Friday, October 20, 2017

Ymer Nurka: GRYKËSIA

 (fabul)
Një luan, në një vërri,
Tahmaqar i madh na ish.
Në të tijën mbretëri
S’linte kafsh’ të hante mish.
Një ditë, sapo zuri prenë
Qetë-qetë nisi ta hajë.
Kur papritur rreth i venë:
Korba, hiena dhe çakaje.
Mbreti, si vështroi rrotull,
Pa të uritur e përtacë plot.
-E medet -tha -nga ky popull,
Si nuk hëngra rehat dot!
Gjëmëmadhi nga inati
Hungëriu, po askush s’ lëviz.
-Ç’dreqin bëni ! -gojën hapi,
-Po më hipni në kurriz.
E guximshme, një hienë
E vështron Mbretin në sy:
-Ik o Mbret dhe lëre prenë,
Se të hëngrëm edhe ty!
-Ç’është kështu! -thotë Sovrani
Dhe vështroi turmën rrotull:
-Ç’jeni ju që doni t’më hani?
Ja kthen ujku: -Jemi popull.
Jemi kafshë plot uri,
Të gjuajmë s’kemi takat,
Ndaj më mirë do ish që ti
Të lësh prenë e mos e zgjat!
Turma bën të ngushtin rreth
Dhe vështron Mbretin në sy.
Ikën trimi gjithë mllef
Dhe la gjahun po aty.
Qysh atëherë, i gjori Mbret,
Sa herë i lodhur zë një pre
Gjithandej turma e ndjek
Sa s’i zënë më këmbët dhe.
Gjaksorin një ditë në strofull
Të ngordhur ata e gjetën
Kush mbret, të uritur lë një popull
Prej urisë mund të humbë dhe jetën.
Qënie të tilla do të mbeten
Më të mjera, se të mjerët.
Kush mendon veç për vetveten
S’quhet mbret më për të tjerët.
Si mund të quhen vallë mbretër
Zullumqarët me kurorë?!
Kur për simbol kanë diçka tjetër
Plëndës, dhëmbë, thonj e zorrë?!

0 comments:

Post a Comment