Friday, October 13, 2017

Ramiz Kuqi: NËPËR SPORTELE ME LETRA NË DORË


Brenda bënte ftohtë. Nimja kishte mbështjellë këmbët deri të gjunjtë me një batanie të leshtë dhe , ashtu e kishte zënë gjumi, për disa minuta. – Ke fjetur mirë?,- i tha si me ironi A.
Vetëm sa i mbylla pak sytë. Pashë një ëndërr të bukur.Afër detit u ndal një lundër motorike. Një grua mbante timonin nëpër valë dhe , nga ajo nxirrte bukën e gojës për vete dhe tre fëmijët e saj, tashmë të rritur. Unë isha shtrirë në rërë, ndërsa kokën e mbaja nën çadër. Dielli ishte përcëllues atë ditë korriku. U ngrita në këmbë dhe iu afrova lundrës. Ajo me buzëqeshi ëmbël. Lundra erdhi duke u mbushur me njerëz moshash të ndryshme. Kapitenja Teutë kishte fituar përvojë dhe, ishte shumë e kujdesshme, kur ngrihej lundra mbi valë të dallgëzuara.
Kur doli gjumi, fshiu sytë dhe sërish ndjeu të ftohtë. U mërdhina,- tha. Pse nuk e ndez stufën A.?
Fëmijët kur e dëgjuan këtë fjalë kërkesë, brohoritën me zë, duke u rrokullisur mbi dysheme , me lloj lloj arobacione dhe këngë të mësuara në fillim të vjeshtës me shi.- Duam të ngrohemi afër stufës! Edhe ne u mërdhimë! ,-thanë njëzërit.
Me të dëgjuar lutjen e fëmijëve, A. mori një strajcë konopi dhe doli në oborr, nëpër shi të ftohtë, hapi derën ku ishin paluar drutë verës, i grimcoi disa ashkla, e mbushi deng dhe i futi në stufë. Ato digjeshin ngadalë. Ndoshta edhe stufa kishte harruar zanatin e vjetër. Fëmijët e morën një postiqe deleje , e shtruan afër stufës dhe, kthyen shpinën kundruall zjarrit brumbull bubullimë dhe nisën të këndojnë :” Oj Kosovë, oj nëna ime ...”, si një refren me një zë e ritëm. Kënga ishte e përmallueshme.
Po Teli, një fëmijë me një botë të çuditshme bënte gjithmonë të kundërtën. Ai nuk shoqërohej as në çerdhe me të gjithë fëmijët e moshës së tij. I dukej vetja më i pjekur. Në klasë shoqëroej vetëm me Hansin, një djalë me fytyrë të rrumbullaktë, i lindur nga prindër të bardhë e të zi. Ai kishte trupin e shëndoshë të babait, ndërsa sytë e vetullat nga e ëma.
Kur e ëma e Telit nuk ia plotësonte ndonjë dëshirë, i lëvarej nëpër këmbë si kulpra rrapit dhe , nuk e linte pa e bërë të veten. Nganjëherë të vardisej vetë, për disa çaste e pastaj zhytej në botën e ëndrrave. Para se të binte në gjumë, i kërkonte gjyshes t’ia rrëfejë ndonjë përrallë për lepurin. Ashtu, duke e dëgjuar rrëfimin, luante kokën, mbyllte kapakët e syte dhe i hapte ndërkohë. Gjumi e zinte me një muzikë të lehtë.
Atë natë ra shi . Në mëngjës xhamat e veturave kishin vënë një shtresë të hollë akulli . Paralajmërim se dimri mund të ishte i ashpër. Ashtu, i përgjumur, A. mori një brushë dhe ngadalë hoqi shtresën e akullit , ndezi veturën dhe e la të ndezur për disa minuta.
Nxitoi deri te shkolla për t’i dërguar tre fëmijët, sepse në orën njëmbëdhjetë kishte një termin për një vizë. Si u kthye në shtëpi, mori një çantë, futi dy rekomandime të avokatit , pasaportat dhe doli në rrugë. Autobusi numër 1oo kishte zëvendësuar autobusin 401 . Në stacionin qendror e priste Dema, një djalosh që ishte rropatur për më shumë se shtatë a tetë vjet për të marrë një vizë pune. Kur u ndal autobusi, A. doli nga dera e mesme dhe , në fund të korridorit, ulur në një karrigë e pa Demën, i cili ishte kotur në gjumë. Ndoshta i lodhur nga puna mbrëmë. Iu afrua afër, e preku pak me dorë dhe, për një çast, i trembur, ai u zgjua në këmbë.- Më paska kotur pak gjumi!,- i tha A.- Keni pritur gjatë kohë këtu?
-Jo, jo,-iu përgjegj A. Pritëm disa minuta në udhë. Era e ftohtë frynte me furi.
- Nuk është larg stacioni ku duhet t’i dorëzoni lëndët e përfunduara. Ja , ato shkallë që dukën si të dredhura. Atje kemi qenë një herë bashkërisht. Atje punon Zana nga Gjakova. Është një shqiptare e edukuar. U ndihmon të gjithëve. Bile, si t’i dëgjojë duke llafosur shqip, ngrit kokën lart në sportel dhe ua bën me dorë hallëxhinjve shqiptarë.
- Po, po, e di,- i tha A. Herën e kaluar na shërbeu edhe neve. E shpejtë si rrufeja, e dashur, e ngrohtë. Buzëgaz na priti e na përcolli.
- Kur e ke terminin Demë?- i tha A.
- Hëm, sot e kam ditëlindjen. Hapi telefonin dhe na i shpalosi disa foto gjatë pushimeve verore në Ulqin. Ja, ky është Mai. Djali im që ka mbushur trembëdhjetë muaj. Më ka marrë malli shumë. Më lë shpirti, kur e shoh këtë inçizim . Ja se si kërcen. Nëna ime në pension ka kohë ta mbajë për dore. Ajo i bie dajres, ai vallzon. Terminin e kam më tridhjetë tetor.
Kur e ngrita kokën , pashë se Demës i dridhej buza. Një pikë lot , në vullkan ëndrrash për Main. Besoj se do të vijë shpejt me të ëmën. E di se jeta këtu do të na ngujojë për disa vite. Po jeta e rëndë në Jug nuk na jep shpresë, së paku për një kohë, të gjatë a të shkurtër. Na kanë mbyllur si zogjtë në kafaz. Me gabimet tona, ndoshta , por edhe me indiferencën e të huajve. Ata janë ende zotër atje.
Dema u afrua te sporteli kryesor për të marrë informata. Një burrë i moshuar, hapi dritaren e vogël, i mori dokumentat në dorë dhe , na u drejtua.: Terminin e keni në orën njëmbëdhjetë. Sporteli numër katër.
Si e mori informacionin, A. u ul përballë sportelit për të parë procedurën gjatë dorëzimit të dokumentacionit. Brenda ishte ulur një punëtor trupgjatë, me flokë gjysmë të zeza, mjekërrhollë. Kishte një shikim zhbirues. Kur mbaroi punë me një zezake, thirri nga brenda: A. Drini është në radhë !
A. u ngrit nga vendi, hoqi pallton dhe u afrua ngadalë te sporteli. Ia dorëzoi pasaportën biometrike, në vizë të lëshuar nga i njëjti institucion dhe kartelën e bankës.
-Uluni në karrigë!,- i tha A. Duhet të fotografoheni.- E ke të qartë?
-Po, pohoi me kokë A. Me radhë, në atë ekran televiziv ishin udhëzimet e shkruara.
Pasi bëri fotografimin, vuri gishtin tregues të dorës së djathtë mbi një hapësisrë të kuqe e pastaj gishtin tregues të dorës së majtë. Në fund, në një hapësirë të gjelbër, nënshkrimin. – Për dhjetë ditë do t’u vijnë vizat me postë.- E keni të qartë?
-Po, si urdhëroni, iu përgjegj me një gjuhë të përzier anglisht A. – Ditën e mirë !,- i tha duke u larguar nga sporteli.
Dema i shoqëroi deri Oslo Cyti. Aty ishte parkuar Golfi 4 . Kur e pa Nemdin, u gëzua pamasë. Ai kishte arritur në orën nëntë dhe, për të arritur deri aty, ishte dashur të udhëtojë gati dy orë. Në derë u duk edhe Antoni, një rumun , të cilin A. e njihte që disa vite me radhë. Kishte mësuar edhe ndonjë fjalë shqip.
Oslo, më 12.10.2017

0 comments:

Post a Comment