Friday, October 13, 2017

Zija Çela: I GJALLË MES SHPIRTRASH TË VDEKUR

Midis shumë pyetjeve që mund të bëhen, me dy po filloj. Janë ato më të epërmet, për të cilat thuhet se, kur vjen finalja, gjyqtarët ia bëjnë çdokujt në paradhomë. Një: A gjete gëzim në jetë? Dy: A u fale gëzim të tjerëve? 
Për të parën është përgjigjur vetë Dritëroi në të gjallë. Për të dytën ka mijëra e mijëra të tjerë, dorëzanë si unë. Veçse, mbas këtij pohimi ekzaltues, mos prisni epitete shkëlqyese, as ditirambe supreme për talentin dhe madhështinë. Nuk di përse, por mua gjithmonë kështu më është dukur: Për shkak të thjeshtësisë gjeniale të krijimtarisë së tij, me përdorë fjalë të mëdhaja për Dritëroin, më bëhet se hyj në gjynah.
Madje tash nuk po më lënë edhe do gjëra të vogla, siç janë kokrra e grurit dhe sumbulla e ullirit, veshi i rrushit dhe vathët e qershisë, rezhdat nën gushën e kecit apo rumbi lojcak i këmborës. Bëjnë ç’bëjnë, dhe këto voglane e jallane ende më vijnë ndër sy. Vijnë, se tani shpejt kam lexuar ca lirika dhe, prej ajamit krijues agollian, i kam gjetur jo vetëm të trupëzuara, por edhe të shpirtëruara, të sjella në art gjithë mendim, gjithë emocion e lezet, si të thuash me gojën plot: Bukë, verë dhe bulmet. Janë lirika si lira, që provojnë se filgrani i brishtë ia del t’u bashkohet shtyllave të ashpra të jetës, për t’u dhuruar qëndisma që kanë shfaqje të bukurisë së pavdekshme.
Ka pyetje që Dritëroit mund t’i bëheshin më parë, por ka dhe të atilla që s’ka përse t’i bëheshin, sepse autori do ta kishte të pamundur t’u jepte përgjigje të kulluara. Duke dashur të hyjë drejtpërdrejt në zemrën e prozës së tij, pyes veten: Cili është sekreti kryesor, mekanizmi i fshehtë që tregimet dhe romanet e Dritëroit e tejkalojnë metodën e kohës kur u shkruan? Si ia doli autori të bënte më finen dhe më të rrezikshmen në vitet kur, prej diktatit politik, shkrimtarët shkruanin të shtrënguar në katrorë të ngushtë, me rregulla më strikte se fusha e shahut? Ndoshta sepse, ashtu si çdo shkrimtar i madh në raport me hesapet që bën arsyeja, sa herë që Dritëroi i është dorëzuar të pavetëdijshmes, intuitës së lindur dhe trillit krijues, na ka dhënë kryevepra. Shihni, kur Leonardo Da Vinçi deshi të jepte masat ideale të trupit njerëzor, në skicën e tij të famshme ai iu referua katrorit. Por një katrori të futur në figurën më simbolike dhe më të harmonishme, atë të rrethit. Diçka të përafërt bëri Dritëroi atëherë. Prej thellësive plot trysni të artistit, ai ua nxori kokën personazheve sipër katrorit kufizues të metodës. A keni gjë për të thënë tani? Thuajeni, i nxiti. Të tjerët, ato që hezitonin para të pamundshmes dhe ulnin kokën, ose i skartoi krejt, ose i la sakat, pra skematikë. Tundimi i fortë për ta pasqyruar në përmasa ideale njeriun e deformuar, ia rriti përmasat edhe krijimtarisë së tij, duke e sjellë deri në ditët tona e deri në ardhmëri, nëpërmjet asaj forcës së mistershme që ka vetëlëvizja e rrathëve koncentrikë. Historia dhe teoria e letërsisë mund ta shpjegojnë këtë zgjidhje komplekse, e cila në dukje disave mund t’u ngjajë lehtësisht e arritshme. Ndoshta atyre që, për arsye moshe, nuk e kanë provuar në kurrizin e tyre. Si dhe ca kapterëve e nëntogerëve të letërsisë që, të alarmuar prej staturës së tyre të vogël, e zvogëlojnë edhe vetë artin, duke qëmtuar gjithandej vetëm çfarë amortizohet. Mirëpo shkrimtarët e mëdhenj, sidomos të mëdhenjtë me xhinde, kështu i kanë ardhur gjithnjë botës: i kanë ardhur sipas epokave, me kulmet e tyre të paaritshme dhe me ca firo të dhimbshme, por të shpjegueshme e të harrueshme.
Me një gjuhë më sociale, e njëjta pyetje mund të shprehet edhe ndryshe: Cili është nukli, prej ku vepra e Dritëroit shpërndan kaq rrezatim dhe përhapje komunitare? Një përgjigje thuajse e kam të gatshme. Është qendra e lëvizshme e rrethit, pikërisht pika ku individi takohet me shoqërinë. Ndodh që në letërsi vlerësimet më të shumta i jepen autorit që ngjan me lexuesin, ashtu si në zgjedhje i jepen kandidatit, i cili ngjan me votuesit. Por edhe këtu Dritëroi i ka shpëtuar kurthit. Duke qenë shkrimtar me kaq popullaritet, megjithatë ai asnjëherë nuk ra në populizëm. Po ashtu siç nuk shkruante vetëm për elitën, ai nuk shkroi as për lexuesin e çfarëdoshëm. Pa e zbritur nivelin e tij për hir “të masivitetit”, Dritëroi aspiroi për ta ngritur shijen e lexuesit në nivelin e letërsisë së mirë. Sepse, tekefundit, një shkrimtar mund të mbetet edhe me një grusht njerëzish, por nëse vetë qëndron nga janë vlerat, prapëseprapë është shumicë. Mirëpo në përhapjen e veprës së Dritëroit kanë ndikuar veçmas faktorët autorialë. Me mënyrat e rrëfimit që zgjidhte, ngjeshjen e subjekteve me ëndrra të denja publike dhe plot ndjesi urgjence, ai ka siguruar njëkohësisht lirinë e leximit, tërheqjen e vetvetishme ndaj tij. E këtu, sigurisht, ka pjesën e vet edhe humori. Por humori i Dritëroit nuk është kokërr, si kripa që të qorron sytë, humori i tij është i tretur gjithandej nëpër çdo libër. Para viteve ’90-të, kur qeveria gabonte, ky lloj “gatimi” mund t’i shërbente edhe si mbrojtje. Por shpjegimi i vërtetë ka bazë më të qëndrueshme e më të gjithkohshme. Duke qenë shkrimtar Njeridashës, vepra e Dritëroit lejon natyrshëm qeshjen, por jo ngërdheshjen, jo përbuzjen dhe urrejtjen. Sepse autori Njeridashës nuk nuk mund të jetë asgjësues ndaj njeriut. Prandaj Dritëroi është shkundës e shkundullues, qortues kokërisur, i thekur dhe i hidhur, madje përvëlues e kurues si speci i kuq në sofrat e tij.
Në rrethe të ndryshme por edhe intervista, përsëritet rëndom një kureshtje që e dëgjohet shpesh: Mjeshtër, si u bëtë shkrimtar dhe cilët patët për model? Sipas meje, Dritëroi u bë shkrimtar duke shkruar, duke kërkuar Uni-n e tij dhe pa imituar askënd. Ai është shembull i individualitetit të fortë që, pasi e gjeti veten shpejt, hyri në hullitë e modernitetit duke i besuar më tepër rezultatit, sesa eksperimentit. Por nëse dikujt i do t’i shkrepte për të pyetur se çfarë mendonte Dritëroi për qenien, natyrën dhe ekzistencën, asgjëkundi s’mund të gjenden më gjerësisht këto mendime, se sa në librat e tij. Dhe nëse ndonjë nopran gjithsesi nuk ndalet, por do të kërkonte të dinte se çfarë është demokracia, atij ashikut tonë të gjuhës së hollë, Dritëroit gjithë furtunë, mund t’i hipte damari prapë. Përveçse strategji për dialog e kompromis, ai mund të përgjigjet edhe me një fjalë të vetme, atë që e tha dhe vulë e la.
Është e vërtetë se, për shumë e shumë vjet, pavarësisht nga mosha e shokëve me të cilët rrinte dhe e dollibashëve me të cilët pinte, midis tyre Dritëroi ndihej gjithnjë më i riu. Por “shtriga” zuzare nuk është si e ëma e Zeqos, që rri pa lëvizur majë thanës. Pleqëria e merr thanën në krah dhe e tërheq pas vetes, duke e çuar kufirin vazhdimisht më larg. Prandaj, tani, e ka hapur rrugën vetë edhe pyetja mizore, ajo që nuk i bën ballë asnjë ego humane, por që për Agollin tonë vjen me kujtesën e një të shtëne topi: Çfarë do të dëshironte Dritëroi i plakut Mere të thuhet për vetë Dritëroin pikërisht sot? Në pamundësi për ta marrë lejen e tij, po marr guximin të jap një version: “Për mua, që aksidentalisht kam shkruar libra, do të desha të thonë: Ai ka kundërshtuar dhe është kundërshtuar, si për të thënë se kam qenë i gjallë mes shumë shpirtrash të vdekur.”
A i shkon portretit të Dritëroit kjo kornizë e fortë dhe kaq e thjeshtë, pa stërhollime e pa xhixha? Nuk është imja. Por nëse e mira nuk arrin gjithnjë tek e drejta, çfarë është e drejtë, pse jo, përqafohet nga të gjithë.
E ndiej, më ka shkarë goja dhe kërkoj ndjesë për gjynahun. Mik i dashtun, na ndodh t’i shohim me sy djemtë e rinj, që në trupin e tyre shkruajnë me bojë gjithëfarë shenjash. Por vjen një moshë, ajo e bilancit, kur gjaku i zemrës i shkruan vetë shenjat e saj. E po të them pra, e kam aty tatuazhin e pashlyeshëm për ty.

0 comments:

Post a Comment