Monday, January 9, 2017

Sabit Rustemi - PRAPË BËHEMI MAL

( Shkrimtarit Ibrahim Kadriut, në ditëlindjen e Tij )

E pshtjellëm udhën nën hapa
Shkodër e Shkup e Shkup e Shkodër
E gjurmët nën palët e thella të kujtesave
Diku na mbeti një urë
diku një shteg
një shtëpi e posanisur diku
a një mulli
Sa koha u blua e u gri nën ujë
thinjave tona që s'binin
male pipthash buluan
Kreshtave të Karadakut pastaj
me t'lemen e diellit u zgjuam e gjallnuam
e lëkura e lëkura stinëve ndërruam
si ai gjarpri ilir që s'thumbon pa e prekur
Sërish morëm udhë u shkepëm
kush malit kush fushës e kush shehrit
"se duhej gjalluar mes mishit e thoit"
Tash një fjalor nuk i përthekon emrat
as një krahinë s'i nxë më lisat e plisat
e le më veprat
Mësuar jemi të rrojmë në këmbë
si lisat të shtjerremi vertikal
derisa ajo teshë e ftohtë t'na pijë përngadal
Pastaj nga mali i prerë prapë bëhemi mal
( 8 janar 2017 )

0 comments:

Post a Comment