të shumta në drejtim të vlerave artistike, mesazheve ideore dhe përmbajtjes lëndore, duke e afruar artin e tij me aktualitetin, si dhe duke e adresuar krijimtarinë e tij për një publik sa më të gjerë, “ të çfarëdoshëm”.
Krijimtaria artistike dhe krijuese mbi 30 vjeçare e z. Vukaj ka kaluar në spirale të vështira, duke patur ulje-ngritjet e saj, pasi arti i tij, shpeshherë merrte trajtat e një disidence dhe papajtueshmërie me normat e artit zyrtar të kohës.
Pas vëllimit poetiko-lirik “Mbresëthënie”, autori gjen veten në dy botime të tjera të zhanrit të humorit: “100 buzëqeshje” dhe ky që po promovojmë sot, me një titull intrigues dhe polemizues “Njërën e ke falas”.
Si aktor dhe autor i dy profileve krijuese; i dramës dhe humorit, në botimin e sotëm ai ka paraqitur para lexuesit, një përmbledhje modeste të përvojës së tij jetësore që vjen në një raport linear të dramacitetit jetësor, ku herë-herë e qeshura është e dhimbshme. Ai, përmes këtij libri, me gjuhën e tij të thjeshtë të përdorur në funksion të humorit, si zhanër i shtresave “ të ulëta”, bëhet i pëlqyeshëm, pasi ka një galeri të pasur personazhesh që janë karaktere të ngulitura mirë nga publiku, si dhe ndërton stilistikisht “tipa” që rezonojnë kontraversitet jetësor dhe ideor, ndërton paradigmën e personazheve që rezonojnë psikologji të thjeshtë sociale, individë që rreken të ballafaqohen me të gjitha sfidat, karaktere që nuk i dorëzohen lehtë “valles harrimtare” të jetës.
Në këtë libër humoreskesh të dëgjuara, të sajuara dhe të krijuara, autori ka sjellë një humor, as gri, as rozë siç është në modë sot, por shumëngjyrësh, duke prekur sfera të ndryshme të jetës dhe të shoqërisë, një humor të ç'tendosur nga kornizat e leksikut standard.
Personazhet e tij janë bartës të ngjyrave dhe të koloritit të jetës, të cilët vijnë të natyrshëm, pa kozmetikën e autorit, personazhe që demaskohen dhe lakuriqësohen përmes dilogjeve dhe situatave spontane.
Lirshmëria gjuhësore, bollshmëria leksikore, thjeshtësia e dialogjeve, larg frazave të ngurta e bëjnë librin të pëlqyeshëm dhe të admirueshëm për të gjitha nivelet e lexuesve.
Ky libër që kemi sot në duar, përveç vlerave që sjell në rrafshin e zhanrit të humorit, të kultivimit të kësaj gjinie aspak të lehtë për t'u lëvruar, mbart brenda vetes dhe një simbolikë tjetër, pasi është libri i parë treshifror (100) në stendën e krijuesve pukjanë.
Duke përfunduar, i uroj autorit të këtij libri, freski, vitalitet dhe energji të pashtershme në punën e tij krijuese dhe interpretuese!

0 comments:

Post a Comment