Saturday, January 14, 2017

Vasil Tabaku - VALLJA E RUGOVËS


Rreth kokës
Mbështjell Qiejt e Kosovës.
Mbu supe
Lartësohen madhërisht Bjeshkët…
Një lisnajë prej tufanesh
Shpalos degët e blerta
Nëpër magjinë e valles së Rugovës…
Eh,
E keni parë buzëqeshjen e tij
Harenë tronditëse të valltarit
Me cvetëtimat rreth belit
Dhe rrufetë që shkrepëtijnë
Nëpër horizontet e syve të tij…
E keni parë
Diellin mbi buzët e prushëruara
Ku lindin dhe vdesin puthjet e dashurisë
Është rugovasi,
Njeriu prej ajri, qielli dhe bjeshke
Një lisnajë njerzore
E mahnitëshme gjer në mrekulli
Me gjoksin të rritur
Nga dashuria e patreguar për Kosovën
Dhe dashurinë e heshtur
Për ty Shqipëri…
Një dashuri vallëzues
Me dhimbjen e lumenjëve
Dhe hapin e dallgëve të detit
Me pafajësinë e dëborës së Bjeshkëve
Dhe shpirtin e madh të Rugëvës…
Kapur sup më sup
Burrat
Ndërtojnë mallin e dashurisë
Dhe vajzat
Me krahët si fluturat
Ngen përqafime ditësh dhe vitesh
Me dhimbjen e zjarrit të virgjërisë
Teksa mbi krye
Tundin shamitë
Si copëza dëbore
Mbi ballin prej dielli të djelmërisë…
Valle e Rugovës
Magji e shpirtit të madh
Ëmndërr e trazuar në zgjim
Mbi Fushë Kosovën time
Mbi lëndinën e yjeve
Aromë e kombit të vuajtur
Ngitur madhërisht
Mbi Botën e trazuar
Dhe Atdheun e quajtur Kosovë Shqipëri
Shqipëri Kosovë, Kosovë Shqipëri…
Dashurishtë përqafuar në shënjtërinë e Lirisë…

0 comments:

Post a Comment