Saturday, August 5, 2017

Zija Çela: SHKOJNË BASHKË...

“I gjithë njerëzimi, sado që pa ndonjë biletë në dorë, është pjesëmarrës në një lotari të përbotshme, ku orë e çast hidhet shorti më i fshehtë. Rezultatet nuk komunikohen, ato vetëm ekzekutohen. Paradoksi është se humbet ai që fiton. Kështu, një ditë prej ditësh, ne e humbëm djalin tonë... Thonë se virtytet dhe talentet janë xhevahirët më të shtrenjtë që e zbukurojnë njeriun. Nëse është e vërtetë, atëherë mund të them se gjithë kohën sa rrojti, xhevahirët e tij Dritani i mbajti në mënyrën më të padukshme, nën këmishë. Vetëm një herë i shkëlqeu një diamant i zi dhe kjo ndodhi në mortin e tij. Por doli se, për këtë, edhe opinioni kishte qenë i gatshëm.”
Është një fragment nga libri “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, të cilin ia kam kushtuar mikut tim më të shtrenjtë, Dritan Çelës, që ndërroi jetë më 4 mars 2006, në onkologjikun e Parmës. Libri u botua në përvjetorin e parë të Tanit. E kam pohuar atëherë dhe e pohoj përsëri: Im bir vërtet mund të ketë mësuar nga i ati, por unë jam një baba që kam mësuar po aq nga im bir.
Nuk mbaj mend sa kohë zgjatën vizitat e mortit, ngaqë zgjatën shumë. Por dua të tregoj një episod. Ndodhi kur kishin ardhur për ngushëllim Ismaili dhe Helena. Teksa shkëmbenim bisedën e parë, befas, u dëgjua një daulle. Fill pas saj gërneta e fizarmonika. Në këto rrethana, siç është e natyrshme, çdo mysafir ka hallin e të zotëve të shtëpisë. Kadreja u ngrit më këmbë e nisi të më vështronte ngultazi. E kuptoja çfarë thoshte ai vështrim, a mund dhe si mund të duronim ne! M’u desh t’i tregoja çfarë kishte ndodhur të djeshmen.
Dhe ja çfarë kishte ndodhur. Po shkruaja në studio, në divanin pranë dritares, kur ia dha daullja me orkestrinën bashkë. Hapa perden dhe atje poshtë, në oborrin e një shtëpie me çerpiç, pashë njerëz që ishin zënë dorë për dore duke hequr valle. Me gjasë, dasmë ishte. Ashikë e në qejf të vet, ajo valle u kishte lezet. I kundrova një grimë herë dhe, ndonëse e dija se kurrsesi nuk më dëgjonin, më shpëtoi vetiu me zë: “Këndoni, ju këndoftë zemra, ndërsa për vete më duhet të kujtoj ciklet dhe anticiklet e jetës. Kur ishte radha juaj për të qarë, ndoshta unë kam qenë duke kënduar.”
Dhe siç i thashë, ashtu i hodha në letër këto fjalë. Ashtu janë edhe në libër.
Pastaj, dy vjet më vonë, botova romanin “SOS, një buzëqeshje”. Libri flet për Jari Kaçinarin, një djalosh të ri që jetonte vetëm, sepse kishte mbetur pa baba e pa nënë, nuk kishte as motër e as vëlla. Por ai kishte një veti të çuditshme. Sa herë i çonte dikujt një SMS, edhe nëse aty nuk kishte fare tekst, tjetri vinte buzën në gaz. Kështu, dalëngadalë, të gjithë nisën ta kerkonin mesazhin e tij, sepse e dëshironin e gëzonin. Në këtë mënyrë, Jari Kaçinari bëhet shpikësi i një mrekullie njerëzore, i mrekullisë për ta transmetuar buzëqeshjen edhe në distancë.
Veçse telefoni i tij nuk punonte me baterinë e zakonshme, atë që karikohet, por me energjinë e zemrës së djaloshit. Sidoqoftë, ndonëse në Bankën e Jetës numri i tij harxhohej pak nga pak, duke njohur nevojën e domosdoshme të njeriut për buzëqeshjen, ai nuk kursehej... Prandaj, kudo që ndodhet tani, mos u habisni nëse një ditë ju vjen edhe ju një SMS nga Jari Kaçinari.
Po, syri dhe buza, loti dhe gazi bashkë shkojnë përgjatë jetës. Njerëzimi njëlloj humbet si kur harron të qajë, si kur harron të qeshë.

0 comments:

Post a Comment