Friday, January 6, 2017

Agim Gashi - UNË ME LUMIN BISEDOJ

(Këngë që s’do ta kryej kurrë)
1.
Kam dalë herët në park të Rurit
Në Düren këtu ku jetoj,
E jam ndalë në breg të lumit
Dy-tri fjalë me të t’i ndërroj.

-Ti o lum që quhesh Rur
E i bie rrotull Gjermanisë,
A pranon me i nd’rru’ do llafe
Me nji djalë prej Arbërisë?

-Fol de fol - ma ktheu Ruri
Se dhe unë jam përmallu,
Mija njerëz kalojnë këtu pari
Asnji fjalë s‘e ndërrojnë me mu!

Më përbuzin dhe nuk më flasin
Gjuajnë në mua ndytësira,
Po mos ta kisha rrjedhën time
E ndytë do të dukej këtu natyra.

-Të besoj i dashur Rur
Disa njerëz ndjenja nuk kanë,
Sikur njer’zit dhe ju lumenjtë
Në rrjedha t´njejta të gjithë nuk janë.

Pomë lejo t’i bëj ca pyetje
Se je i bukur e me ujë shumë,
Pse nuk je sot më i qetë
Valët po të qesin shkumë?

-Ah ti burrë nga Arbëria
Që të quajnë këtu të huaj,
Mos më ngacmo në palcë të shtratit
E me mua ti mos luaj!

Edhe unë kam halle plot
Që ma rrisin adrenalinën,
Kur bën vapë e nxenë shumë dielli
Shiu im po ma kthen shpinën.

Nganjëherë po bie shumë
Ma mbushë shtratin e ma tepron,
Pastaj njerëzit më akuzojnë
Ja, thonë, lumi po vërshon.

-Mirë o Rur ti lum i gjatë
Që me rrjedhë tokën përshkon,
Ndonjë pikë ujë në detra t´Arbërit
Ndonjëherë ti a e çon?!

-Ha,ha, ha e hi, hi, hi,..
Që m´ke shti mua të qeshi,
Zoti i Madh juve shqiptarëve
U ka kapë dënim për veshi.

-Ah mor lum që Flus të thonë
Pakmë parë më quajte t´huaj,
Po ky rruzull që e ka falë Zoti
Është i t´gjithëve dhe i gjithkuj!

-Jo, jo, jo dhe jo , jo , jo,
Kështu Zoti nuk ka thënë,
Barabar n´fillim të botës
Të gjithë popujve u ka dhënë.

Por ju shqiptarët dikur Ilir
S’keni ecë për rrugë të Zotit,
Të përçarë për mallë e poste
Gjithmonë ishit sot dhe motit.

Dikur kishit tokë të madhe
Që vetë Zoti ua kish dhuru,
Me fajet t´jueja atë tokë të bukur
E keni tkurrë edhe coptu.

Ju më shumë e doni t´huajin
I përkuleni e i puthni dorën,
Ndërsa njerzëve të gjakut t´juej
Me dëshirë i bleni kurorën!!!

U pat dhënë Zoti pasuri
Si u pat dhënë popujve tjerë,
Por në mesin e njerzëve t´juaj
Kishit shumë të pa nderë.

Kishit harbut e tradhëtarë
Kishit t´mençur e njerëz të rrallë,
Kishit trima e koka t´larta
Por i vranit me fjalë të tharta.

Si atëherë, por edhe sot,
Të njejtën valle e lozni prapë,
Prandaj Zoti i madhërishëm
Ua tkurri vendin ngapak.

Jeni popull euforik
Te ju e mira nuk vlersohet,
Tragjeditë te ju kur ndodhin
Për tri ditë ato harrohen.

Ik ti shko n´atdheun tënd
Se me të huaj rrallë bisedoj,
Unë jamë këtu, rrjedhë e valëroj
Herë i qetë e herë vërshoj.

Ndërsa ti sa i mërzitur
Ke ardhë këtu n´valë m´loton,
Me ata lot që derdhë në mua
Edhe shtratin ma turbullon.

Ah ti Rur mos shterrofsh kurrë
Që hallin tim sa mirë ma din,
Disi mua po më duket
S‘po më don atdheu im!?

Jo i dashur mos fol ashtu
Se ty shumë të do atdheu,
Të duan fushat, të duan malet,
Të don uji e të don dheu.

Të dojnë gurrat edhe vrrijat,
Zanin tënd don me ta ndi,
Kur ja thoje këngës shqipe
Plot bilbila të rrinin mbi.

Të don populli e rinia
Të dojnëvashat e Arbërisë,
A s‘të vjen marre ke ardhë n´dhe t´huaj
Me i këndu shqip Gjermanisë!!!

Ik e shporru në dheun tënd
Se me vdekë këtu është llahtari,
Me t´varros ndër ndonjë shkurrë
As krimbat më nuk t´bëjnë shoqëri.

-Phu or Rur ç’mi hape plagët
Tek ti erdha për qetësi!
Ma sjell vdekjen para kohe
Ma mbush shpirtin helm e fi.

Tash po shkoj n´strofullën time
Me i derdhe edhe disa lot´ ,
Do vi nesër t´bisedojmë
Se i lodhur unë jam sot.

-Shko pusho dhe çlodhe trurin
Nesër do t´bisedojmë prapë,
Kam ca llafe pak më t´egra
Dua t’i them ty me vrap!

-Mirupafshim o lumi Rur
Tschüss ma ktheu n´gjuhën e tij,
-Hajt i dashur mos u mërzit
Se unë nesër prapëdo vij!!!
2.
Edhe erdha unë n´banesën time,
Putha hartën e Arbërisë,
Ia thashë vajit se m´ka lënë kënga
Me lotu çdo cep t´Shqipërisë.

Hiq nuk fjeta sa ke nata
Tuj mendu unë për jetën time,
Për atdheun e për nënën
Për fatin tim me plot hidhërime.

Të nesërmen pa zbardhë dita
Mora rrugën kah lumi Rur,
Të bisedojmë e të mësoj
Si atdheu më është tkur.

Larg më pa kah shkoj i lodhur
Me tri këmbë duke çalu,
-S’paske shti ti gjumë në sy
Me ardhë prapëme bisedu.

-Mirëmëngjesi o Rur i dashur
Të lehtë e paçtë lumën ditë,
Paske pasë një natë të rëndë
Valët tua t’u paskan rritë.

-Lermi valët o Gashi i huej
Të valojnë, t´qeta të rrjedhin,
Kanë fullu këto kujtime
N´histori e n´kohë të bredhin.

Jam i moçëm sa më s’ka
Edhe mendjen pushkë e kam,
Kam mendu se cilat fjalë
Të egra ty sot me t’i thanë.

Kam vendos me folë pa dorza
Me t’tregu pse jeni tkurr,
Por ma jep fjalën të jeshë i fortë
Mos u merzit e bëhu burr!

-Ta jap fjalën e ta jap besën
Do të dëgjoj deri në fund,
Pa u merzitë e pa e prish gjakun
Pa të ndërpre unë Ty askund.

-Dëgjo pra ti burr Arbërie
Qysh se moti në Iliri,
Ishit shteti më i madhi
Dhe jetonit n´lumturi.

Kishit tokë e kishit detra
Plot liqene e lumej,
Tokë më t´bukur e më pjellore
S‘kishte k‘tu e as andej.

Arat plot me drithra t´bardha
Kopshtet mbushur me perime,
Pemët plot-përplot me fryte
Kënaqej Zoti e zemra ime.

Djemë e vasha si t´bimë prej toke
Lindnin nënat plot shëndet,
Kishit armë e shigjeta
Si në tokë ashtu në det´.

Kishit qytete e plot kala
Kulla t´larta me fortesa,
Ah anijet n´det plot me vela
Sa hijeshi ishte qe besa.

Populli i mirë, udhëheqje t´pastër
S’kishit t´varfër as të sëmurë,
Të gjithë popujt e kësaj bote
Thonin se ju nuk vdisni kurrë.

Fqinjët ua kishin lakmi
Dhe ngapak gjelozonin,
Por të ju bien në qafë
Jo, jo asnjëherë nuk guxonin.

Kur ishte koha e lulzimit
Popujt mësonin nga ju,
Se ç‘ju kapi një shëmti
Nisët vendin me tradhëtu.

Tash u ndatë në disa fise
S’kishit në mendje vendin ta mbroni
Por ju rroki e shkretë lakmi
Njëri tjetrin tani luftoni.

Kur e panë kështu fqinjësia
Në t´gjitha anët ju sulmuen,
Ua coptuen tokën e juej
Ju vranë e ju masakruen.

Nisën t´vinin fise tjera
Nga Karpatet e Azisë,
Merrnin tokën si n´bashqe t´babës
Më t´mirën tokë të Ilirisë.

Formun Rashkën edhe Zetën
Shtete sllave e hileçarë,
E më vonë ua panë sherrin
N´përgjithësi populli shqiptar!

Erdhën kohrat më të reja
E u kthy Gjergji në Krujë,
Prapë filloi te ju tradhtia
Tue punu për njerëz të huj.

Kur vdiq Gjergji Ai trimi madh
Mbetët popull i robruar,
Kishit koka e njerëz të mençur
Për atdhe që vepruan.

Shkruanin libra e luftonin
Punë të mëdha më kurrë nuk batë,
Edhe i bëtë shumë besime
Në shumë pjesë Zotin e ndatë.

I shërbejshi me zell robruesit
Kush latinit e kush për turk,
Ne këndej nga Evropa
I quanim ata harbut.

Heu! Sa turbullohem kur mendoj
Se çfarë burra keni vra,
Me u mbajtë toka e Zoti
Edhe për ta është hata.

Ju e vratë Hasan Prishtinën
Në dhe të huaj në Selanik,
Vratë Avniun e Ramë Bllacën
Hiq nga Zoti s‘kishit frikë!

Ata vrasës, ata tradhëtarë,
Lirisë suej ia kthenin shpinën,
Në pusi vranë Haxhi Zekën
Në pusi dhe Ahmet Shtimen.

Thyet çdo normë e thyet gurin
Kur e vratë edhe Bajram Currin,
Gjon Serreçin e Marije Shllakun
Prandaj Zoti ua jep hakun.

Sa shumë tjerë që s‘po t‘i njehi
Por nga goja po më del fjala,
A nuk qeshën bota mbarë
Kur u vra Jusuf Gërvalla?

-Ndal o Rur pash besë e fe
Pash brigjet me gjithë valë,
Ndalu pak bën një pushim
Se zemra ime don m’u kallë.

Ik pra shko e eja nesër
Shko pusho atë zemër shkretën,
Se kto brenga për atdheun
Ty ta prishën edhe jetën.

Lamtumirë o Rur ti miku im
Nesër prapë te ti do t´vij,
Tung, tung o Gashi i huej
Eja pra ta shtoj mërzinë.
3.
Me sy t´skuqur nga pagjumsia
Të nesërmen shkova n´brigje t´lumit,
Sa të egra i kishte valët
Me shkumë të bardhë sikur sapuni.

-Po pse o Rur po shkumon
Çfarë mërzie t´ka rrokë Ty,
-Nuk po i qaj hallet e mia
Po për t´shkretën Shqipëri.

-Hahahaha sa po më habitë
Me gjithë mendje nuk e ke,
Se mu n´këtë tokën tënde
Ma keni coptut timin atdhe.

E e mban mend ti Potsdamin
Kur Bismarku këtu sundonte,
Nuk e njihte popullin tim
Dhe Shqipërinë n´copa ma ndante!?

Sa shumë na batë padrejtësi
Duhej shpejt të reagonim,
Bamë Kuvendin e Prizerenit
Dhe vendosëm të luftonim.

-Ju bëtë Kuvendin dhe u besatuat
Porse besën se mbajtët dot,
Kështu punët keq ju shkuen
Për tanë jetën, sot e mot!

Padrejtsitë unë i di
Edhe fajet i kem pranu,
Prandaj sot po mundohemi
Me gjithë zemër me ju ndihmu.

U lidhëm mirë me Amerikën
Se përndryshe delshit fare,
Ua përzumë serbin nga koka
Dhe robërinë qindra vjeçare.

-Hajt o Rur se po më vie keq
Në disa fjalë ti mirë s’e ke,
Sa shqiptari e shqiptaresha
Kanë rënë n´këtë luftë për atëdhe?

-Kanë rënë i dashur e u qoftë lavdi
Shumë e bënë këtë luftë me nder,
Por disa nga karagjozët
Kishin hile e kishin sherr.

Nuk po dua të hy më thellë
Sa di unë ju haber s‘keni,
Karagjozë por edhe vrasës
N´udhëheqje t´popullit sot i keni

A i harruet ato masakra?
Ata trena korb të zi,
A e harruet edhe Bllacën
E shumë nëna që sot mbajnë zi?

Ju harruat shpejt Prekazin,
Serbi keq ua vuri lakun,
Shumë masakra e varre masive
Harruat shpejt edhe Reçakun.

Po mos të ishte Amerika
Edhe kjo Evropa plakë,
Sot do të ishit të shkapërderdhur
E toka e juej e djegur flakë!

Por kjo NATO e Amerika
Bombarduen si për ne,
Na e kthyen mbarë nji popull
Në ato troje ku kishin le.

Kjo dhuratë që erdh´ nga Zoti
Prapëe ndytë me tradhti,
Tue vra djem e vasha t´njoma
Tue vra t´shtrejtën liri!

Kriste pushka n´mes t´Shqipnisë
Vraheshin bijtë në hije t´nanës
Kolonel Ahmet Krasniqin
E vratë vetë në mes Tiranës.

Vraheshin shumë burra t´juej
Nga kriminelë e karagjozë,
Gjindeshin kufoma të djeguna
Tuj e qitë lirinë n´bixhoz.

Vratë Xhemailin e Besim Dajakun
Smajl Hajdarin e Haki Ymerin,
Kësaj Shqipnisë me krahët e saj
Hupët namin e hupët nderin.

Edhe atje në Prizren
Kur dikur mbahej Kuvendi,
E vratë vetë Komandant Drinin
Me marre skuqej i mbarë vendi.

Punëra t´kqija e më ç‘njerëzore
Tani bënte vetë shqiptari,
Ku ke ndi e ku ke parë
N´liri të vritet çlirimtari?!

Sa shumë tjerë që s‘po t‘i njehi
Tue qitë bomba e tritole,
Atë Kosovë sa të vogël
E ndatë në shumë territore.

Ia shtitë rrënjët mafisë
Tue i qitë popullit haraq,
Prandaj sot e gjithë ditën
Zoti po u rrahë kërrbaq!

Gjysma e madhe ju mbet nën shkaun
Donit ruse me ba Kosovën,
Tue kërcnu me atentate
Edhe Ibrahim Rugovën.

Ishte ai burri më bujari
Që ka moti s’ka pasë Arbëria,
Bashkë me Nënën Tereze
Krenohej bota e njerëzia.

S’ditët ju t’i nderoni
I shanit e i nënçmonit,
Fytyrë të zezë e poshtërime
Vetëvetës ia shtonit.

-Mjaft o Rur se më çmende
Me këto fjalë që m’i thua,
Pse më grryen në zemrën time
E varrë të reja më hapë ti mua!?

-Prit o prit se kam akoma
Si kam thënë ato t´Shqipërisë,
Kur na erdhi nëntdhjeteshtata
Ishte kulmi i marrisë.

Tanë një popull në çmendi
Me shumë banda e kriminelë,
Nga copa e madhe që e kishit
Mbetët me një kokërr mel.

E shkatrruat ju ushtrinë
Shkatrruat shkolla e spitale,
Tue plaçkitë shtëpinë e juej
Pa një turp e pa një marre.

Vodhët arin e shumë relikte
Të kulturës mijavjeçare,
Bibliotekat me plot libra
Dogjët lodra e abetare!

Kur u çart mbarë Shqipëria
Mjekërrbardhët u bënë „kritikë“,
Çmendurinë e një populli
E quanin Revolucion Demokratik!

Një çmendi me t´njejta udhëzime
U bë n´Kosovë më dymijë e tre,
Digjnin kisha e faltore
Që Ilirët kishin lënë për ne.

S‘po kam çare këto fjalë
Pa t‘i cekë e pa t‘i thënë,
Njeri tjetrin ju mundoheni
Edhe mish me e ngrënë.

Fliste lumi e shkumonte
Nga nervoza ngriste valë,
Ndërsa unë skuqesha i tëri
Donte shpirti me m‘u kallë.
\
-Ika i thashë se s’mundem më
Do vi nesër përsëri,
Do m´tregosh edhe disa gjëra
Për Kosovë e Çamëri.

Dhe për vise të coptuara
Më jep kshillë si me i tubu,
Se Shqipëria e një trungu
Përsëri don me u bashku.

-Ik pusho o njeri i huaj
Se ju shqiptarët jeni larg,
Do t´bashkoheni ju pa tjeter
Kur nderoni shtëpi e prag!

4.
-Mirëmengjezi o lumi Rur
A je fjetë e a je zgjuar,
Dje të ika pa përshëndetje
T´lutem të më falësh mua.

-Gute morgen* o i huej njeri
Shumë për Ty sonte kam mendu,
Ato plagë që i ke në shpirt
Edhe unë t‘i kam lëndu.

Të kam përcjellë tash njëzet vite
Këndej pari ke kalu,
Nga telashet e nga brengat
Kurrë s‘je ndal me folë me mu.

Nganjëherë vishe me miqtë
Fërgonit mishin në zjarr e prush,
Pishit verë edhe raki
Për atdhe s‘pyetnit askush.

S‘u shkonte mendja te populli juaj
Ishte keq si në ballë t´termetit,
Përballej ai me shumë hidhërime,
E ju bënit kokrrën e qejfit.

S‘po të nguci më me t´kalurën
Por po hy në histori,
Si u ndanë tokat e juaja
Si u nda dhe kjo Çamëri?

Ju si popull gjithmonë njejtë
Keni vrapu pas mallit „t´vjedhur“,
Me kriju kapital t´vdekur
Pa menduar se u duhet shteti.

Andaj fqinjë duke parë
Se ju s‘keni dashuri,
Ua merrte ngapak tokat
Me Kosovë e Çamëri.

-Lum i dashur këtu ndalu
Kësaj bisede po i biem n´fund
S‘kam fuqi të ndrroj asgjë
Në qytet e as katund.

Ne të dy po mbesim miq
Kur t´merzitem te ti vi,
Lëshoj ca lotë në valet tua
E ti me rrjedhë më zbutë mërzi.

U hodha i tëri në lumin Rur
Me shumë miqësi e përqafova,
-Mos shterrofsh o i dashur mik
Me gjithë zemër e urova.

Përqafimin ma ktheu Ruri,
Uroj fat për shqiptari,
Që t´bashkohen në fjalë e vepra
Për me e ba Shqipninë-Shqipni!
Düren, pranë lumit Rur.

20.09.2010
Pranë brigjeve të Rurit

0 comments:

Post a Comment