Thursday, October 5, 2017

Ramiz Kuqi : ME MIQTË, NDAJE FJALËN


Seç më kishte marrë malli për një kafe me miqtë e fjalës. E këtu, ata janë të rrallë. Jo pse nuk ka. Po rrinë të heshtur dhe , ashtu e vrasin vjeshtën në vetmi.
Ishte mëngjes kur A. e thirri miku Tahir.- Na ka grishur Farkatari për të pirë kafe. Do të vish me ne?
-Po, po-, i tha A. Bile pa u hamendur fare.
- Takohemi në orën 15. 3o minuta !,- i tha në një formë të prerë, miku i tij i viteve në mërgim.
- Do të vij!,- miku Tahir.
Pas pak, A. vajti në shitore për të blerë një bukë. Shiu kishte pushuar, por era e ftohtë të përplasej në fytyrë e duart ndjenin të ftohur. Dimri po trokiste më herët se vitin që iku. Maje malësh, kur bëri të kapërcejë udhën drejt shtëpisë, pa se ishin zbardhuar, në maje.Eci me hapa të shpejtë.Hapi derën e shtëpisë, e la bukën mbi frigorifer dhe sërish u nis për të njëjtën udhë. Pastaj nxitoi drejt shitoreve të tekstilit, i ra rreth e qark ndërtesës dhe u gjend në parkingun ku Tahiri e parkonte veturën e tij të vogël e shumë simpatike. Nga larg e pa veturën e parkuar dhe Tahirin, i cili kishte nxjerrë njerën këmbë jashtë dhe dukej pak nevrik.- Po sa kohë do të presim na në parking?- iu drejtua A, si me shaka.
- Ja sa erdha. Unë të prita në orën 15. 30 minuta të vendi i takimit tonë. Po ti më shkrove se udha është e ngarkuar dhe kolona është e gjatë. Ndoshta ka ndodhur ndonjë aksident rrugor.
- Ashtu ishte. Po ndërkohë sikur u lirua, si qielli kur shpërndahen retë. Po na pret Farktatari të lokali, atje matanë urës.Futu mrenda !
Pa një pa dy, pa e bërë asnjë fjalë. A. u fut në veturë. Rruga ishte e hapur dhe ngasësi me përvojë bëntë edhe tejkalime të shpeshta.
- Mos nxito, miku Tahir ! Gjobat janë të rënda...
- E di unë ku duhet të kapërcejë vijat. Kam respekt . Madje asnjëherë, për kaq vite sa jam në mërgim, nuk bëra asnjë shkelje në trafik.
Kur kaluan nën urë, Tahiri dha shenjë në anën e majtë, drejt parkingut të stërmbushur me vetura. Sa kishte përfunduar orari i punës dhe njerëzit aty ndaleshin shpesh për të ngritur ndonjë gotë me verë ose për të pirë ndonjë kafe aziatike.- Ç'bëre paradite A.?- iu dha , ashtu papritur , si të kishte rënë ndonjë tingull pianoje mbi piano. Kjo pyetje e zu disi ngushtë A. Për një çast u mendua
-Aha, po , kam një tregim për redaktim që disa ditë, por për çudi, nganjëherë as nuk mund të shkruaj, as nuk mund të bëj ndonjë redaktim..Thjesht, kur më mungon inspirimi, ndjehem shumë i varfër. Nuk më shkoi as këtyre ditëve të shkruaj asgjë me vlerë. Kështu e ka shkrimi, -Ju zogjtë e natës jeni të çuditshëm, apo jo?
- Hëm, ashtu është. Ëndrrat na përplasin edhe andej nga nuk duam.
- Të zbresim, atëherë. Futuni ju brenda. Farkatarin do ta gjeni në fund , atje nga dritarja ku është një lule. Ai e do atë hapësirë atje. Ku di unë. Ndoshta ka edhe ndonjë kujtim..Mbase kush mund ta dijë!
- Po , po, atje qenka. Farkatari ishte ulur përballë dritares , me kokën kthyer nga lulja..Sikur mërmëronte diçka. M'u duk se fliste me veten a me lulen ? Sapo na pa, u ngrit në këmbë, buzëgaz qeshi e na i shtrëngoi duart miqësisht.
- Na ke humbur,- i tha A.
- Jo, në mendje ju kam çdo herë. Po kisha një operacion të vogël të syrit. Për një çast m'u errësua të pamurit. Pastaj vajta atje..Tash jam mirë. Kam bërë një pushim që tri javë.
- Po si ore nuk na ke treguar fare?- i tha si i shqetësuar Tahiri.
- Nuk deshta të ju ngarkoj.
- Mos ke parë ndonjë sy të bukur e ta ka marrë të pamurit për një çast,- e pyeti si me shaka A. ,për ta larguar pak nga ajo ditë dhe orë, jo shumë e këndshme.
- Hëm, sikur të ishte ashtu,- iu përgjigj me butësi Farkatari. Janë gjëra që ndodhin në jetë .Por jam mirë tash. Drita e syrit është si më parë. Pas disa ditësh, do të dal në punë.
Kur mbaruan kafetë, dolën nga lokali dhe secili u nis për folenë e vet. Me kujtimin më të mirë, për një ditë të lumtur, me miqtë e fjalës, zogjtë e shpërndarë në këtë vend nordik.
Nata ishte e ftohtë .A. u fut në dhomën e rrëfimit dhe shkroi disa rreshta tregimi. Një tregim i gjatë që sa po kishte nisur ta shkruante.
Oslo, më 4.10.2017

0 comments:

Post a Comment