Thursday, October 26, 2017

Zija Çela: ENGJËJT


Alarmi u dha njëherësh edhe në Mamac, edhe në Barabi. Të gatshëm si çdo ditë, gjahtarët rrëmbyen çiftet dhe vrapuan drejt fushës për të qëlluar, por atje ndaluan të stepur. Armët u ngrinë në dorë: sipër nuk po shihnin as laraska, as mëllenja, as pëllumba të butë. Përmbi kokat e tyre fluturonin engjëj. Po, engjëj të njëmendtë, të njomë e të bukur, me flatrat e brishta që u ndrisnin në diellin mëngjesor. Veçse në harenë e pastër, për çudinë e gjahtarëve, ata nxirrnin ca zëtha që të kujtonin të qeshurën e njeriut.
Por nga vinin? Dhe si ishin shfaqur aq papritur në qiellin e zbrazët të Fushës së Kungujve?
Pikërisht në këtë fushë, prej kohësh shumë të moçme, thuhej se Zoti kishte ujdisur njerëzit e parë, që do të popullonin njëmbëdhjetë vendbanimet rreth e rrotull. Providenca e kishte marrë vendimin: secili do të mbetej kurdoherë më pak se një qytet, por gjithnjë më tepër se një fshat, ndërsa vetëm katër prej tyre do të njiheshin në të gjithë krahinën si Katër Fuqitë e Mëdha. Ç’është e vërteta, pasi të kalonin qindra vjet, asnjë nga pasardhësit nuk do të dyshonte se të gjithë stërgjyshërit e tyre ishin krijuar në të njëjtën fushë dhe të njëjtën ditë. Madje, për nga radha, ata pranonin se të parët kishin qenë banorët e Malashtit. Por renditja ngjallte sherr të madh për fundin. Mbas Skuterrës, që shqiptohej edhe Skëterrë, mbas Likenit e Dardhaliut, banorëve të Pashkasheshit, të Bardhgolemit, të Gjinucit dhe të tjerë, cilët kishin qenë vrima e fundit e kavallit? Troç, kruajtja e kazanit?
Sipas gojëdhënës për zanafillën, që në ato vise besohet edhe sot e gjithë ditën, Zoti i kishte shtrirë krijesat e veta në fushë varg e varg, krejt cullakë dhe me kapakun e kokës të hapur. Një kazan i lartë, plot me tru, mbartej andej-këtej midis rreshtave. Të caktuarit me punë mbushnin nga një garuzhdë me brumin peltor dhe, mbasi ia vendosnin secilit në kokë, ia mbyllnin kafkën si të ishte ndonjë kuti. Megjithëse puna kishte nisur në të zbardhur, tërë paraditen vazhdoi pa ndërprerje.
Aty nga dreka, i çuan fjalë Zotit se tashmë ishin krijuar nëntë palë njerëzish për nëntë vendbanime, por ende jo për ata që do të jetonin në dy vendbanimet më të afërta, ballë për ballë me njëri-tjetrin. Erdhi përgjigjja që trutë e mbetura në kazan të përziheshin me kunguj. Edhe pse u habitën disi, të caktuarit me punë e zbatuan porosinë. Por pa kaluar ora, u vunë përsëri në zor: ata njoftuan se kazani po zbrazej, sepse edhe trutë e përziera me kunguj po mbaroheshin. Atëherë Zoti urdhëroi që të tjerëve t’ua mbushnin kokën vetëm me kunguj. E bash në këtë pikë haste sharra në gozhdë: Cilët ishin trukungujt, banorët e Barabisë apo të Mamacit?
Që nga ajo kohë, tërë rrafshinës me shkurre e zaje i mbeti emri Fusha e Kungujve. Dy vendbanimet përkundruall kurrë s’i pushuan mëritë dhe akuzat e ndërsjellta, derisa një ditë mamacianët ndërprenë çdo lidhje me ata të Barabisë apo të Barbarisë, siç ua shtrembëronin emrin me kast. Se ç’bëhej përtej, në anën tjetër të fushës, në Mamac as që donin t’ia dinin. Ndryshe nga barabiasit, që i njihnin mirë llojet e kungujve, i mbillnin në kopshte dhe i hanin me neps, mamacianët as që e vinin kungullin në gojë, duke dashur të dëshmonin kështu pastërtinë e origjinës së tyre. Dhe me këtë rast shfrenin: “Përderisa kundërshtarët tanë e përlajnë kungullin si buajt, madje edhe farat i pjekin në tepsi, do të thotë se trukungujt janë ata!” Megjithatë, ky argument nuk mjaftonte për t’i qetësuar përfundimisht. Prandaj, kur një mamaciani i afrohej vdekja dhe të tjerët i luteshin që të shprehte dëshirën e fundit, ai shpesh kërkonte ta kthenin me fytyrë nga Barabia. Dhe duke vështruar andej, ankohej plot brengë: “Ah, si po largohem nga kjo botë, pa e marrë vesh mirë se kush janë trukungujt! Prej pengut të thellë, as dheu s’ka për të më tretur.”
S’do mend, pengu i të vdekurve e rriste më tepër padurimin dhe zemëratën e të gjallëve. Erdhi një ditë që, mbasi tokën e kishin ndarë me kufij (asnjë barabiasi nuk i lejohej të shkelte në Mamac, kurse çdo mamacian shpallej tradhtar po të shkonte në Barabi), vendosën që ta ndanin në mes edhe qiellin.
Dhe siç thanë, ashtu bënë. Por u doli punë me shpendët. E ku dinin krahët e pupacit se ç’ishte inati i Mamacit?! Nga ta merrte vesh kumria se ku e kishte sinorin Barabia?! Sidoqoftë, betejat me shpendët i nisën të parët mamacianët. Gjahtarët vigjëlonin nëpër fushë dhe çdo fluturak që vinte nga ana tjetër, e prisnin me çiften ngrehur. Bllokadës së tyre ajrore iu përgjigjën edhe barabiasit. Në këtë gjah, ku vriteshin grifsha, laraska, harabela, gushkuqë e kryeartëza, s’u përjashtuan as dallëndyshet. Sa më shumë rritej kërdia kundër shpendëve, aq më tepër po shfaqeshin shenjat e një sëmundjeje të habitshme te njerëzit. Ishte një epidemi e padëgjuar më parë, një lëngatë që zinte vetëm foshnjat dhe shoqërohej me zjarrmi, por sidomos me dhimbje e përskuqje në pjesën e brinjëve. Mjekët e Mamacit u dërguan telegrame mjekëve të Barabisë. Morën përgjigje se, edhe matanë, vocërrakët kishin të njëjtat shenja lëngate. Por megjithëse lajmi ishte ogurzi, burrat nuk i ulën armët.
Pak nga pak, qielli përmbi fushë po shkretohej. Nuk mbetën më puplorë, përveçse pëllumbave të butë. Kur nisën ta kalonin kufirin edhe ata, gjahtarët ishin bërë aq të pashpirtë, sa nuk ua kursenin saçmat, por i kositnin në ajër. Të kapur në befasi, thua se i mahniste pabesia e njeriut, pëllumbat mblidhnin krahët në çast dhe, krejt të përgjakur, plandoseshin drejt tokës si shtëllunga flake. Ndërkaq edhe ethet përparonin dhe zjarrmia, që vinte duke u rritur me ngulm, e ndezi përskuqjen e foshnjave.
Alarmi u dha njëherësh edhe në Mamac, edhe në Barabi. Të gatshëm si çdo ditë, gjahtarët rrëmbyen çiftet dhe vrapuan drejt fushës për të qëlluar, por atje ndaluan të stepur. Armët u ngrinë në dorë: sipër nuk po shihnin as laraska, as kumri. Nuk ishin as pëllumba të butë, sepse gjithë shpezëria, e llahtarisur nga mungesa e mëshirës, kishte marrë përgjithmonë arratinë. Përmbi kokat e tyre fluturonin engjëj. Po, engjëj të njëmendtë, të njomë e të bukur, me flatrat e brishta që u ndrisnin në diellin mëngjesor.
Veçse në harenë e pastër, për çudinë e gjahtarëve, ata vazhdonin të nxirrnin ca zëtha gazmorë, që ta çatrafilonin zemrën. Të shtangur e të nemitur, në fillim gjahtarët pandehën se vinin nga qielli. Por pandehma doli e gabuar, pasi nuk zbrisnin nga lartësitë. Përkundrazi, i përkisnin mbretërisë së tokës dhe vinin pikërisht nga Mamaci e Barabia. Pas atyre shenjave të çuditshme, me ethe, zjarrmi e dhimbje në pjesën e brinjëve, foshnjave u kishin dalë flatra. Vocërrakët ishin bërë engjëj dhe tani fluturonin së bashku, duke e kapërcyer lirisht, këtej dhe andej, kufirin e Fushës së Kungujve. Ndoshta jo më kot gazmimi i tyre të kujtonte të qeshurën e pafajshme, atë të qeshurën që është aq e çiltër dhe tejçuese, sa i jep tingull edhe ajrit. (1997)
Nga libri “Princi i buzëqeshjes”

0 comments:

Post a Comment