Thursday, October 19, 2017

Zija Çela: KUÇEDRA


Të gjithë e ndjenë se uji po pakësohej, por sidomos gratë. Në fillim ujit i humbi vrulli, pastaj u hollua aq shumë në lëfytet e çezmave, sa gratë iu ankuan njëra-tjetrës: “Këtë curril mund ta përshkosh edhe në vrimën e gjilpërës, si fije peri.”
Shqetësimi i tyre i vuri në alarm burrat.
U mor vesh se ujin e ndalonte kuçedra, një kuçedër e vjetër për të cilën kishte gojëdhëna të ndryshme. Disave iu duk një përrallë, por lajmin e vërtetuan barinjtë, që zbritën nga bjeshka të llahtarisur. Ata pohuan se kuçedra ndodhej në Shpellën e Zezë, bash ku uji kishte amën e burimit. Natyrisht, me sy nuk kishin arritur ta shihnin, por ulërimat e bubutimat e saj i kishin dëgjuar qartë. Për ta lëshuar ujin, kuçedra vinte kushte të rënda, aq të rënda, sa përmbushja e tyre i poshtëronte njerëzit.
Nuk paskësh aty një burrë që të ndeshej ballazi me kuçedrën, të mbronte jetën, lirinë dhe nderin e Malashtit? Kjo thirrje që kalonte gojë më gojë, u shumëfishua përmes gazetës, televizionit dhe radios lokale.
Të gjithë, jo pa shkak, i kthyen sytë nga Gjoni. Gjon Vrano Bala ishte nga ata që, siç thotë një fjalë, u ndez pushka në ujë e të marrin gjak në vetull. Në çdo festë zyrtare vendi i tij ishte në tribunë, përkrah njerëzve më të nderuar. Por midis tyre askush nuk mbante në gjoks aq medalje të mirënjohjes, sa Gjoni i Balajve. Dhe ai e meritonte, sepse disa herë i kishte sjellë shërbime të çmueshme Malashtit. Herën e fundit, vetëm për pak vota nuk u zgjodh kryetar i bashkisë. Qytetarët anuan nga kanditati tjetër, një mësues i shkollës së mesme që, edhe pse nuk ishte dalluar për ndonjë trimëri, mbahej në gojë si njeri i matur e qokatar. Ndoshta Gjoni humbi për gjaknxehtësinë e tij, ai kurrë nuk ia përtonte sherrit dhe ata që s’i pëlqenin, sidomos kundërshtarët e vet, i shihte me përbuzje nga lart poshtë, si të ishin miza. ”Hë, ç’u gënjen mendja”, u thoshte, “pandehni se kjo është koha e dhelprave dhe me dredhira mund të fitoni kahmos?! Koha gjithmonë është e luanëve dhe unë një luan jam!” Të lënduar në sedër, disa pëshpërisnin prapa shpinës së tij: “Ama, cytanik e belaçor i madh mbeti gjithë jetën ky Gjoni, sot i ngul hunjtë dhe nesër i shkul!”
Por me t’u shfaqur kuçedra, u duk se të gjithë u penduan për gabimin që kishin bërë, veçse tashmë ishte vonë.
Megjithatë, Gjon Vrano Bala nuk u mbajti mëri bashkëqytetarëve. Qafëcungal e me supe të rënda, u vesh dhe u mbath fort hijshëm, u armatos deri në dhëmbë dhe, me dellin e një azgani, u nis për t’u ndeshur me kuçedrën. Përbetimi i tij ishte i prerë: Ose e shtrinte përtokë, ose vdiste vetë!
Kur erdhi uji, të gjithë e morën me mend se trimi i trimave kishte dalë fitimtar. Sa për Gjonin, i cili nuk u kthye nga Shpella e Zezë, arsyeja ishte e kuptueshme. Përtej malit shtrihej deti, në bregdet kishte qytete të tjera, ato ishin më të mëdha e më joshëse. Sipas gjasave, prej ajamit që të bridhte anë e skaj, Gjon Vrano Bala po kërkonte tutje aventura të reja.
Shkoi viti i parë, kaloi edhe i dyti. Askush në Malasht nuk ankohej më për ujin. Po kur hyri vera e tretë, në kohë të djegagurit, gratë nisën të shqetësoheshin përsëri. Pastaj uji shteroi krejt, lëfytet u thanë, barinjtë e bjeshkës u kthyen të alarmuar dhe sollën lajmin se tani i kërcënonte një kuçedër e re. Ashtu si më parë, me sy nuk kishin arritur ta shihnin, por ia kishin dëgjuar piskamat e tmerrshme, si dhe kushtet që vinte për ta lëshuar ujin. Kësaj here, përveçse poshtëruese, kushtet ishin edhe të habitshme. Kuçedra kërkonte:
1. Ta pranonin si prijësin e tyre, pa votuar në zgjedhje dhe pa asnjë debat publik.
2. Për gjithë sa kishte bërë, në sheshin kryesor të qytetit t’i ngrihej Përmendorja e Lavdisë.
3. Përveç kësaj të sheshit, si përmendore lëvizëse t’i kushtohej edh një këngë me 124 vargje, e cila të këndohej në ekran tri herë në ditë dhe tri herë në javë të botohej në gazetën më të madhe.
Përpara kërkesave të tilla, Malashti u shtang dhe u duk sikur u zu peng nga kuçedra. Pastaj u mbajtën disa mitingje, ku qytetarët jepnin mendime të ndryshme. Një palë thoshin se do t’u dilte më mirë, nëse kuçedrës ia plotësonin kushtet. Të tjerë arsyetonin: “E përse të dorëzohemi?! Si është e mundur të zmbrapsemi përpara së Keqes, bile t’i këndojmë këngë dhe t’ia veshim shëmbëlltyrën me bronz e mermer?! Kështu do të turpëroheshim për jetë të jetëve.”
Shumë nga pleqtë, që mosha i kishte rrëgjuar dhe kishin mbetur me shkop në dorë, psherëtinin me mall e keqardhje për Gjonin e famshëm: “Ah, tashti ta kishim prapë Gjon Vrano Balën, luanin që s’ia shkel kush hijen! Vallë, ku e ka hedhur vala? Po ta dinim ku ndodhet, ia çonim fjalën në vesh, ai do të kthehej si era dhe na nxirrte nga belaja.” Por, pastaj, i vinin gishtin kokës dhe pyesnin të trishtuar: “Kaq poshtë paska rënë Malashti ynë, nuk gjenden në këtë truall guximtarë të tjerë, burra që e kanë zemrën me kockë dhe mund të ndeshen me kuçedrën?!”
Dhe trimat nuk munguan, dolën vetë vullnetarë.
Përgatitjet u bënë me kujdes. Veç armëve të zjarrit, u siguruan edhe pajime ndihmëse: këpucë alpine, rrotulla litari, gozhdë me hallka dhe rripa sigurimi. Kurse për çdo rast, për t’iu përshtatur mënyrave të luftimit, atyre ndeshjeve të dikurshme që bënin bajlozët dhe që përmendeshin në legjenda, u morën nga muzeu edhe parzmore me sumbulla prej tunxhi, shpata, përkrenare, shtiza, topuzë e mazdrakë çeliku.
Nisja u bë nga sheshi kryesor. Vullnetarët u rreshtuan përpara tribunës, ku buçiste banda muzikore. Trumpetat e buritë nuk reshtën edhe pas nisjes, deri mbasdite vonë. Ndërsa binte nata, ankthi dhe pritja e mbërthyen Malashtin shtëpi më shtëpi. Gjumi për të gjithë kishte marrë arratinë dhe një peng i mundonte: Ç’po ndodhte në mal, atje te Shpella e Zezë?
Nuk u desh shumë kohë që të arrinte lajmi prej atje. U dëshmua me prova se, herën e parë, Gjon Vrano Bala e kishte vrarë vërtet kuçedrën. Por më pas kishte veshur gëzofin e saj dhe, kushedi përse, dalëngadalë ishte bërë vetë kuçedër.
Shënim: Ky tregim u shkrua në mars 1997 dhe u publikua në shtyp. Bën pjesë në librin “Princi që buzëqesh”, botuar nga Toena, 2016. Deri tani kisha postuar prej tij vetëm tregimin “Shi me diell”.

0 comments:

Post a Comment