Tuesday, January 31, 2017

Prend Buzhala - FJALA, AKT I LINDJES


(Ese lirik: nga një sinopsis për Lutje për ta pajisur komunikimin), 30

Përse e lë fjalën të kalbet në zemër?
Përse Fjalën Më të Bukur, Më të Shenjtën Fjalë, e mbyll, brenda vetes?
1.
E di mirë që Fjala, kur të ka hyrë në zemër, ajo t'i ka vënë në lëvizje të gjitha fuqitë e shpirtit e të mendjes brenda qenies sate.
E tash, vetëm dëgjon?
E, vetëm shikon?
Kah të fluturuan fjalët me vlerë?
Kujdes, po e heshte Fjalën, e heshte të vërtetën për vetveten, sepse brenda Fjalës je ti, qenia jote. E vërteta jote.
U tha: Në fillim ishte Fjala.
Tashmë e lexuar kjo.
U tha:
Ta shqiptosh Fjalën, ke bërë aktin e lindjes. Aktin e Lindjes së Të Vërtetës.
Dhe, po e dhunove Fjalën, ke bërë aktin tjetër, vrasjen e një lindjeje.
Dështimin...
2.
Dhe ajo i drejtohet secilit, si hir i perëndishëm. Te Fjala e Shqiptuar perëndishëm, ti e ke dinjitetin tënd. Rreth vetes ke shumë miq e të afërm, të njohur e të panjohur. Te secila fjalë ke emra të njerëzve që i do, ke emrin e Atdheut Tënd e të Kombit tënd. Të Historisë Sate e të Shpirtit Tënd. Të Dijes e të Artit.
E po, po qe se e lë të heshtur Atë Fjalë, dije, do të humbësh shumëçka: humb emrat, humb miqtë, humb botën përreth. Humb edhe shikimin. Pa Fjalën gjërat mjegullohen, bëhen të paqarta, kuvendimi yt bëhet belbacak, që nuk e lidh si duhet një fjalë me tjetrën, një mendim lihet përgjysmë. Asnjë shenjë nuk mund të lexohet. Asnjë udhëzim nuk vlen, humbin kuptimet e tyre.
Pa Fjalën ti mbetesh i vetmuar.
Prandaj, bëju ti Zëdhënës i Fjalës. Ashtu e pasuron brendinë e shpirtit tënd.

0 comments:

Post a Comment