Tuesday, October 24, 2017

Zija Çela: BURRI KURVË


1
Ai e mbante mend mirë, kishte qenë bark jave, e mërkurë. Kur kishte dalë nga shtëpia në mëngjes, kishte marrë me vete çantën e udhëtimit, por shërbimi në Korçë kishte dështuar, sepse titullarit të institutit i kishte vdekur e ëma të mbrëmshmen. Stefan Çurda hëngri drekë në “Drini” me dy kolegë, vajti në varrim dhe pa u fashitur ende zhegu i mbasdites, u kthye në shtëpi. Meqë e shoqja nuk iu përgjigj ziles së portës, ai mendoi se ndoshta po dremiste në dhomën e gjumit dhe, për të mos e trazuar, nxori nga xhepi çelësin e vet. Por nuk i bëri punë, matanë një çelës tjetër ishte futur deri në fund në vrimën e bravës, duke e mbyllur portën nga brenda.
Sapo filloi të shtypte përsëri butonin e ziles, pati parandjenjën se do ta kapte të shoqen në flagrancë dhe, sikur data të kishte ndonjëfarë rëndësie, u kujtua nëse ishte 21 qershor apo 21 korrik. Pastaj duke ndier se po i vërshonte gjaku në kokë, pyeti veten se çfarë do të bënte me dy tradhtarët sapo të hapej, ose sapo ta shkulte portën me gjithë mentesha. Pas pak, kur në korridor u dëgjuan ca pëshpërima të mbytura dhe pllaçurimat si në ujë të këmbëve të zbathura në çimento, ai thirri në tym:
- Elsa, po të jesh duke bërë dush në banjë, nuk kam ndonjë ngutje! Unë po zbres të marr cigare, kthehem pas dhjetë minutash.
Hyri në bufenë poshtë pallatit, mori një arançatë dhe u tërhoq në të mëngjër, që të mund të vëzhgonte çdo lëvizje në atë krah. Nuk vonoi dhe nga shkalla e pallatit pa të dilte Viktor Deliun, që mes shokësh i thoshin shpesh Delone, ngaqë i ngjante disi artistit francez. Ai deshi ta ndalonte, por sapo u bë gati të trokiste në xham, dora i mbeti pezull. E ndoqi me sy teksa tjetri preu mes për mes rrugën, ndezi motoçikletën që e kishte lënë ndanë trotuarit dhe u zhduk.
Kur Stefani u ngjit në katin e tretë, e shoqja kishte lidhur me peshqir kokën e qullur dhe po mblidhte ujërat në dyshemenë e banjës. Atij i vdiq nëna, tha ai. Kujt? pyeti e tronditur Elsa.
- Drejtorit tim, - tha ai. - Më ka kërkuar njeri?
- Viktori, - tha ajo, - pak përpara se të vije ti.
Ai hodhi një sy në dhomën e gjumit, ku dëgjohej ende zukama e lehtë e ventilatorit të vogël me helikë. Megjithatë, ndoshta për shkak të perdeve të trasha në dritare, ajri ishte zabullues, mbante erë djerse e parfumi. Stefani deshi të shtrihej, po krevati dopio iu duk rrëmujë: çarçafi ishte mbledhur në fund të këmbëve, kurse njëri nga jastëkët, kushedi përse, ishte tërhequr në mes të krevatit dhe kishte mbetur aty i shtypur rëndshëm përsipër, me një gropë të atillë që s’mund ta merrje për perimetër të kokës.
Stefan Çurda i tha së shoqes se po dilte dhe se do ta merrte ai të birin në kopsht. Më pas, një fqinj që e kishte takuar udhës, e njoftoi Elsën se Stefani do të flinte nga prindërit.
Në mbrëmje vonë ra zilja e telefonit. Elsa ngriti dorezën dhe dëgjoi një fjalë të vetme: “Kurvë!” Të nesërmen pasdite zilja ra disa herë, por Stefani tani përgjigjej vetë. Që nga aneksi, Elsa e dëgjote si grindej me dikë. Kur e pyeti, me sytë e jeshiluar sikur t’i kishte plasur tëmthi, burri i shfryu asaj: “Dikush thotë për ty: Kurvë!” Në drekë hëngri jashtë, pasdite nuk pranoi të pinte kafen e zakonshme me Elsën, ndërsa në mbrëmje vajti të flinte prapë nga prindërit. Kështu deri të dielën, kur e ftoi të shoqen që drekën ta hanin bashkë në Parkun e Madh.
Po atë ditë, pa u errësuar ende, bënë dashuri në dhomën e gjumit të ajrosur mirë. Në mëngjes dolën së bashku nga shtëpia, madje edhe djalin e çuan së bashku në kopsht. Pas nja dy orësh, meqë Elsa ndodhej në verandë, një shoqe i tha se e kërkonin në telefonin e zyrës. Dikush i foli matanë: “Kurvë!” Asaj iu duk se mbante në dorë një telefon dushi, veçse prej tij nuk kishte dalë ujë, por jargë e pështymë. Duke dashur të shfajësohej për hutimin, iu kthye shoqes: “Ke parë që s’të lënë rehat! Ka nga ata të krisur që të bëjnë komplimente edhe në telefon.”
Ç’është e vërteta, bashkëshortët po kalonin një periudhë të mirë afrimi, ata filluan të bënin dashuri më shpesh, aq sa edhe vetë Stefan Çurda besoi se po dilte nga kriza e gjatë e plogështisë. Në krye të tri javëve, Elsa pati ca dyshime, por iu desh të priste edhe një muaj tjetër që t’i thoshte të shoqit se kishte mbetur shtatzënë. Stefan Çurda pranoi që të abortonte përderisa, siç thoshte vetë Elsa, fëmijën e parë e kishin ende nëpër këmbë.
Ditën që ktheheshin pas abortit, te dera e shtëpisë gjetën një tufë lule dhe një zarf. Si ndodhej aty, nga vinte? Mos e kishte sjellë ndonjë korrier? Në pusullën e zarfit të mbyllur ishte shkruar një fjalë e vetme: “Kurvë!”
Çuditërisht, kësaj here Stefan Çurda e kaloi lehtë incidentin. Ai ia shkeli me çapkënllëk syrin Elsës, duke i thënë se shtatzënia e padëshirueshme nuk do të përsëritej, mbasi gjatë atyre ditëve kishte siguruar njëqind e njëzet prezervativa. “Sa për gjithë jetën, Elsa”, qeshi.
2
Tani edhe punën e tij Stefani e kryente më me qejf. Ashtu si më parë, rrallë i zinte në gojë intrigat e thashethemet e institutit, ndërsa në mbrëmje vonë mblidhej në qoshen e rehatshme të shtëpisë. Sa i përket Viktor Deliut, ai pothuaj nuk përmendej më mes bashkëshortëve. Vetëm Elsa e kishte zënë ngoje njëherë, ndërsa rrinin në kuzhinë, disa ditë pas dasmës së një kushëriri të saj. Në atë dasmë Stefan Çurda ishte treguar në formë dhe i kishte lënë të gjithë pa mend, duke u veshur tebdil si një arixhi endacak dhe duke kërcyer sipas “Vare veten me kollare, o Dino”, që të tjerët e këndonin në kor. Tamam pas asaj dasme, ndodhi të kalonin ca mbrëmje të mërzitshme dhe Elsa, duke e ndier se çfarë mungonte, tha: “Nuk do ta sjellësh Delonen të na rregullojë televizorin? U bënë ditë që s’është më një aparat, po një sënduk rrangullash.” I shoqi doli që ta kërkonte, por kur u kthye, tha se inxhinier Viktorin nuk e kishte gjetur, prandaj kishte marrë teknikun e një pike servisi.
Sa kohë që tekniku u mor me diodat e aparatit, Elsa u mor me kujtimet për Delonen. Për herë të parë, afër pesë vjet të shkuara, e kishte sjellë në shtëpinë e tyre vetë i shoqi dhe ia kishte paraqitur me fjalët: “Elsa, ke përpara një njeri dhe një inxhinier të hatashëm!” Ajo s’kishte pasur nevojë për më shumë, që ta merrte me mend se cili ishte inxhinieri.
Një mbrëmje i shoqi ishte kthyer vonë, i prishur në fytyrë, me një trembje që e kishte dërrmuar. Ai kishte rënë drejt e në krevat, ishte mbledhur kruspull dhe me gjithë lutjet e Elsës, vetëm në të zbardhur kishte pranuar të fliste. E tmerrshme, kishte thënë, ajo që më ndodhi është me të vërtetë një fatalitet, Elsa! Të mbrëmshmen e kishte mbajtur të pinin ndonjë gotë një inxhinier, me të cilin nuk kishte shumë që ishte njohur. Befas, në atë lokal, një i dehur ishte ngritur më këmbë, kishte sharë regjimin dhe kishte qëlluar portretin e Udhëheqësit me gotën plot. Xhami i kornizës ishte thyer, ndërsa fotoja ishte llangosur për ibret. Policia kishte mbërritur menjëherë dhe, bashkë me të dehurin, kishte arrestuar edhe shpurën që e shoqëronte.
Sapo Stefani kishte brofur për t’u larguar, shoku ia kishte zënë krahun: “Shishja ka ende verë. Presim një çikë, nuk ka lezet t’ia mbathim si burracakë.” Por pastaj ia mbathëm të dy, i tregoi se shoqes. Nga frikë se mos policia më ndiqte prapa, kam vrapuar si lepur, Elsa. Më në fund, asaj i erdhi fryma në vend dhe duke dashur t’ia lehtësonte ankthin, u mundua ta kthente në shaka: “Po ti, lepurushi im, ti ç’kishe, përse vrapoje?” “Ehuu”, ia bëri ai, “derisa të provohej se unë nuk isha kalë, vajtën herdhet e mia, m’i trodhën! Kush ka mend në kokë, njeh edhe frikën nga gogoli.” Më paskëtaj Elsa do të kujtohej shpesh për këtë përgjigje, Aq sa do t’i dukej se të shoqin vërtet ia kishin tredhur. Kushedi përse, nga stresi i fortë që kishte përjetuar, Stefan Çurdës iu shfaq një mpirje ndrydhëse, madje edhe një krizë seksi që e detyronte nganjëherë të përdorte gjuhën në krevat, për të mos e lënë të shoqen me shalët e hapura.
Viktorin ose e ftonte herë pas here, ose shkonte në shtëpinë e tij. Në të vërtetë, ai ishte diplomuar në një fushë tjetër, por i vinte ndoresh për elektronikën shtëpiake, aq sa vjehrrës së tij i kishte sajuar vetë një frigorifer. Atë mbrëmje, kur Stefani ia kishte paraqitur së shoqes për herë të parë si “njeri dhe inxhinier të hatashëm”, Viktori ishte kthyer nga Elsa me një buzëqeshje të ndritshme në fytyrë. Pastaj, duke u përkulur me elegancë, i kishte puthur dorën. “Zonjë”, i kishte thënë, “jeni e lutur të mos ia vini veshin burrit tuaj, sepse përcaktimi si i hatashëm kam frikë se do të më mbante larg jush!” Dhe ndonëse edhe në kuzhinë e kishte ruajtur buzëqeshjen, Elsa kishte kuptuar se gjithë ajo dritë në fytyrën tërheqëse, atij i vinte nga sytë. Bashkëshortët e mbajtën mysafirin për darkë dhe ndodhi që po atë mbrëmje, në një stacion të huaj televiziv, panë një film me Alen Delonen. Stefani nuk mund të vinte dorën në zjarr më pas se ku ia zuri veshi për herë të parë që Viktor Deliu të thirrej Delone. E dëgjoi mes shokëve apo nga e shoqja?
3
Kishte rrjedhur kohë nga dita e nxehtë e gushtit, kur drejtorit të institutit i vdiq e ëma, Stefan Çurdës i dështoi shërbimi për në Korçë dhe Elsa bëri dush të nxituar në banjë. Pas abortit, ajo nuk kishte pasur më asnjë telefonatë, as ndonjë pusullë me atë fjalën e vetme: “Kurvë!” Dukej se edhe të shoqit po i vente mbroth. Njëherë, Stefani i tha, e di me cilin je në krevat? Dhe u përgjigj po vetë, je me një shef sektori! Pas një muaji e ngriti pjacën më tej dhe, me të kaluar tre muaj të tjerë, e pyeti si në fillim: E di me cilin je në krevat? Me drejtorin e institutit pra, qeshi ajo. Jo, e befasoi ai, me një drejtor drejtorie në ministri. Dhe mos pandeh se nuk ka edhe më lart. Ai zoti Viktor është me të vërtetë i hatashëm!
Ndoshta këtë të fundit s’ishte e nevojshme t’ia thoshte, sepse Elsa e kishte ndier se marrëdhëniet e tij me Viktorin ishin përtërirë dhe se i shoqi po shfaqte ca ambicie, që më parë sikur s’i kishte pasur. Asaj i vinte mirë, ngaqë mendonte se njeriu dremit pa pasione e pa ambicie. Pra, ka edhe më lart?, pyeti Elsa. Si nuk ka, tha Stefan Çurda. Ai ishte më qejf, zgjati dorën dhe mori në sirtarin e komodinës një prezervativ. S’ke ç’thua, Elsa, me një ombrellë të tillë edhe kryen punë, edhe shpëton pa u lagur! Dhe ndërsa bënte dashuri me të shoqen, sesi i erdhi në mend e tha: “Ai Fishta është i madh, ka frymë luftarake. Naim Frashëri s’është poet i keq, por filozofia e tij nuk nxit ndryshime.” Elsa kishte kohë që nuk e shihte më duke lexuar. Natyrisht, zanati i tij ishte jashtëletrar, por megjithatë Stefani ishte mbajtur gjithmonë si admirues i artit.
Pa u mbushur ende java, një mbrëmje u shtrua një darkë në një rreth të ngushtë miqsh. Ata u mblodhën në shtëpinë e një kolegu, babai i të cilit kishte punuar për vite si parukier dhe, pasi kishte dalë në pension, e kalonte kohën duke u marrë me maska. Kur ia përmendi Elsës këtë hollësi, në çastin që e kishte lajmëruar për darkën dhe vërejti mëdyshje tek ajo, i shoqi e siguroi: “Atje s’do të ketë dyfëtyrësi, vetë zoti Viktor i përbuz maskat.” Elsa pati një gëlltitje dhe iu dëgjuan kërcet e fytit. Ajo po mendonte se, sado e çuditshme të dukej, kujtimi i një njeriu të cilin e ke dashur dhe të ka kënaqur qoftë dhe një herë, të mbetet gjithnjë i patretshëm brenda vetes, si të kesh kapërdirë një rruazë perle.
Në mbrëmje Elsa bëri tualet të lehtë dhe u vesh në mënyrë të tillë, që të mos e ndiente bezdinë e rrobave. Viktori kishte mbërritur atje me të shoqen pak më përpara. Kështu, ajo i shpëtoi bezdisë për t’u ngritur më këmbë kur të hynte ai i hatashmi, radhës për ta takuar, etj. Allias Delonen e gjetën më këmbë në sallon dhe Stefani bëri një shaka pikante:
- Ka kaluar kohë, zoti Viktor, mos lipset t’jua paraqes përsëri gruan time?
- Vërtet, ka kaluar kohë dhe unë e Elsa jemi bërë për t’u puthur. - Ai ia puthi dorën si atëherë dhe, kur të dy po putheshin në faqe, ai pëshpëriti: - Tradhtare, tradhtare!
Pas asaj dite gushti, asnjëherë nuk ishin ndodhur më kaq pranë njëri-tjetrit. Ndoshta Elsa nuk kishte dashur dhe ai nuk e kishte kërkuar. Ata ishin parë ndonjëherë rastësisht, sidomos në qytetin Studenti apo në Sheshin Skënderbej gjatë mitingjeve e demonstratave kundër regjimit të përmbysur, pastaj ajo ia kishte hasur emrin në shtyp, e kishte parë herë-herë në kronika televizive dhe, me të qëlluar, kishte këmbyer ndonjë bisedë të shkurtër me telefon nga shtëpia.
Pas një copë here, në sallonin ku ishte shtruar darka kishte muzikë, tym, avuj alkooli dhe të qeshura. Viktori se përse kishte kundërshtuar njërin nga zotërinjtë deputetë dhe një e dy, përsëriste: “Kur kryqëzohet një zezake me një të bardhë, apo anasjelltas, fëmija që lind nuk është as i bardhë dhe as zezak, por diçka e ndërmjetme, mulat.” Elsës, kushedi përse, i dukej se sapo dëgjonte ato fjalë (Sikur të thuheshin apostafat për të!), të tjerët shihnin vjedhurazi nga ajo. “Nganjëherë është për të vënë duart në kokë me miletin, - fliste me vete. - Atëherë kur shkova me Viktorin, shumëkush mendonte se ne kishin vetëm miqësi, ashtu si tani që nuk shkoj më me atë, këto zonja dhe zotërinj janë të bindur se unë jam dashnorja e tij.” E ndiente se po skuqej, por duke qenë zeshkane nuk dallohej. Pastaj mendoi se kishte vallëzuar disa herë dhe një ndezje në fytyrë ishte e natyrshme. Ajo kishte vallëzuar me të gjithë kavalierët, përveç Viktorit. Dhe po i vinte mirë që nuk ishte ngarkuar me tualet, as me rroba që do ta bezdisnin. Elsa mbante një bluzë të verdhë, të hapur sipër gjinjve, fund të zi prej një cope të trikotuar, çorape të zeza dhe këpucë ngjyrë portokalli, me taka të ulëta. Flokët e gjatë, me një si shndritje vjollce, i rrinin gjysma në një anë të gjoksit, gjysma në shpatullën tjetër. Ndoshta tamam për shkak të flokëve të hapur gërshërë, gruaja e atij deputetit të shëndoshë që kishte ngecur me Viktorin, pa vështruar askënd në sy, kishte thënë: “Dallëndyshe, dëshiron dhe një sqep verë?” Elsa i kishte zgjatur vetiu gotën e boshatisur dhe të gjithë kishin qeshur. Gruaja e deputetit pyeti Viktorin nëse mund ta argumentonte më tej atë të ndërmjetmen, që japin dy ekstremet. A nuk ju duket, zonjë e nderuar, ia ktheu Viktori, se ne po jetojmë tani një gjendje të ndërmjetme, diçka si të thuash mes diktaturës dhe demokracisë? Sepse: diktaturë + demokraci = demokraturë. Hë për hë, ky është mulati ynë, zonjë, dhe do na duhet ende mjaft kohë për të kaluar nga demokratura në demokraci të vërtetë... Por unë harrova që mbeta pa vallëzuar, ma lejoni dallëndyshen tuaj, zonjë? Dhe në çastin që u bënë bashkë për të vallëzuar, Viktori foli përsëri:
- Sa mall kisha për ty, Elsa.
- Edhe unë, - i shpëtoi asaj.
U turbullua në çast dhe ktheu kokën andej-këtej se mos e kishte dëgjuar njeri. Vetëm tri çifte po vallëzonin dhe dikush ia kishte ngritur zërin magnetofonit. Stefani, që ishte ulur mes zonjës së shtëpisë dhe gruas së Viktorit, po merrej me përgatitjen e lotarisë. Elsës iu duk se ishte pakëz i pirë dhe, kur vështrimet e tyre u ndërthurën, s’e kuptoi përse sytë e tij u ftohën. U përpoq të ruante njëfarë largësie me Viktorin dhe ky, duke e ndier turbullimin e saj, ndërroi bisedë.
Vallëzimi zgjati. U ngritën edhe çifte të tjera, damat e kavalierët u këmbyen disa herë dhe, si u shpërndanë numrat e lotarisë, Elsa u gjend përsëri në tryezën e saj, por tani me të shoqin. Deputeti babaxhan e mbajti fjalën. Ai e gjobiti Viktorin me një dolli dhe për të qenë i paanshëm, gjobiti edhe Stefanin për mungesën e gjatë në tryezë. Zakonisht, çdonjërin që gjobiste, e shoqëronte edhe vetë me të njëjtën tarifë, me fund, por duke qenë dërdëng, nuk merrej vesh se në ç’kazan shkonte alkooli që pinte.
Stefan Çurda e pranoi me kënaqësi ftesën që iu bë. Ai u ngrit më këmbë, i ra me pirun një shisheje për të vendosur qetësi e tha:
- E pi këtë gotë për shëndetin e të zotërve të shtëpisë, për të gjithë të pranishmit, për zotin Viktor që... Që është hero! - ia arriti të dilte nga heshtja, e cila sikur e ngurosi disa sekonda. - Delone, të kujtohet, - çalltisi prapë, duke iu drejtuar intimisht, - të kujtohet ç’betejë stoike kemi përballuar?! Tani është e lehtë, zonja e zotërinj, rruga është e shtruar dhe sikur këmbëzbathur të ecësh, s’i hyn kujt një gjemb më këmbë. Madje edhe atëherë, në demonstratën e madhe kur u rrëzua monumenti, e kishte marrë ferra uratën. Por të gjithë e dini se ka qenë një kohë, kur koka e njeriut nuk peshonte as sa një kokë zogu. Dhe pikërisht në atë kohë, ja, ai burri modest që tani ka rrezik t’i ketë dalë nga mendja, i punoi qindin Diktatorit. U bënë ca arrestime në një lokal, por atij as që i luajti qerpiku. Përkundrazi, iu kundërvu policisë dhe desh e grisi foton...
- Tani e teprove, - e ndërpreu Viktori, - e teprove vërtet. Unë pi për shëndetin tuaj, - iu kthye të pranishmëve. - Dhe muzikë, ju lutem!
Elsa kishte ulur kokën e mezi ndjeu se i shoqi po i binte me gju poshtë tryezës. Njëri nga zotërinjtë kishte ardhur ta ftonte për të vallëzuar, por asaj po i vinte mendja rrotull, kushedi përse mblidhte gishtërinjtë në majat e këpucëve dhe nga kafshimi i buzës, i dukej se kishte në gojë një shije të athët gjaku. Ndërsa i shoqi kishte treguar atë ngjarje, që ajo e dinte ndryshe, ishte përpjekur se mos hetonte ndonjë reagim tek gruaja e Viktorit. Por me sa dukej, tjetra as që kishte pasur haber, e dëgjonte për herë të parë tërë sy e veshë, kënaqej dhe admironte burrin.
- Elsa!
Ajo ndju se, poshtë tryezës, goditja me gju e të shoqit po bëhej më e fortë. Sikur e mblodhi veten dhe ngriti kokën. Përpara saj qëndronte Viktori, me krahët gjysmë të hapur dhe atë dritën rrëzëllitëse në fytyrë.
- Prapë? - murmuriti. - Nuk mundem, jam e lodhur.
- Ç’na bëre, pse kështu?! - dëgjoi pëshpërimën e të shoqit në krah.
Në krahun tjetër, zonja e deputetit u mbush me frymë. Në të vërtetë, kundërshtimi i Elsës pati tek ajo një efekt magjik. Derisa ka kaq pushtet sa ta kundërshtojë zotin Viktor në praninë tonë, do të thotë se është dashnorja e tij, mendoi zonja. Nuk ndihesh mirë?, pyeti Elsën. Kam pak marrje mendsh, tha tjetra. Moj qyqe, mos ke mbetur me barrë dhe ende s’e ke kuptuar? Kuçka, foli nën zë Elsa, ndoshta e ka marrë vesh atë abortin e atëhershëm dhe kërkon rast të ma kujtojë. Stefani u ngrit, Elsa e pa duke dalë nga salloni me të zonjën e shtëpisë. Nuk besoj, ia dha përgjigjen me vonesë gruas së deputetit, s’është punë shtatzënie. Asaj i shkoi ndër mend se ndoshta i shoqi po jepte porosi andej që t’i sillnin aspirinë e limonatë. Në shtëpi mjaftonte që Elsa të ankohej për pakëz dhimbje koke, që Stefani t’i këshillonte aspirinë e limonatë.
Ishte një çast qetësie, kur zonja e shtëpisë njoftoi se sapo kishte mbërritur një mysafire e shquar, që e nderonte gostinë e tyre. Ajo doli përsëri nga salloni dhe u kthye me një damë, që e kishte nxjerrë më të djathtë dhe ecte tërë salltanet. “Mbretëresha e mbrëmjes!”, thirri zonja e shtëpisë, duke u hequr mënjanë. Mbretëresha zuri me gishtërinj kindat e fustanit klosh, bëri një përkulje të lehtë dhe u rrotullua, duke përshëndetur të pranishmit. Pastaj, me një palë këpucë të mëdha me taka, lëvizi si mbi susta dhe iu afrua tryezës ballore.
- Zoti Viktor, - foli me një zë disi të këngëzuar, - meqë Elsa ndihej e pamundur dhe e kundërshtoi kërkesën tuaj, dëshironi të vallëzoni me mua?
Njerëzit që deri atë çast ishin stepur, shpërthyen në të qeshura e duartrokitje. Në mes të kukurizmave u dëgjua disa herë kurajimi që i bëhej Viktorit: “Më këmbë, më këmbë, zoti...”, dhe pasonte ofiqi i tij i lartë zyrtar. Ndërkaq, e kishin ndërruar kasetën e magnetofonit dhe pas një introdukti shkundës, buçiti zëri i Tina Tërnerit. Çifti tashmë kishte filluar të vallëzonte. Fytyra e mbretëreshës ishte e mbuluar deri tek goja me një vel të errët, ndërsa nga streha rrethore e kapelës, ku ishin ngjitur ca karfica butaforike, flokët e kuqërremtë i dilnin bukla-bukla ndër faqe dhe mbi qafë. Sipër fustanit me fund të gjerë, ajo kishte veshur një jelek ngjyrë kaki, pa mëngë e të kopsitur deri lart, me një kurbë të fryrë në gjoks për shkak të gjinjve të bëshëm. Kuptohej që veshja nuk ishte aq e qëlluar dhe zonja e deputetit, që po u afrohej të pesëdhjetave, deshi të dinte nga Elsa se ç’ishte ajo modë allasoj. E ndiqni modën?, e pyeti Elsa. Në këtë moshë, u përtyp tjetra, unë... E kisha fjalën për modën politike, tha Elsa dhe ndjeu se kishin filluar t’i digjnin sytë. Unë kam bindjet e mia politike, tha e këndellur zonja, kurse moda pak më intereson. Pastaj, duke parë mbretëreshën që kërcente gjithë ojna, me një këputje të lehtë të belit e tundje nazike të vitheve, shtoi me të psherëtirë: Pa shiko, ç’është kjo damë e çuditshme me këmbët tërë lesh? Është Stefani pra, tha Elsa, Stefani i veshur tebdil. Yt shoq, u pataks tjetra, po ç’djallin i duhet fustani atij?! Elsa ndjeu prapë se sytë po i digjnin dhe për të fshehur lotët, u përkul kinse po rregullonte vijën e çorapeve. Përplasja e shuplakave duke mbajtur ritmin, si dhe hargalisjet dëfryese, i oshëtinin në veshë.
- Kjo Tina Tërner zezake është apo mulate? - pyeti zonja e deputetit.
Elsa s’u përgjigj.
- Ah, moj dallëndyshe, moj zeshkane bukuroshe, - iu qep tjetra, - e sheh se po të vjen rrotull përsëri? Je shtatzënë, të siguroj unë.
- Dhe po të jem?! - pyeti Elsa.
- Nëse je, ku di unë, ti...
- Pse merr mundimin, moj zonjë, - e ndaloi Elsa. - Për një grua, sidoqoftë, është ndryshe. Edhe kopil sikur ta ketë, ajo mund ta heqë shtatzëninë nga barku. Po burrat si ia bëjnë?! Thonë se edhe burri ka mitër, por e ka në kokë. Mitra e tij është truri, ndërsa sperma karrierizmi. Ai nuk pjell dobiça, por bëhet vetë dobiç.
Zonja mbuloi kokën me shami për ta mbajtur të qeshurën. Ndonëse iu duk perverse, u kthye nga babëloku i saj që t’ia tregonte këtë të dobiçit. Por Elsa nuk e dëgjoi, sepse atë çast Stefani po hiqte paruken dhe në sallon brohorisnin. Ajo u ngrit dhe i la fjalë se e priste në oborr, kështu që ata u larguan pa u mbyllur gostia.
- Ajo ngjarja që tregove, - e pyeti rrugës Elsa, - ka ndodhur siç e tregove sonte, apo siç ma pate treguar mua dikur? Domethënë, me ankth e vrapim lepujsh.
- Kështu siç e tregova sonte, - u përgjigj ai hundë e buzë. - Kohët ishin të rrezikshme dhe burri atëherë nuk mund t’i hapej as gruas.
O Zot, mendoi ajo, ky paska filluar ta besojë edhe vetë.
4
Ra zilja e portës, por ata nuk lëvizën, ndoshta u kishin bërë veshët. Ishin shtrirë në krevat dhe Stefani po i thoshte se nuk i kishte pëlqyer sjellja e saj. Kur u puthe me Delonen në korridor, vazhdoi ai, njëri nga të dy diç i pëshpëritët tjetrit. Pastaj çuçurisjet, përskuqja, molisja jote gjatë vallëzimit dhe dora e tij nën flokët e tu... U ngrit, sepse zilja po këmbëngulte. Në korridor dëgjoi zëra prapa portës.
- Ne menduam se ende s’kishit fjetur, - tha dikush, - prandaj erdhëm për lotarinë. Sipas shortit, numrin fitues e keni ju. Kështu, nëse dëshironi, Elsa mund të bëhet sekretare e zotit Viktor.
Në mëngjes, ditën që filloi si sekretare, Stefani e përcolli të shoqen një copë rrugë. Ndihej më qejf, i shkathët e plot shpresa. Duke u ndarë, e përqafoi dhe ia përsëriti urimet. Atë ditë Elsa pati shumë telefonata. Aty nga dreka, një zë mbytës i tha vetëm një fjalë: “Kurvë!”
Si edhe më parë, dyshoi se ishte i shoqi.
Shenim: Botimi i parë në gazetën “Drita”, 14 qershor 1992. Më pas në librat e mi.

0 comments:

Post a Comment