Thursday, February 9, 2017

Zekerija Idrizi - BIJA KONTRIBUONI PËR KOMB E ATDHE



***Në shenjë kujtimi për Martiren e demokracisë MUSINE KOKALARI dhe nënën Dëshmore ZAHIDE të Adem Jasharit-pjesë nga libri im "Letër bijave të mia***
Bijat e mia, ju lutem hidhni dhe një vështrim historisë sonë të lavdishme shqiptare, e cila është e mbushur me shembuj të shumënumërt të femrave e grave të devotshme, të fisme e atdhedashëse shqiptare.
Femra shqiptare ka lozur dhe vazhdon akoma të loz rol të rëndësishëm në gjitha poret e jetës sonë, si në përparimin politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor të atëdheut tonë. Dihet historikisht kontributi kolosal në shumë fusha i, për shembull, Shote Galicës, Helena Gjikës (Dora d'Istria, 1828-1888), mandej mësueseve të para shqiptare që punuan me dëshirë e vetëmohim në shkollën e pare të vashave „Shkolla e Vashave“ hapur në Korçë në vitin 1892: Sevastie Parashqevi Qiriazit, Katrina Cilkas, Polikseni Dhespot Luarasit dhe Fanka Efthimit, Dr. Sabiha Kasimetit (e para shkencëtare biologe shqiptare, e cila ndiqet, arrestohet dhe pushkatohet nga regjimi enverhoxhist si e vetmja grua në mes të 22 të dënuarve burra me pushkatim), Musine Kokalarit (intelektuale,shkrimtare e politikane e shquar, "Martire e Demokracisë"; më 23 janar të vitit 1946, e arrestojnë për së dyti dhe gjyqi terrorist i fitimtarëve komunistë e dënoi me 20 vjet burg, "më varrosën për së gjalli pse isha nxënëse e Sami Frashërit, ithtare e Rilindjes Kombëtare. Me mua doni të dënoni Rilindjen" - thoshte ajo në rrëfimin e saj biografik), Nurije Zekës (poete dhe ndër nismëtaret e para në aksionin për pajtimin e gjaqeve), Gonxhe Bojaxhiut (Nënë Tereza, e cila u nderua me çmimin Nobel për paqe dhe u shenjtërua) e shumë e shumë të tjera, me të cilat mburremi ne sot. Shikoni veçanërisht në këto dekadat e fundit pjesëmarrjen aktive të femrës e gruas shqiptare në të gjitha veprimtaritë e aktivitetet me rëndësi kombëtare.
Dihet roli vendimtar edhe i femrës shqiptare në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, pjesëmarrja e saj aktive në gjitha demonstratat e organizuara për liri, arsimim shqip dhe pavarësi në Kosovë, inkuadrimi i saj me pushkë në dorë në gjitha betejat tona kundër gjenocidit sllavo-ortodoks në Kosovë (1998-1999), Në Kosovën Lindore (2000) dhe në Maqedoni (2001) e në shumë veprimtari të tjera substanciale kombëtare. Është mëkat të mos përkujtohen me pietet e respekt të thellë gjitha këto luftëtare sypatrembura, veçanërisht ato që ranë në altarin e lirisë - dëshmoret. Përkujtoni këtu mandej ato qindra mijëra nëna shqiptare që qëndronin si shqiponja nëpër istikamet e fushëbetejave tok me bijt e tyre zemërluaj. Shembull që do ngelë përjetë në kujtimet tona është e tërë familja e Komandantit tonë legjendar Adem Jashari (Zoti e shpërbleftë me xhennet!), që u flijua për lirinë dhe pavarësinë që ne sot e gëzojmë.
Nëna e tyre kreshnike e burrneshë, Zahideja, tok me bijat, mbesat, nuset e me gjithë familjarët e saj ranë heroikisht në luftë përballë armikut (Zoti ua bëftë lehtë në amshim!). S'do harrohen kurrë gratë legjendare të Likovës së Kumanovës pikërisht në kohët që zhvilloheshin luftime të rrepta në këtë zonë kundër soldateskës morbide sllavo-maqedone (vitin 2001), deklaronin zëshëm në media: "Kurrën e kurrës nuk largohemi nga istikamet tona! Në asnjë mënyrë e për asnjë çmim nuk i lëmë vetëm bijt tanë që po mbrojnë pragun, dinjitetin (ërzin e namuzin) dhe atëdheun tonë!" Prandaj dhe ju bijat e mija përvilni mëngët e qepjuni punës pa përtesë në të mirë të atëdheut. Vëndoni dhe ju nga një guriçkë në godinën e madhe shqiptare, të quajtur Shqipëri etnike!...

(Pjesë nga libri im "Letër bijave të mia", Amanda Edit, Bukuresht, 2015)

Berlin

0 comments:

Post a Comment