Monday, October 2, 2017

Prend BUZHALA: NUK KE KUJT T'I KËRKOSH RRËFIME PËR MËKAT

(Letrat e tetorit, ese), 1
Sigurisht, që ka artikulim ironik thënia e mëposhtme: "Në një shoqëri të mbyllur, ku gjithkush është fajtor, krimi i vetëm është nëse të zënë (në veprën e krimit). Në një botë të hajdutëve, mëkati i fundit është budallallëku." (Hunter S. Thompson).
1.
Tek Ungjilli Sipas Gjonit (8,9), jepet shembulli i një veprimi të ndërgjegjshëm, në fakt të një ndryshimi rrënjësor, revolucionar, të qëndrimit të ndërgjegjes. Ka të bëjë me faktin e një prerjeje epokale: nëse Ligji i Moisiut thoshte se duhet të vriten me gur ato gra që janë kapur në flagrancë, duke shkelur kurorën; Jezusi e thotë dhe e bën të kundërtën. Vijnë farisenjtë dhe skribët, që ia prunë një grua që ishte zënë duke shkelur kurorën ... për ta vënë provë Jezusin. Ndërkohë që ky Jezus po vazhdonte të shkruante me gisht në rërë, u drejtohet farisenjve dhe skribëve. " 'Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj!''... Dhe mu këtu ndodh VEPRIMI I NDËRGJEGJSHËM EPOKAL: "Atëherë ata, e dëgjuan këtë dhe të bindur nga ndërgjegjja, u larguan një nga një, duke filluar nga më të vjetrit e deri te të fundit; kështu Jezusi mbeti vetëm me atë grua, që qëndronte atje në mes." E pra, Jezusi arriti ta ndryshojë NDËRGJEGJEN E PËRBASHKËT SHOQËRORE - te gjuajtjes me gur, një veprim që deri atëherë konsiderohej jashtë ligjit, po qe se veprohej ndryshe.
2.
Kjo parabolë biblike na shtyn të mendojmë që edhe shoqëria jonë ka nevojë për një QËNDRIM TË NDRYSHIMIT TË NDËRGJEGJES, jo sipas mendësisë së kaluar (kur shteti konsiderohej i huaj, i pushtuesve dhe ne silleshim me të ose në mënyrë servile: sipas normave dhe shprehive të pushtuesit, padrejtësisë; ose duke e luftuar atë ndërgjegje pushtuese shoqërore e shtetërore). Do të thotë se ekzistonte NDËRGJEGJA SERVILE ndaj pushtuesit (padrejtësisë) dhe ajo E REVOLTËS (E PADËGJUERSHMËRISË QYTETARE) që rezultoi së fundmi me lirinë e Kosovës. Fatmirtësisht, kanë ndryshuar rrethanat, por fatkeqësisht jo edhe normat dhe shprehitë e përparshme: servilizmi prodhoi trajta të reja të sjelljes kundër shtetit, kurse shpirti i djeshëm kryengritës u transformua në një moral individualist të përfitimeve personale.
Porse ndërgjegjja ndryshon nga koha në kohë. Kërkohet që kjo ndërgjegje shoqërore jo vetëm të zgjerohet, por edhe të zgjohet... që Kosova të konsiderohet SHTET YNI .
"Gënjeshtra është një mëkat shkatërrues për shoqërinë, sepse nuk ka asnjë tregti, ku nuk ka besim, dhe nuk ka besim ku nuk ka të vërtetë. (WELLINS CALCOTT, Mendime morale dhe hyjnore).
"Fjalët e rreme nuk janë tjetër veçse e keqja në vetvete, por ato infektojnë shpirtin me të ligën." (Platoni, Phaedo
3.
(Fragmente vargjesh personale):
Jezusi nuk është këtu t'i qortojë gurëhedhësit kundër Njeriut Mëkatar.
Nuk ke kujt t'i kërkosh rrëfime për mëkat.
Secili shihet sy më sy me mëkatin e tij a me fatkeqësinë e vet.
Sa herë shkel gjëra të ndaluara, diçka e kalbur vdes brenda teje.
E, të gjitha sekretet ia beson Mëkatit si mikut më të mirë:
çmenduritë dhe marrëzitë tua. E Mëkati mërzitet nga ti,
Çmendet përse nuk i hap rrugë të fitojë.

0 comments:

Post a Comment