Friday, October 6, 2017

Prend BUZHALA: PO NA NDODH EDHE VETIZOLIMI, VETËBOJKOTI


(Çaste shkrimi), 5
A janë shqiptarët kombi më i bojkotuar në Evropë?
Dikur, bojkoti quhej izolim...
E tani, si të dalim nga ky bojkot-izolim?
Pyetjet (shqetësuese) që mund të shtrohen, janë të shumta.
A jemi ne që duam t'u bëjmë bojkot vlerave evropiane?
1.
Në fakt, e vetmja rrugëdalje, është dalja nga ky izolim dhe vetizolim.
Është keq kur bota evropiane na merr si shembull të njerëzve që duan kaos... dhe kudo që shkojnë, shqiptarët edhe merren si shembuj të anarkisë, mosrespektimit të ligjit, dhënies pas veprimeve asociale... tregtisë së drogës, armëve, trafikimit të qenieve njerëzore...
Filozofi e sjelljes sonë qenka përplasja me vetveten...
Duhet falënderuar gjithë ata njerëz, ato rrethe arbërore-shqiptare e ato vlera që i mbajti të pashkëputura lidhjet me Perëndimin, që nuk lejoi humbjen e tërësishme të identitetit tonë historik, pikërisht në kohën e okupimit otoman, i cili na pati shkëputur tërësisht nga ajo me anë të ideologjisë së saj orientale.
Kishim dikë si drejtues shpirtëror...
Sot, sikur nuk kemi drejtues të tillë, se i kemi defaktorizuar. Kemi drejtues (udhëheqje) TË FAKTORIZUAR PA SHPIRT, dmth të dhënë pas çorientimeve, pas interesave tjetërsuese, pas regresit historik, pas interesave personale... materiale; duke harruar se KOMBIN E MBAN NJË SHPIRT, NJË FRYMË E PËRBASHKËT SHPIRTËRORE!
Krijohet përshtypja se në PERËNDIM (në Evropën perëndimore) ne kërkojmë GABIMISHT pjesën tonë të LINDJES, të orientit, të atyre rrënjëve që na u mveshën me pushtuesit... e atje ato rrënjë orientale nuk mund t’i gjejmë...mund t’i gjemë vetëm në ORIENT (PRA, gjithnjë pa dalë prej temës: po flasim për raportet BOJKOT- dalje nga bojkoti)...
2.
Dhe le të mos harrojmë: pavarësia e Kosovës është ai shtegu që na entuziazmoi pa masë e që na dha drejtim kah perëndimi, ndërsa pushtuesit e derisotëm (e argatët e tyre) përpiqen të na mënjanojnë nga ky drejtim!
Sigurisht, te ky orientim evropian, i ka rrënjët mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga shtetet sllave e nga orienti!
Shqiptarët u shkëputën nga orienti, ende pa ikur këndej Perandoria otomane: krijuan alfabetin shqip sipas modelit europerëndimor, hodhën poshtë sheriatin dhe përqafuan bërjen e shoqërisë e të shtetit sipas kushtetutave evropiane, zgjodhën mënyrën evropiane të jetesës, veshjes, zhvillimit... ndarjes së fesë nga shteti.
Është shansi ynë ta shfrytëzojmë këtë KTHIM TË RI kah Evropa... sepse ne i përkasim CIVILIZMIT EVROPIAN. Sado që mund të IKIM nga VETVETJA, nga KY KTHIM i RI, nga rrënjët tona (të ikim diku në ORIENT), megjithatë, e vërteta është po ajo, e pandryshuar, historia është po ajo, civilizimi ynë është po ai...
Evropa ka pasur dhe ka mirëkuptim për shqiptarët.
Por e kemi të zorshme që të dalim edhe nga fushat e vetë-minuara të frustrimeve tona (kolektive).
Por, mos të harrojmë, edhe në Evropë lartësohet emri ynë, vlerat që kemi: që nga kohët ilire, që nga Epoka e Skënderbeut e deri te Nëna Tereze dhe Kadare...
Përbaltjet dhe fyerjet kundër vetvetes, nuk na vijnë nga Evropa, por nga qarqe brendashqiptare.
Për ta mbrojtur një të djeshme gjithë defekte, gjithçka bëjmë që sot të krijojmë sa më shumë mekanizma të ikjes nga vetvetja.
Harta jonë gjendet në Evropë!
Dhe gjendemi në Evropë, në perëndim.
Pra, realitet na është edhe vetizolimi!

0 comments:

Post a Comment