Tuesday, October 17, 2017

Prend BUZHALA: BARBAROGJENIU SERB DHE FOBITË TONË NARCISOIDE


(Ese i rishkruar nga viti 2014)
Kur lexojmë kaq shumë artikuj ndër ne (për racën tonë të pastër) dhe paraqitje se si ne nuk duhet të pranojmë gjithçka nga civilizimi perëndimor i ndyrë, kjo më ngjet në lëvizjen serbe që prej vititi 1924 e këndej: Kulti i Shkatërrrimit, Kulti i BARBAROGJENIUT SERB për shkatërrimin e Evropës së ndyrë, për pastrimin e saj, mbasi vetëm barbarogjeniu serb mund ta bëjë këtë.
Një këso ideologjie të pastërtisë (racore) evropiane e pati nisur nazifashizmi dhe përfundoi aty ku e ka vendin, mu ashtu si përfundoi dhe lufta e tillë e Serbisë kundër të gjithë popujve nën ish Jugosllavinë...
Po sot, ne, ç'duam me teoriçka të tilla?
1.
Gjatë atyre viteve, dmth të viteve '70, Barbarogjeniu intelektual serb e thoshte hapur, se intelektuali i tillë serb e përfaqëson popullin më të urtë, më të lashtë e më të drejtë në botë, kurse civilizimi është një pengesë dhe barrë për ta shfaqur "barbarogjeninë" e vet (një trajtë e narcizmit kolektiv). Por sipas reagimeve të një lagje intelektualësh të tjerë serbë, që kërkonin çlirim nga kjo mendësi, këta barbarogjenë narcisoidë përbënin regresin civilizues, shpirtin fisnor, primitiv, që nuk pranon masën e vlerave të huaja, evropiane, botërore... Barbarogjenia, si filozofi serbe, nisi dhe luftërat nën ish-Jugosllavi. Po kjo barbarogjeni, edhe sot, nxit sherre e konflikte, nëpërmes aleates së saj kryesore, Rusisë...Ndër të tjera, ata barbarogjenë e zhvillonin dhe Kultin e Fyerjes së kundërshtarit, pa zgjedhur fjalë e shprehje nga më barbaret.
Kjo ideologji frymëzoi edhe krajlët serbë të atyre viteve: se Serbisë nuk i duhen demokracia, as programet partiake, por udhëheqësit e fortë e të guximshëm, të cilëve u beson populli. Ata nuk duhet të besojnë në vlerat humane, as në ato demokratike apo evropiane të "Evropës kurvë" (shprehjen "Evropa kurvë" e krijuan si moto rusomëdhenjtë e shekullit XIX), por duhet të besojnë në vlerat e trimërisë tradicionale serbe. Dhe ata madhëronin traditat epike të hajdukërisë sllave (cubave trima e cubnisë), kurse paraqitjet e intelektualëve serbë kishin të bënin kryesisht me urrejtjen kundër civlizimit europerëndimor.
2.
Më kujtohet, kur lexoja, gjatë viteve '70, në kohën e liberalizmit jugosllav, shkrime e studime eseistike nga literatura serbe për barbarogjeniun (barbarogenije), (term i ngritur në kulm nga vetë serbët). Ndërkohë që gjithë hapësirat tjera ish-jugosllave e pëlqyen këtë liberalizim, serbët vepruan në të kundërtën! Në këto dekada nën ish-Jugosllavi, lexohej dhe depërtonte literatura nga vendet europerëndimore, por vinte dhe ajo nga Shqipëria (me titujt e ndaluar të veprave politike apo "nacionaliste" që flitnin për historinë shqiptare). Por këtë shkrim e nisa për ta identifikuar një lëvizje politike (dhe kulturore) sot, që i heq rrënjët nga historia e që prezantohen si nacionalistë, tradicionalistë e ksenofobistë ekstremë serbë. Ksenofobinë europerëndimore e ngritën në Kult të Urrejtjes që shpërtheu me lëvizjen politike shovene serbomadhe millosheviçiane...
Fjala ishte për shkrimet që i kushtoheshin barbarogjeniut serb, apo lëvizjes ideologjike (letrare e avangardiste serbe) që quhej zenitizmi, shkrime që i kushtoheshin revistës së "famshme" letrare serbe "Zenit" (një revistë e lëvizje tipike serbe e para Luftës së dytë Botërore, gjatë viteve '20 të shk XX, nën drejtimin e shkrimtarit Lubomir Miciç), që zhvillonte Kultin e Shkatërrimit e jo të ndërtimit e të civilizimit; të revoltës serbe në trajtën e antievropianizimit dhe në atë të sllavofilisë. Ishte një si prototip i niçeanizmit gjerman: ky niçeanizëm gjerman, dihet, përfundoi në fashizëm, në shkatërrimin e çdo gjëje tjetër jogjermane, joariane etj etj, kurse lëvizja serbe, fillimisht u dynd tek krajli serb e më vonë u dynd në trajtën e komunizmit sllav të tipit rankoviçisto-stalinist, antishqipar e anticivilizues, që, si thonë vetë përfaqësuesit e tyre, e zhvillojnë Kultin e Shkatërrimit. Serbët mund të arrijnë në majat botërore (në ZENIT), vetëm me anë të barbarogjenisë, kreacionit gjenial barbarogjen, të cilën prirje e paskan vetëm serbët - thoshin këta zenitistë.
Me këtë barbarogjeni ata i nisën dy luftërat botërore e më herët edhe ato ballkanike... Fatkeqësia historike hidhet mbi kurrizin e shqiptarëve me gjenocide e shfarosje), por edhe me IMITIME nga mbreti shqiptar që hoçi pluralizmin politik sipas modelit barbarogjen sllav... dhe më vonë, në trajtën e komunizmit shqiptar që shfaqi urrejtje të sëmurë kundër Perëndimit...
3.
Pasues i këtij diskursi "krenar" të "serbenda"-s (njerëz të formatit të posaçëm,” të lartë "patriotik serb), konsiderohet Vojislav Sheshel, i cili nuk ka zgjedhur mjete për t'i fyer e denigruar kundërshtarët politikë brenda vetë popullit serb, pastaj kroatët, shqiptarët dhe komplet vendet e Bashkësisë evropiane. Mjafton t'i lexojmë vetëm titujt e veprave të Sheshelit (edhe me nga njëmijë faqe): kundër Vartikanit, kundër Bashkimit Evropian dhe kundër gjermanëve e kroatëve etj: "Vatikan, glavno Satanino gnezdo" (“Vatikani- çerdhja kryesore e Satanës” - 2006, në 1000 faqe), ku e akuzon Vatikanin për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, "Rimska kurija vecito cedna srpske krvi" (“Kuria e Romës, përjetësisht e etshme për gjakun serb”), "Evropska unija, satanisticka tvorevina" (“Bashkimi Evropian, krijesë satanike”), "Vatikanski antisrpski instrument Franjo Tudjman" (“Instrumenti vatikanas antiserb Franjo Tugjman”) dhe "Hitlerovi najverniji sledbenici Helmut Kol i Hans Genser" (“Trashëgimtarët më besnikë të Hitlerit, Helmut Kol e Hans Gensher”), apo edhe kundër vetë Titos (ai kishte publikuar shkrimin "Titoisti" -"Titistët") etj etj.
Prandaj, ata edhe sot përdorin tradicionalisht KULTIN E FYERJES barbarogjene!
Me lëvizjet e reja që po ndodhin gjithandej, mund ta shtrojmë pyetjen: a është çliruar Serbia nga e kaluara e tillë e urrejtjes?
Po ne shqiptarët, a kemi nevojë t'i imitojmë serbët për të krijuar barbarogjeniun tonë?! Eurofobinë tonë dhe fobinë tonë NARCISOIDE orientale ndaj civilizimit evropian dhe të urrejtjes ndaj të tjerëve?

0 comments:

Post a Comment