Saturday, February 4, 2017

Prend Buzhala - APOKALIPSI TASH: JETA E VDEKJA NUK MERREN VESH


(Çaste eseistike), 35

Eksodet e sotme (biblike), të shekullit XXI, gjithandej kontinenteve përreth, na i kujtojnë pamjet e fundshekullit të kaluar në Kosovë e rreth Kosovës. Tashmë Njeriun e Eksodit e kemi protagonist të Kohës Sonë, i cili endet rrugëve e aeroporteve të botës.
1.
Më tutje, pamjet këmbehen: mund ta ketë gjetur një celular, për t’i bërë një telefonatë ndonjë miku, me shpresën që do t’i dalë në ndihmë për t'i kaluar kufijtë gjemborë, me paratë e kursyera për një jetë të tërë për të kaluar “në tokat tjera të qeta” nëpërmes industrisë së trafikantëve të jetëve njerëzore... ndërkohë që gjylet e topave gjëmojnë, duke fluturuar nëpër ajër, duke goditur trupat njerëzorë a duke shkatërruar vendbanime a qytete antike...
Apokalipsi ndodh për çdo ditë...
Duke shikuar qiellin me re, me Lutjen Për Shpëtim, ai pret. ndërsa qielli i dërgon gjyle.
Më tutje dëgjohen britma, vaje, pamje të gjakut të derdhur...
Britmat arrijnë më larg se krisma e gjyleve, ato shpojnë qiellin.
2.
Mirëpo, britmat ende nuk arrijnë në veshët e shurdhër të botës.
Dhe pamjet ende nuk i stërpikin me gjakun e freskët ekranet televizive, apo faqet e para të gazetave.
Numërohen të vdekurit, të ikurit. Konferencat për Paqe nuk prajnë. Ndërkohë që Industria e armëve prodhon plumba, gjyle e topa, për vdekje të reja.
E, të gjitha këto së bashku, sikur nuk duan t'ia dinë se njeriu është qenie njerëzore, qenie e vdekshme.
U dashka TË NDODHIN MILIONA VRASJE, për ta marrë vesh se njeriu qenka QENIE E VDEKSHME.
Përgjigjet për Njeriun e Eksodit mungojnë.
Telefonata shurdhohet.
3.
E prapë, Teknologjia e Vdekjes tashmë merr edhe një mision tjetër: t’i bashkohet teknologjisë religjioze të mënyrës së vdekjes: për të arritur sa më shpejt në parajsë, për hir të emrit të Zotit.
U dashka TË JETOJNË EDHE SHUMË VITE KËSISOJ NJERËZIT, nën gjëmime armësh, për të JETUAR TË LIRË!
Jeta dhe vdekja nuk merre vesh.

0 comments:

Post a Comment