Saturday, January 14, 2017

Lulzim Breznica - OH,VENDLINDJA IME

Ajo rrugë e vjetër
Shtruar me baltën e fëmijërisë
Njomur me këngët e zogjve të malit
Mes dhembjesh...Mes gëzimesh.
Kujtim me shfaqesh
Përnatë,
Në ëndrra.
Kjo natë shiu...
Më përkujton
Çastet e fundit në rrugë,
Zhurmën e trenit,
Dhe shembjen e gurëve në shpirt.
Atje lashë
Thembrat e këpucëve të ikjes
Gjethet e mavijosura në shpirt të pemës
Rrëshqitjen e dheut të varrit të babës
Lotin e vëllaut,
Qëndisur e ngrirë në faqe
Si përmendore ..
Dhe hipa në trenin e zi të kohës
Duke trazuar dallgët e shumta të detit
Fshehur në gjirin e nënës.
Unë ika,
Për të lënë një klithmë më shumë
Të rritet me flokët e dhimbjes së motrës.
Shi vjeshte bie
Lagen sytë në pritje të kthimit.
Oh,vendlindja ime
E sheh,unë po plakem
Me kujtimet në ëndrra
Kurse,
Ti gjithnjë mbete nuse e re ..
Për ëndrrat e mia.

0 comments:

Post a Comment