Wednesday, February 8, 2017

Prend Buzhala - KLUBI I AMBISIT TË KAFENEVE

(Çaste shkrimi: dramë e regjistruar nga dialogë qytetarësh), 39

QYTETARI I PARË:
Jam shumë i zhgënjyer e i pakënaqur me gjendjen tonë.
QYTETARI I DYTË:
Paj, nganjëherë të gjithë jemi të pakënaqur.
QYTETARI PARË:
E ndiej veten të tradhtuar edhe nga miqtë, edhe nga pushteti... Më ka kapluar një vuajtje që s’ka fund...
QYTETARI I DYTË
E kuptoj një pakënaqësi të përgjithshme, por nuk e kuptoj përse kjo pakënaqësi gjithëpërfshirëse, kronike, pothuajse e shndërruar në sëmundje kronike. Po ua bëjnë ferr jetën edhe vetes, edhe miqve, edhe krejt të tjerëve, me ankimet e pafund...
QYTETARI PARË:
Si nuk po ta tërheqin vëmendjen kaq harxhime të pafund nëpër dasma e raste vdekjesh, nëpër ahengje e kafene...
QYTETARI I DYTË:
Paj, njerëzit kanë të drejtë të gëzohen, kanë të drejtë të festojnë, kanë të drejtë edhe ta nderojnë të dashurin e tyre që ndahet nga jeta...
QYTETARI PARË:
Shiko si po na injorojnë, si po na e kthejnë shpinën këta të mëdhenjtë. Shiko...
QYTETARI I DYTË:
Janë një kategori njerëzish që, edhe kur shumëçka është në rregull, janë të pakënaqur e gjendja normale i mundon.
QYTETARI I PARË:
Normale të duket kjo gjendje?
QYTETARI I DYTË:
Nuk them se gjithçka shkon vaj, nuk shkon gjithçka më së miri. Ti ke kërkesa tepër të mëdha e kundërthënëse, njëherë kërkon pagën e veteranit të luftës, dhe e nxore. Mandej thua: pse e mori filani? Ani se vetë ti ke qenë në Ulqin e jo në luftë. E nxore edhe një pension social, thua: pse e mori filani e mandej pse nuk ia japin edhe filanit, ani se ky i dyti gjendet në pozitë shtetërore... Ankohesh pse ka hyrë në punë filani e vetë i ke në punë djemtë, vajzën e madhe dhe gruan. Të kanë dhënë banesë në qendër të qytetit... e thua pse nuk e ke edhe një në kryeqytet... e nuk më duhet as kjo në qytetin tim! Shkon në botën e jashtme sa herë të duash... dhe thua pse nuk ka liberalizim të vizave? Kur duan të punojnë për liberalizim të vizave, ti thua: nuk na duhet liberalizimi këtij kombi të keq!?
Çka po të mundon tash?!
QYTETARI PARË:
Po i shoh se si shokët e mi marrin tenderë, ndërtojnë pallate... po vjedhin sa s’u kap dora! Fëmijët i shkollojnë në kolegje e universitete të jashtme, enden me vetura të kushtushme, e unë – kurrkund! Popull i keq! I voton të këqijtë! Ky popull nuk meriton liri... as liberalizim, as punë!
QYTETARI I DYTË:
Shoh të tjerë që asnjë nuk e kanë të punësuar e gjenden shumë mirë. Nuk ankohen dhe e duan jetën.
Por janë do të tjerë, si ti, që përhapin dëshpërim, duke ua prishur qetësinë e brendshme të tjerëve... dhe t’ua shembin çdo hare a gëzim, festë a bisedë të këndshme. Pakënaqësitë e tua mos i projekto tek të tjerët... te shoqëria.
QYTETARI I PARË:
Shko në dreq të mallkuar me këtë shoqëri tënden të sëmurë!
QYTETARI I DYTË:
Shëroje vetveten nga pakënaqësia kronike.
QYTETARI I PARË:
Shoqëri e pashërueshme, edhe ti je mik i lig. Më mirë të bëj vetëvrasje se sa të jetoj në një shoqëri të sëmurë. (Merr një thikë dhe sikur dëshiron ta sulmojë veten. Tjetri e ndalon...thërret ndihmën e shpejtë).
(Prend Buzhala, 8 shkurt 2017)

0 comments:

Post a Comment