Wednesday, January 4, 2017

Prend Buzhala - DËSHMITAR I TRILLIT TËND TË HARLISUR

(Çaste të reflektimit lirik mbi të vërtetën), 3

Të thonë: ti je dëshmitari më i vlefshëm për të vërtetën.
Ti thua: nuk është ashtu.
Shiheni: ajo e braktis edhe Botën Reale si vatër të saj.
Rrethohet me pasuri përrallore. Ajo e do aq shumë (vetë)dhunimin.
Mandej ik prej teje, se ti qenke i paaftë të shkelësh mbi të.
Nuk ke ditur të vësh pasuri të madhe mbi kurrizin e lakuar të saj.
 E çka qenka puna e të vërtetës që të kërkuaka ty të jesh viktimë?
A t'i besosh syve tu apo fjalës së huaj?
Pastaj ajo tkurret, fshihet nëpër humbella
aty ku nuk shkel këmba e njeriut.
Dikur edhe ti i mbyll të gjitha dyert dhe ajo mbetet përjashta.
Dhe kanë thënë: e para në luftë vritet e vërteta.
Diku tjetër parapëlqejnë për të një gropë të stolisur
si një varr të bukur.
Eh, shih ti: ajo gjendet kudo e shtrirë në sipërfaqen e dheut.
Si një simetri gjallimi e qenieve që shtegtojnë gjithandej.
Ajo ekziston. Mbi të ndërtohet Imagjinata e Bukur e Trillit.
Ti, Dëshmitar i Trillit tënd të harlisur.

 3 janar 2017)

0 comments:

Post a Comment