Për të përqasur
një krijues, një poet në vëmendje të lexuesit-apo të kritikës letrare,
natyrisht, që ka shumë rrugë dhe mënyra. Por unë, po mjaftohem me mendimin e
kritikut dhe studiuesit Dr Fatmir Terziu.
Ai argumenton se “...poezia është
një forcë dinamike, që përforcohet nga çdo poet që me përpjekjet e tij për të
shkruar e krijuar formën, kuptimin e qartë e të plotë mbi jetën dhe jetiken.”
Një nga këta poetë që po lundron në këtë rrjedhë dhe që ka krijuar
kuptimin mbi jetën dhe jetiken në
mënyrën e vet, që është veshur dhe ka dalë për të shtruar sofrën e fjalëve në
livadhin e poezisë, dhe madje tenton të
arrijë në kupolën e trëndafiltë për të shtuar frytet e jetës poetike, ky është
poeti Ferit Ramadani nga Kërçova e Maqedonisë, ose siç e njohin shumë Gjakush
Tana…(i cili për fat të keq nuk jeton më).
Feriti është në radhën e atyre krijues (poetë), që dhimbjen e tij të
madhe shpirtërore e ngriti dhe e ktheu në fjalë poetike.
Vargjet e poetit F. Ramadani janë identifikim i shpirtit të tij të
vrarë, por që jetonte tërësisht në botën e dashurisë mes ngjyrimeve dhe gjuhës
si rrjedhojë e thurjeve të këngëve që garojnë poetikisht në mënyrë dinjitoze,
si një poet pjesëformues i unit të tij letrar.
Poezia e Ferit
Ramadanit është metaforë dhimbjesh e dëshirash të mbetura andej këndej, që
autori del e prêt, e përgjon yllin e tij të dashurisë së pashuar dhe jehon si
suferinë poetike në përjetësi.
Si te poezia ”Vetmia e natës”:
“Nëse më kupton-ndryshoj nga të marrët,
se shpirti im e di si gulçon!”
..................
“Jam unë ai –që, edhe në se vdes
-Për ty do fryj si suferinë!”
Dashuria e tij shpall alarm
e mbi të shkarkohen vetëtima… Poeti nuk ndihet i gëzuar, është i “braktisur, i pikëlluar, në vetmi, ai s’ka
më gjymtyrë, ka mbetur kërcu.”; “Sonte nuk ndihem i gëzuar! / Oh, sa jam i
arratisur! / Mungove ti! / Jam pikëlluar! / Pëshpëris në vetmi-i krisur! /
S’kam gjymtyrë! Mbetur kërcu! / Këtë gjendje kurrë se kam pritur.”
Në aspektin estetik, gjuha në
vargëzimin e poetit F.Ramadanit ka marrë formën e artit të fjalës. Një gjë e
tillë shikohet te funksionet e ndjenjës së dashurisë, të së bukurës, shpresës
dhe hidhërimit, is shprehje e botës së brendëshme. Poezinë e Gjakush Tanës
(F.Ramadanit) e gjejmë të trupëzuar në kuptimin shpirtëror-ndjesor dhe në anën
tjetër, e kemi të materializuar si poet që gjykonte me zemër, si materie prej
mishi dhe gjaku.
“Më dridhet buza, më buzëqan zemra
.............
për ditëlindjen tënde nuk kam gërma,
të plotë se shkruaj atë urim.” , nga poezia “Agimmuzgu”
Mendimet poetike të poetit F
.Ramadani janë të blerta, pasi ato ripërtërihen, janë në veprim e sipër,
gjithçka e humbur për poetin (është tirani-mesjetë).
“Asgjë nga luftrat, / nga ndarjet, hidhërimet! / Dashuria i ka të blerta
sundimet! / Në kryqëzatë të sajë / ka gëzime dhe jetë!”
Në këtë këndvështrim
krijimtaria poetike është vazhdimisht e bleruar në aspektin kohë dhe ajo që
sundon, që mbretëron dhe e fisnikëron poezinë, është Dashuria e cila është
burimi dhe sofra e gëzimeve në jetën njerëzore.
* * *
Poeti Ramadani (Gjakush
Tana) kur poetizon mistiken, ai ka
parasysh anën ndjesore të së bukurës, engjëllores, por, dhe nga ana tjetër
zemrën si organ, pjesë materiale e trupit.
Dhe thotë:
“Gjithçka rreth meje shkon e përhumbet pavetëdije / fytyra engjëllore
bleron, lulezonjë, plotë dlirësi. / Unë vyshkem në heshtje-i shndërruar në hi.”
Shpirti i poetit (pjesa
ndjesore) është një det që oshëtin, ndërsa ai vetë, “Uni” i tij (bota e tij
reale-materjale) poetizon: ”Unë jam
lundra që përplasem në dallgë e tufan,/ të arrij deri atje ku shkrij lotin /
buza më thanë.”
Dhe në kufirin ndarës, as
(shpirtin) nuk ja lanë të vijë, tretur nga gjithë pamjet poeti pyet:
“Do të bëhet
kurorë shpirti? Kurrë-lamtumirë!” Poeti
është sinonim i shpirtit të prindit, që thur vargje dhe pikëllimi i buron nga
trupi dhe zemra e tij, një shembull i tillë është edhe poezia “Lind vdekja
jote”. Në poezinë “Digjem Blertë” poeti me vargjet e tij bën dritë dhe rimat
qullin horizontin. Ferit Ramadani spikat për poezi dedikuese të goditura
poetikisht, që të inspirojnë dhe mbjellin dashuri dhe respekt për figurat dhe
personalitete të kombit tonë. Në poezinë “Të pres te Busti i Lasgushit” poeti
shpërthen me zemërmadhësi, frymëzim dhe me tërë” klithmën” e tij poetike.
“Me rima që shpërndajnë trëndafila, për zemërmadhësinë tënde
Të pres tek Busti i Lasgushit, ku hesht lirika-dashuri
Se zemra e do zemrën kur ka frymëzim e, gulon si shi!”
Dëshiroj të ndalem në një veçori, në një aspekt, në një përballje të
poetit Ramadani që ka të bëj me gjuhën dhe lëvrimin e saj. Feriti gjen, qëmton
dhe përdor bukur dhe me vend shumë kompozita fjalësh dhe shprehjesh të cilat i
gjejmë vetëm tek ai. Ato kanë ngjyrimet dhe krijesën autentike të autorit në krijimtarinë
e tij poetike.
Si për shembull:
“Ti kushtrimzgjimi i ndritur në legjendë, në pikëllimtufani, buzëqan
zemra,filloj tufanborina, në gjakimshestime, se fati im-fatomorganë-mbeti në
shtigje, kishte horizont ai çast, i mbledhur në sylynjarët e etjes, dole këtu
të bësh njësimë, me arnajete mbuloheshim, mugullim e mbirë.
Dhe shumë e shumë të tjera për të cilën duhet një hulumtim për t’i
veçuar në tërësi”.
Vetë poeti është një mister në kohë dhe në mendimin e tij poetik. Poezia
“Thellësi misteresh” është një krijim i thellë i mendimit poetik, gjë për të
cilën, shpreh mendimin se krijimtaria e F. Ramadanit është ende e panjohur për
lexuesin e gjerë Shqiptar, por dhe për kritikën intelektuale, pasi mungon një
prurje e plotë e tij në duart e lexuesit e të studiuara nga këndvrojtime dhe
studime të ndryshme, të cilat paraqesin interes.
Poezia “Thellësi misteresh” lë të hapur mendimin e mëtejshëm për
krijimtarinë letrare të poetit:
“S’thanë asgjë për shpresat
Asgjë për llavën e zjarrtë
që ngjitet në lartësi kreshtash
e hynte në brendi shpirti
dhe ndjente hapin
që ia thurën lakun!
...........................
Ku ta gjenim shërimin
ku ta mbyllnim rrjedhën
e kroit të vegimeve
që kthehej në këngë të dhimbjes krenare!”
Këto ishin disa refleksione
modeste që munda të hedh në letër për krijimtarinë poetike të Ferit Ramadani
ose si dhe e njihnin, Gjakush Tana!
0 comments:
Post a Comment