Wednesday, January 18, 2017

Prend Buzhala - ME KUVENDIME KALLNORËSH


1.
A e ke pa: dy mileniume bota udhëtoi, u përflak në Misterin e Një Çasti. Mos harro: e di atë fshehtësinë e Më Të Madhes Fjalë Shpirtkrjuese. (At)Dhekrijuese. 
Është Një E Vetmja Fjalë, me të cilën e krijon Një Kohë.
E krijon Një Luftë, Një liri për të gjitha liritë.
Nga fjala që kosovon i krijon të Gjitha Kosovët, shqipërisht
Të Gjitha Shqipëritë.
Në të gjitha e në gjithçka: e takon emrin e një Të Pari Tonë.
 Me janarin e Gjergjit ne i flasim Evropës, Evropa na ligjëron ne.
Lindja këtu vjen dhe bashkëndjen me Perëndimin,
e askush nga ata nuk fiton.
Përpos grindjes së dritave dhe hijeve, Të Keqes dhe Të Mirës.
2.
Eh, si rrjedhin koha e ujët,
si ndërrohen pamjet e dheut e brezat njerëzorë.
Nga ne përsëri mjaft do të mbesin për të rrëfyer, dëshmuar e heshtur.
Ani se na humbën rrugët nga ato kohë të lavdishme e deri te ne.
Ani se i humbëm fjalët për t'ia ligjëruar vetes krejt ato madhështi.
Me çka të dalim përpara Gjergjit, Isasë, Jusufit,
para krejt Të Mëdhenjve tanë?
Pamja e fytyrës na paska humbur! Shohim të ndezur qirinj të zinj.
Si të të njohim: a thua qenkemi një trup vetëm me gjymtyrë?
Koka e arratiska pamjen e vet. Si të shohim e si të ligjërojmë?
Si të dëgjojmë e si të ecim? Gjuha qenka arratisur te krejt gjarpërinjtë: Shikimi mbyllet në Had: në e sheh Euridikën, vdes për gjithë jetën.
 Vjen Muzë kallnori e Mnemosinës e na troket: e dini kush jeni ju?
E, po e dite, futesh në mëkat të përgjithmonshëm, si Adami e Eva.
3.
Me Emrin e Kallnorit i masim krejt çka kemi, e masim lavdinë tonë.
Mes nesh Zjarr i Gjallë. Një Komb Afsh Zjarri nëpër histori e kohë.
Ju do të dëgjoni ende gjëmimet. Vetëtimat e shkreptimat nuk prajnë.
Si bashkohen kur bashkojnë duart, në valle, në gëzime a në mort.
Rrufetë shkarkohen nga ata shekuj, si të shkarkohen krejt zemërimet.
4.
S'dihet sa të lashtë e ka themelin e vet kjo tragjikë e heroikë kallnori.
Pas na vijnë janarët me Dorën e Historisë ta shkruajnë Tragjedinë e Re. Me leksionet më të rënda të moteve, përherë me fytyrë tjetër.
Është Muaji i Zjarrit,
që ligjëron amshueshëm arbërisht, jasharisht, ilirisht.
Vjen Maestro i Kallnorit, rend deri te ne, me Flakën e Gjergjit.

0 comments:

Post a Comment