Thursday, January 5, 2017

Prend Buzhala - PESHORJA E JETËS


(Çaste shkrimi me përsiatjet për kapërcimin nëpër teh shpate), 4
1.
Të ndodh: kur zgjohesh, -
sikur Ëndrra t’i ka korrur të mbjellat e jetës,
sikur jeta është prerë nga Kosa e Ëndrrës.
Dhe vetëm në këso çastesh jeta e kupton vlerën e pamatshme të vetvetes!
Edhe Ëndrra, kur mbetet boshe nga thatësia e jetës, e kupton Gjithnajën e saj.
Edhe kur e ke ndjerë therjen e ndarjes nga Vajza që e ke dashur, dashuria ka ligjëruar për thellësinë e vet, të panjohur deri në ato çaste.
Dhe, ti, tashmë të tillën Peshore të Jetës, e gjen diku në balancë-shkallaren e panjohur të dhimbjes.
2.
Dhe qenia jonë nuk gjendet jashtë errësirës e as jashtë dritës.
Aty i kemi të mirën e të keqen, mundësinë për të zgjedhur dhe keqardhjen e pafund, kundruall iluzionit të realitetit dhe realitetit të iluzioni.
Aty i kemi, dorë për dore, rëniet e rrëzimet tona, ngritjet në këmbë e lartësimet drejt Kikave të Gjallimit.
Kush tha se gjithmonë dikush mund të qëndrojë vetëm në dritë a vetëm në errësirë, vetëm në dhembje a vetëm në hare?
Errësirë e dritë, urti e çmenduri, hare e dhimbje, gjenden te secila qenie njerëzore, dhe na duhet ta gjejmë peshoren e vetvetes...
Mos harro: i vetëm botën nuk mund as ta shembësh as ta rregullosh.
Mu si jeta që qëndron në teh shpate, në teh humnere... dhe e ruan drejtpeshimin e saj për të kapërcyer përtej.
(Prend Buzhala, 4 janar 2017)

0 comments:

Post a Comment