Tuesday, October 24, 2017

Arqile Gjata: NË ÇASTE VETMIJE


Jam në vetminë time të kohës,
më shoqëron dashuria e viteve të rinisë!
Përfytyroj ata sy që shkëlqenin nga gëzimi
dhe mënyra simpatike e të folurit të asaj vajze.
Sjell nëpër mend, me gjithë shqisat e mia
udhën dhe erërat ku janë puthur të gjitha dashurit tona!
Kujtoj me nostalgji këngët e atyre viteve të dala nga shpirti...
ndjej dhimbjen e lotëve kur fjalëve u veshëm dëshirat tonë të brishta!
-Eja e dashura e viteve
të luajmë me erën e kohës,
të krihemi bukur si at-here, se ende jemi si dy engjëj!
Eja, të ngopemi me ajrin e mëngjesit, ku gjenden dhe gjëra të virgjëra...
puthja jonë është çelësi që hap derën e kohës
dhe dita na derdhet në pentagramin e dashurisë.
Në këtë pentagram janë shkruar ngjyrat e detit,
gjëmimet, ajri alpin, aroma e trëndafilave të porsaçelur
përgjimet e zemrës në mbrëmjet e vallëzimit
çdo notë muzikore e këtij pentagrami është një kambanë tingëlluese
që na zgjon nga gjumi.
Aty janë ‘’Katër Stinët e Vitit’’ të Vivaldit!
Tek ‘’Katër Stinët e Vitit’’ gjithçka është në harmoni të përkryer..
qielli, yjet, pemët, lulet, ajri dhe dashuria!
Prandaj unë admiroj, ndjej ambiciet fantastike,
shkëlqimet dhe dashurinë e atyre viteve të rinisë...!
Shkruar në çdo kohë

0 comments:

Post a Comment