Friday, February 3, 2017

Prend Buzhala - HOMAZH: SHKOI NË AMSHIM SHKRIMTARI I SHQUAR DRITËRO AGOLLI


(13 tetor 1931 - 3 shkurt 2017)
1.
Sot ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare Dritëro Agolli, shkrimtar i shquar shqiptar. Për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Është i njohur si krijues që ka krijuar në gjini e lloje të ndryshme artistike: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash, por dhe publicistikë eseistikë,s tudime letrare etj. Është fitues i shumë çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në shnmuë gjuhë të huaja botërore. Është ndër shkrimtarët më të spikatur të Letërsisë së Sotme Shqipe.
2.
Që nga vitet ’60 e këndej ai botoi librat e poezive “Hapat e mia në asfalt” (1961), “Shtigje malesh dhe trotuare” (1965), “Devoll-Devoll” (1964), “Mesditë” (1968), “Baballarët” (1969), “Nënë Shqipëri” (1974), “Fjala gdhend gurin” (1977), “Udhëtoj i menduar” (1985), “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypësi i kohës” (1995), “Fletorkat e mesnatës” (1999) e libra të tjerë. Në prozë botoi “Komisari Memo” - roman (1969), “Njeriu me top” - roman (1975), “Shkëlqimi dhe rënja e shokut Zylo” – roman 1973), “Trëndafili në gotë” - roman (1980), “Arka e djallit”, roman dhe “Dështaku”, roman. Dramat: “Fytyra e dytë” dhe Mosha e bardhë.” Për sa i takon prozës, do të thosha se romani ““Trëndafili në gotë” është ndër më të mirët e letërsisë së sotme shqipe. Te proza e tij struktura narrative, personazhet, paraqesin një botë sa të zakonshme aq edhe të thjeshtë e madhështore. Theksohet te ky krijues “frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.”. ndërsa dy romanet e fundit, “Arka e djallit” dhe “Dështaku”, përbëjnë edhe një “shmangie” nga poetika tradicionale e prozës sonë, ashtu sikundër përbëjnë shmangie nga rregullat e ngurta të realizmit socialist.
3.
Poezia e Dritëro Agollit është një SHENJË IDENTIFIKUESE e lirikës së sotme shqipe. Lexuesi, në të gjithë librat poetikë të tij, e njeh poetin që ligjëron drejtpërdrejt, me poetikën e madhërishme të thjeshtësisë e të QARTËSISË proverbiale (agolliane), me magjinë e komunikimit kaq njerëzor e kaq pranë nesh e me ne, me mesazhin gjithnjë të freskët, të thellë e domethënës. Aty e bashkon urtinë e shquar me këngën për dhimbjen e pafund shqiptare, buzëqeshjen dhe frymën humoristike me kulmet poetike të lirikës së dashurisë, kuvendimet e pafund me gjithë njerëzimin, universin, gjërat e thjeshta... me monolgun e trishtuar të vetmisë... temperamentin e lindur ritmik agollian me melodinë POETIKE të rikrijuar nga fryma popullore... Poeti gjendet gjithnjë me sfidën e tij të shtegtimit e të udhëtimit nëpër shumë libra poetikë (Në rrugë dolla - 1958, Hapat e mia në asfalt, 1961, Shtigje malesh dhe trotuare - 1965, Udhëtoj i menduar -1985 e deri te librat poetikë "Pelegrini i vonuar- 1993 dhe Vjen njeriu i çuditshëm - 1996) e ku SHENJË POETIKE mbetet UDHËTIMI (siç është dhe Pelegrini). Se cili është ky Pelegrin a shtegtar MODERN, le të lexohet lirshëm, qoftë edhe si METAFORË e 85 viteve të poetit...
4.
Dritëro Agolli është Poet dhe Bard i poezisë së sotme shqipe. Sa e afërt, (mbase, jo vetëm për nga analogjia fonetike) me këtë fjalë, është fjala shqipe bard(h). Poeti është një ogur i bardhë. Merret si fjalë protokeltike *bardos, me bazë proto-indo-evropiane *gëerh “thënie e lartësuar, hymnizim”. Fillimisht, kjo fjalë shenjonte poetin a këngëtarin në kontekstin feudal të aristokracisë shpirtërore dhe religjioze.
Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet '60). Ai është quajtur poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtar i filozofisë së jetës dhe i dhimbjes njerëzore. Duke qenë shumë i dashur për lexuesin shqiptar, ai me të drejtë sot konsiderohet Poet dhe Bard. A nuk ia paraqesin këtë zë të lartësuar prej bardi, poemat “Nënë Shqipëri”, “Poemë për babanë dhe për vete” dhe, sidomos veprat poetike të viteve ’90 e këndej, në të cilat Shqipëria është ajo që shndërrohet në Figurë Letrare, do të thoshim: në Figurë Të Së Madhërishmes.
Dritëro AGOLLI: (poezi e zgjedhur)
PELEGRIN
Unë jam prej kohësh pelegrin
Udhëtar në vendin e shpresës së thyer
Jam ndarë padashur nga karvani im
Mes shtigjeve nga vapa e shirat gërryer
kërkoj karvanin tim në rërë e në shpat
karvanin që e ka ndërruar drejtimin me kohë
Ndaj në udhë jam krejt i humbur, jam fillikat
Me shami të grisur lidhur në kokë
Për ujë buza ime u bë zhur
Dhe sytë më shpojnë nga shterrja e lotit
Më duhet të arrijë karvanin e tretur qëkur
Capitur mes vapës, mes shiut e të ftohtit
Unë jam prej kohësh pelegrin
Shtegtar i karvanit të humbur
Dhe bart në kurriz një premtim
Të dhënë në hirin e gjyshërve të mundur.

0 comments:

Post a Comment