Friday, January 27, 2017

Prend Buzhala - MEA CULPA A KËRKIMFALJA SI VLERË CIVILIZUESE

(Çaste ri-shkrimi), 22
1.
Cvilizimi europerëndimor (e biblik) e përjeton dhe e shfaq MEA CULPA-n e vet në secilën kohë. Madje këtë kërkimfalje e praktikojnë edhe shtetet që kanë bërë gjenocid (si Gjermania kundër hebrenjve etj,).
Dihet se krejt shtetet evropiane kanë bërë këso KËRKIMFALJESH njëra-tjetrës, (madje kështu po veprojnë edhe shtetet sllave në Ballkan, duke i kërkuar falje njëra-tjetrës për luftërat e shkaktuara), por në raport me Kosovën të vetmet shtete që nuk veprojnë kështu, janë ish Perandoria otomane (e trashëguar nga Turqia e sotme) e Serbia që ende nuk e kanë bërë... Kur Franca kërkoi nga Turqia që ta bëjë këtë në raport ne armenët, dihet se si u soll Turqia...
2.
Shteti (a njeriu, a cilado bashkësi qoftë) që e paraqet njëherë këtë MEA CULPA dhe nuk e përsërit më KRIMIN,MËKATIN etj, atëherë të tjerët e kanë obligim etik, njerëzor, kombëtar e universal (e në daç edhe religjioz) që më të mos merren me atë problematikë (me to merren gjyqet etj)... por ta pasurojnë kthesën (shoqërore a njerëzore) me vlera të reja, me një FILLIM TË RI, ringjallës...
Kam pasur rast të lexoj, kur ndër ne një person i rëndësishëm e bëri këtë kërkim-falje, edhe më të egra ishin shfaqjet histerike pas kësaj kërkimfaljeje... Të tillët vetëm sa e dyfishojnë MËKATIN e GABIMIN e atyre që e theksojnë me akuzat që ashtu e kështu paraqiten shumëfish më të egra se kërkimfalja... dmth shkojnë përtej secilit postulat modern civilizues europerëndimor ... dhe krejt gjykimet e opinionet mund të ndërtohen vetëm në situatën pas kësaj MEA CULPA...
3.
As Gjermania, as Italia e as Franca kurrë nuk kanë qenë si Serbia, Rusia apo Turqia, me sjelljet e tyre. Ato shtete europerëndimore, që të gjitha, e kanë përjetuar një MEA CULPA (kërkim-faljen, për fajin e tyre të bërë), kurse Serbia në raport me ne, nuk e ka bërë këtë gjë! Këtë MEA CULPA, vendet evropiane (dhe Vatikani) e kanë bërë edhe për kohën e Mesjetës dhe të Inkvizicionit.
Kurrë nga vendet e Lindjes (Rusi, Turqi etj), nuk ka ndodhë kjo MEA CULPA! Kërkim-falja! Nuk qenka në thelbin e civilizimit të tyre kërkim-falja për krimet dhe pushtimet, për egërsinë e dhunës e të gjenocidit të ushtruar. Sepse në mendësinë e tyre ende bëjnë çerdhe politikat antidemokratike e ideologjitë e shfarosjes.
Kjo MEA CULPA i çliron nga barra e së kaluarës popujt, ua hap shtigjet dhe perspektivat për progres, liri, demokraci, paqe dhe zhvillim. Në të kundërtën, pa këtë KËRKIM-FALJE, këto shtigje të së ardhmes mbyllen...
A duhet shqiptarët ta ndjekin shembullin e këtyre shteteve të Lindjes, apo ta braktisin këtë trashëgimi e këtë mendësi? Pikërisht pse kanë këso mendësie, këto shtete mbollën ndër ne përçarjen dhe regresin historik.
Populli ynë askujt nuk i ka hipur në qafë. Nuk ia ka rrëmbyer lirinë askujt.
Në fund, le të përsëritet edhe një thënie e tillë postulative civiluzuese: "Të gabosh është njerëzore, por të qëndrosh në gabim është djallëzore"!

0 comments:

Post a Comment