Wednesday, October 18, 2017

Zyba Hysa: TE DËFREJMË…


Më pëlqen sonte të ndjehem fëmijë!
Më fjalë foshnjore të përkëdhelem,
Lodhur mendimeve, fol me ëmbëlsi,
Ashtu shpengur, të qesh, të dehem!
Fol pa u menduar... ashtu kot më kot,
Aqsa tinguj nxjerr… më vijnë melodi,
Mendoje veten… sikur… me mua lot,
Të lozim foshnjërisht... Unë edhe Ti!
Siç i nisin fëmijët… lojrat me fjalë,
Pastaj ndjekin njëri - tjerin me vrap,
Diku pengohen e bien përmbi barë,
Ashtu kacafytur... të ndukemi gjatë!
Nga cepi në cep, t'i dalim lëndinës,
Dy trupa lidhur, si kulpra për trung,
Papandehur dalim n'anë t'kodrinës,
Kollotumba... gjer biem në fund!
Pastaj le të grindemi ashtu si fëmijë,
Dhe të zemëruar të ndahemi të Dy,
Ti e di, fëmijët kurrë s'mbajnë mëri,
Edhe të gjakosur, kanë me u dëfry!

0 comments:

Post a Comment