Wednesday, October 11, 2017

Arqile Gjata: RRETH POEZISË SË FATOS ARAPIT


Gjuha e thjeshtë e poezive të poetit tonë vlonjat, F.Arapi, është gjuha me të cilën poetët shprehin ndjenjat e tyre të fuqishme, si dhe u përgjigjen dëshirave e kërkesave shpirtërore të tyre, pasi ata janë të dashuruar pas këngës popullore, janë të dashuruar me hallet, brengat e gëzimet që një popull i thur në këngët e tij e që mbeten në kohë si relike me vlerë, për ta identifikuar atë, në historinë e përjetshme të tij.
Poezia s’njeh kohë, ajo shkruhet në çdo stinë të jetës letrare! Kufijtë e saj kohore janë forca e brendshme e shpirtit. Për të vërtetuar këtë i referohemi vargjeve të shkruara në kohë të ndryshme nga poeti ynë Fatos Arapi., ku krijimtaria e tij poetike dhe pse në kohë të ndryshme, ndihet e lexohet me pasion e qartë në çdo stinë të jetës . Krijimtarinë e tij e përshkon dhe e pasuron fjala e bukur e qëmtuar me sqimë si pikëza drite nga folklori popullor, e ndjerë, e jetuar dhe e ligjëruar në vargje shpirti.
(Bota e brendshme e autorit, dashuria për jetën dhe poezinë, përbënë atë që ne e quajmë “muzë poetike” ku ndihet lirika e bukurshkruar vargjeve të
Margaritë, moj
“Shoqja ime, moj / me dy sy si nata të mëdhenj, të zinj / me bukurinë tonë të virgjër / vdekjen po ushqejmë / se kjo toke ka ftohtë / mardhi /e ka ngrirë. / Dhe ne biem mbi të, porsi bllaca zjarri, / Futemi nën dhe porsi rrënjë ëndrrash,/ Që të vijë pranvera, që të vijë behari, / Toka përmbi ne e balta të shkrijë,/ ëndrrat te shpërthejnë, si shpërthen bari. / Dashuria jonë / Me dy sy si nata çuditërisht të zesë, / Nga plumbat armike prerë mes për mes / Dashuri e lindur,/ Dashuri e rritur
Nën qiejt e thyer të varfërise shqiptare. / Dashuri tragjike / Për botën e madhe. /
Margarite, moj / Motra ime, moj, / Shoqja ime, moj.”
Këtu tematika ndërthuret me dashurinë për jetën, me dashurinë për lirinë, me dashurinë për shoqen…dhe gjithçka për një jetë më të mirë, e lidhur me luftën dhe përpjekjet e sakrificat për lirinë e atdheut. Figura e trimëreshës Margaritë, bukuria dhe forca shprehëse nëpërmjet kësaj bukurie përfaqëson bukurinë e vajzave shqiptare që luftuan dhe dhanë jetën në momentet më të bukura të jetsë, ia falën rininë Shqipërisë, prandaj autori thotë “dashuri tragjike për botën e madhe”.
Duke shfletuar poezitë e poetit tonë F.Arapi, dallojmë mënyrën e organizimit, leksiku shfaqet me ndikim të theksuar popullor, frazeologjia dhe vargu vjen si një këngë plot ritëm dhe tregonë më së miri se ai është njohës i thellë i folklorit, nga ku merr shtysë ndikimi i poezisë popullore në poezitë e tij lirike. Me bukurinë e vargut, me mjetet artistke shprehëse, me strukturën e tyre të përsosur poetike, me pasurinë e mendimeve e me forcën e gjuhës së brendshme, na bëjnë të shijojmë botën e tij krijuese të ndërtuar me mjeshtëri!
Përgjatë leximit të drejtpërdrejt të vargut poetik në krijimtarinë e F.Arapit, bie në sy përdorimi i mbiemrave shumë të gjetur, foljeve kryesisht në lidhore, Margaritë, moj / Motra ime, moj,/ Shoqja ime, moj; të të ngre, moj, mi peqin; do të kap, moj, mu në mes, etj. si një dozë kompleksiteti për t’i dhënë më tepër pathos poezisë. si dhe tingëllon tejet aktuale për vlerat njerëzore.
Poezia e F.Arapit ajo mbart elementët morfologjike, e bënë më të plotë e të kuptueshëm diskursin e këtij ligjërimi poetik. Përdorimet e përemrave lidhorë, pjesëzave, apostrofit, trajtës së shkurtër, i japin po aq bukuri dhe tonalitet vargut, sa edhe përdorimet e foljeve në kohë e veta të ndryshme, emrave, kallzuesve, mbiemrave e ndajfoljeve, në të cilat gjejnë terren të përshtatshëm sepse këto lidhje vijnë natyrshëm në fjali, për të arritur atë mesazh fort të këndshëm e gazmor në poezitë e poetit.
Përemrat lidhorë përbëjnë të veçatën tek poezit e tij. Fenomeni i Polisisidentit, ose, siç quhet më thjeshtë, grumbullimi i lidhëzave dhe i përemrave lidhor në një fjali, përbëjnë vlerë NË POEZINË e F.Arapit dhe i japin vargut ngopjen e duhur estetike. Ato krijojnë efektin e ndryshimeve sasiore dhe cilësore në ligjërim.
Siç dihet, lidhëzat dhe përemrat lidhorë janë fjalë të pandryshueshme, që shërbejnë për të lidhur fjalë, grupe fjalësh, ose fjali midis tyre. Një ndikim të tillë e ritheksoj për faktin se, roli i përemrave lidhorë dhe lidhëzave në përgjithësi në këtë krijimtari poetike, si një fenomen i përhershëm dhe i përdorur me mjeshtëri estetike nga autori, i jep poezisë më shumë dinamizëm, koloritin befasues, kontekste prekse dhe mendim të thellë poezive, nuancë ngjyruese,
Stili është tejet popullor me individualitete të spikatura. Gjuha është e thjeshtë por e ndjerë, dhe e përzgjedhur bukur e me forcë shprehëse, e cila na jep një tablo interesante e të vërtetë, të jetuar, të bukur, të ndjerë shpirterisht. Rima shpesh formohet nga mbiemra: i arratisur – e qëndisur; nga folje: ndez – vdes; zgjatet – matet; nga emra: mërzia – dashuria, fytyrë – ngjyrë, etj., e vazhdon:
Ti do të më dashurosh patjetër
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,
Ti do të më dashurosh patjetër!
Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?
Ti do t'më dashurosh patjetër.
Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërcej jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:
Ti do t'më dashurosh patjetër!
Këtu vihet re se ”Uni” lirik është i fuqishëm, i pazgjidhshëm, krenar, me frymëzim dhe i dallueshëm
Ndikimi i folklorit në poezinë e F.Arapit shihet si më pranë poezisë moderne, si një përkushtim, i trajtuar dhe i realizuar në mënyrën e vet, për nga struktura e vargëzimit.
Elementët stilistikë zgjerojnë marrëdhëniet e fjalëve dhe përftohen më shumë ngjyrime semantike kuptimore. Është organizimi i tyre i të shprehurit për të dhënë figuracionin domethënës; është organizimi i vargut, rimës, ku figuracioni dhe natyrshmëria e të shprehurit marrin ngjyrimet poetike e i dallon nga njëri-tjetri! Në këtë rast autori (poeti), rrëfen duke u nisur nga ajo, çka zhvillohet në mendjen e personazhit, (p.sh. të së dashurës), ku ndjenjat dhe mendimet i kaplojnë dhe i forcojnë me madhështi gjithë tiparet e formave, ndodh ajo që e quajmë: “gjysma më e mirë e vetes” të cilën e gjejmë të personalizuar me figura të përzgjedhura nga bota ku jetojmë.
Të tilla vargje si më poshtë i bëjnë më të dallueshme ngjyrimet kuptimore semantike, nga ku vijmë në përfundime të tilla se fraza, shprehje të ndryshme, njësi frazeologjike kombinojnë leksikun morfologjikisht e sintaksisht, në mënyrë estetike e artistike, për të sjellë perla të vërteta me vlera të një letërsie lirike të mbështetur fort në vlerat folklorike kombëtare të popullit tone, e vecanrisht në ato të trevave të Laberisë.

Çast buzë jonit
Dhe vargjet erdhën me ritme të kaltra
Nër degë të tyre figurat e gjelbra
Çelin - si gjethet nëpër portokalle.
Nën degëza vargjesh fëshfërijnë figurat,
Si mbrëmjes Jonit fletësat e ullinjve.
E mbusha gojën me erëra të Jonit,
Ndjej nëpër dhëmbë kokrizat e jodit,
Shoh se si thyhen mirazhet mes valësh,
Se si thërmohen përflakjet mes gurësh...
Dhe jam i tëri
grimca dritaresh e ngjyrash.

Në poezinë e F. Arapit ndihet forca e metaforës dhe figuracioni poetik me vargje të rregullta e të rimuara! (poezia “Ti do më dashurosh patjetër, ose “Margaritë moj”). Në krijimtarinë poetike të tre poetëve, vargjet e tyre janë “britma” dashurie! Aty gjejmë shumë elementë të përbashkët ndikues. Një nga këto është pyetja retorike, e cila shpesh shfaqet si element dhe veçori e lirikës!
Pyetjet retorike janë trope-t më shprehëse që përdoren me shumicë në dobi të efekteve emocionalë. Ato s’kanë nevojë për përgjigje. Brenda pyetjes përgjigja qëndron e fshehur dhe e kuptueshme:
F.Arapi
“Në sytë e tu diej të vegjël / e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër? / Ti do t'më dashurosh patjetër”
“Ti do vish, e dashur, si s’do vish? / Kur e di që unë po të mundnja,
rreth vetvetes rruzullin do vërtitnja / si një portokall’ në dorën time-
të rrjedhë koha shpejt / e ti të vish…”
Të paharruara kanë mbetur vargjet e poetit Arapi:
”Hej, vend! / Plot diell e pa dritë / Pagan dhe fron për perënditë / Jetojmë nër male të lartë / Ku qiellln me dorë mund të zëmë / Dhe prapë: / Në ç'humnera kemi rënë!”.
Ose
“Lamtumirë /koha që shkoj / jam një copëz pejsazhi nga vendi im.”
“I vogël, me pantallona të shkurtëra / me këmbë të zbathura e një këmishë humaje / që e qepte vetë gjyshja.
“Ashtu darkë për darkë dilja në breg / Ndër gishtërinj të këmbës së ftohtë më rridhte rëra / Unë prisja me orë të tëra/ gjersa përnjëherësh / tutje nëpër fushat e gjera të natës ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta / kuajsh të bardhë /… / të cilët hingëllinin në fushën e gjerë të natës …dhe suleshin nëpër fortunë ... Dhe tani, kudo që jam / ashtu fantastik e i madhërishëm, më ndjek pas deti”.
Elementet e natyrës i gjejmë kudo, ndër këto poezi. Jo vetëm si pjesë e jetës, por edhe si elemente simbolike, ato paraqesin kontekste nga jeta njerëzore për të treguar qëndresën, besnikërinë, zgjuarsinë, e mbi të gjitha të lidhura ngushtë me dashurinë njerëzore, me vete jetën, duke i dhënë rrëfenjës poetike, dramaticitetin dhe realitetin e kohës.
Në poezinë e F.Arapit, është e dukshme vëmendja ndaj përzgjedhjes së leksikut. Ai ka leksikun e tij që i dallon më së miri nga poetët e tjerë, ku në çdo strofë e poezi, gjen aty njëherazi përdorime morfologjikisht të zgjedhura emrash, mbiemrash, foljesh, përemrash, lidhëzash, parafjalësh, ndajfoljesh etj., ku denduria e përdorimit të tyre shfaqet si shprehje e individualizmit dhe e veçantisë. Domethënia, semantika, kuptueshmëria dhe çka synon fraza përbëjnë hapësira dhe dimensione në krijimtarinë e këtij poeti.
Ti do vish
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se unë ty të pres
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet mbrëmjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet pritjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetmisë
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di qëe unë po të mundnja,
rreth vetvetes rruzullin do vërtitnja
si një portokall’ në dorën time-
të rrjedhë koha shpejt
…………e ti të vish
Si përfundim do të thosha se:
Gjerësia dhe moskufizimi me shprehje popullore e frazeologjike, një liri poetike e lakmueshme ku ndërthuret qartazi nën këndvështrimin: “frazelogji-gjuhë poetike-individualitet krijues”.
Tipar dallues është zgjerimi dhe shtimi i vazhdueshëm i kuptimisë që ka çdo fjalë e tij- (nënkupto vargun).
Poeti i kanë dhënë parësi kushtit barazfuqi teorike të fjalës poetike.
Trekëndëshi i mësipërm është një pllajë ku lëviz trashëgimia gjuhësore e shoqërisë.
Po kështu dhe leksiku i përdorur prej tij është në funksion të botës shpirtërore e materiale të Labërisë.
Ato janë me vlera semantike dhe me ngjyresë krahinore, emocionale dhe shpirtërore.
Frazeologjia e tij shquhet për përmbajtje të gjerë, për figuracionin dhe për ngjyrim të fortë emocionues.
Në gjithë krijimtarinë krijuese në veprat e poetit tonë të madh F.Arapi frazelogjia përbënë vlerë shumë të madhe në veprën e tij madhore poetike, që natyrisht ka vend për tu studjuar më në thellësi!

0 comments:

Post a Comment