Tuesday, October 31, 2017

Ramiz Kuqi: LIDHJA E FJALËVE BËN FORCËN


Pasi kishte bërë tregun e ditës, me dy najllona të mbushur përgjysmë, A. u ndal për të pritur autobusin. Kishte pak njerëz atë mëngjes tetori.Dikush mbante një çantë në shpinë, dikush kotej në stacion, si i përgjumur. Mjegulla ishte lëshuar si tym fabrike nëpër udhë.Secili udhëtar shikonte me kurreshtje numrin e autobusit për të ikur në punë ose për t’u kthyer në shtëpi, pas përfundimit të orarit të punës.Mund të dëgjoje, po pate ndonjë zë veshi vetëm ndonjë mesazh që derdhej nëpër telefona. Asgjë s’pipëtinte.
Kur u ndal autobusi, A. hipi ngadalë, u ul në karrigën e parë për të parë më mirë stacionin ku do të zbriste. Ballë tij ishte ulur një grua rreth të pesëdhjetave, e cila mbante në dorë në qen të vogël, sa një macë, lidhur për qafe me një litar të hollë. Kur autobusi bënte ndonjë kthesë nëpër atë zonë gati kodrinoro-malore, ajo zgjohej si e trembur nga kotja. Dukej se ishte e lodhur . Ku di unë.- tha më vete A. nga vinte dhe sa orë kishte bërë rrugë.Para këmbëve mbante një çante të mesme, të rrasur deng.
Zbriti në stacionin e fundit, afër shtëpisë së tij. Pastaj kapërceu përmes udhës së lagjes. Në tarracë e pa Tonin plak, i cili që disa vite jetonte i vetmuar. E përshëndeti me dorë. Ndjeu dhimbje. Një herë, ai e kishte ftuar në shtëpinë e tij, një katëshe. I kishte ofruar kafe, birrë dhe cigare për të tymosur. Po A. nuk e kishte ndezur dhe ai kishte mbetur pa tekst.-Nuk tymos ti duhan?
Jo,- i kishte thënë A. Askush, përveç gruas, nuk e tymos. Ajo del në ballkon, merr një lëng molle, shikon përtej kodrave dhe mediton. Shpesh e kishte takuar duke medituar, e humbur si zogun mes pyllit të dendur.-Hë moj,ç’je humbur këtë mbrëmje, kur jashtë strehët pikonin shi e era të mbërthente nga të dy anët?
-Ashtu, i tha ajo, me mollza të skuqura nga të ftohtit. Si nënë. E dini ju meshkujt çka është kur zogjtë e lindur të shpërndahen nëpër botë? – E keni ju ndjenjën e të qenit nënë?
- Po si jo moj grua ,-i tha A. Mendon ti se unë nuk meditoj?
-Nuk e di, - i tha ajo. Unë rri e kujtoj. Fëmijërinë time, nënën, babanë që na donte shumë.Po tash, pas shumë vitesh, zemra më është ndarë në tri pjesë.Sikur ta ktheja kohën pas!
- Secili ka brenga. Po zogjtë tashmë i kanë zogjtë e vet. Ecin pas tyre, vrapojnë, qeshin, ndjejnë dhimbje e mall për ta, meditohen kur qajnë, gëzohen kur qeshin. E tillë është jeta.-Do vish brenda se dukesh se je mërdhirë.
- Edhe pak. Isha duke e vështruar tymnajën që zbrazet nga fabrika, atje larg, bri malit.-Ka thirr djali?
- E thira unë tash. Sa ishte duke u futur në shtëpi. Më tha se kanë udhëtuar mirë. Nuk e zgjata më shumë. Rrugë të gjatë kanë bërë. Janë lodhur.-Ika unë,-iu drejtua shoqes. Kam lënë një takim për kafe me Farkatarin.Bile i kam shkruar para një ore. I kam thënë ndoshta mos ka harruar të lëviz akrepat e orës. Kur hapi telefonin, lexoi këtë mesazh “ Jam në ordinancë.Po përgatis raportet mjekësore për pacientët. Mund të vini ju?”
- Për fat të keq. Jemi pa vetura sot. Në rrugë bën ftohtë. Erë dimri ka kjo erë sot. Madje duhet pritur shumë. Qarkullimi i autobusëve sot është pak më i rrallë.
- Do të vij unë atëherë. Po deshta ta përkujtoj A. se skleroza është shumë larg nga unë. Unë shkruaj dhe mbaj mend. Më pritni atje nga ora 14.3o minuta.
- Në mbrëmje fëmijët llastohen më shumë,- i tha A. së shoqes. U bie gjumi mbi sy e vaji mbi buzë.
-Po, po. Ndërkohë, Meli iu hedh në përqafim gjzyshes, pastaj Dioni. Edhe Lenti, si rrallë ndonjë herë, mori vrap , zuri në thua por nuk nxori zë nga goja. Melina u shkrej në vaj disa çaste. Ishte kënaqur me Vanesën në vikend .
-Çfarë e paska gjetur sonte Lentin?-e shikoi si me habi A.
-Ka hyrë në muajin e parë të vitit të pestë. Janë shenja të mira për ndryshim.
-Mos e merr nëpër gojë,- i tha A.
-Mos vallë kemi qenë edhe ne engjëj në këtë moshë? Vallë ke harruar? Po të ishin nënat tona sot, do ta hapnin ditarin e jetës, me kujtesë, kuptohet.
-Ndoshta kemi harruar,- i tha A.- Jam vonuar . Kujdes fëmijët !
-Po, po-. ti je nësuar të gjesh arsye. Po ne, nënat?
- Ke të drejtë, - i tha A. Po edhe na bëjmë kujdes. I marrim përdore, i shëtisim.- Të duket kjo pak?
- E di.
A. u vesh shpejt e shpejt. Në lokalin ku ata takoheshin gjithmonë vikendeve,ishte tollovi e madhe. Fëmijë, të rinj, pleq. S’kishe ku ta hidhje gjilpërën. Ai qëndroi një copë kohë në këmbë dhe, kur një çift me një fëmijë u ngritën nga skaji, atje në fund ku mezi vërehej se kishte njeri, ai nxitoi me hapa të shpejtë, hoqi pallton dhe zuri katër karriga, për tre miqtë që duhej të vinin së shpejti. Sa ktheu kokën nga dritarja, në mes të asaj turme njerëzish ,dalloi dy miqtë e tij, Tenin dhe Ramën. Teni mbante një çantë në dorë dhe ecte pas dy vogëlusheve flokëgjata ,të cilat sa ishin kthyer nga mësimi i gjuhës shqipe dhe po prisnin të mbaronte takimi ynë për të udhëtuar me Tenin, drejt periferisë së qytetit ku ato banonin.
-Ka ardhur Farkatari?- pyeti Teni.
- Sa nuk është futur në lokal.
-Për besë, unë kam lënë shumë punë anash sot. Po erdha për të marrë pjesë në këtë takim krijuesish. Për fjalën poetike. Po shpresoj se Farkatari, si gjithmonë meditativ dhe njeri i formuar, do të vijë me kohë. Pa e përfunduar bisedën, Farkatari ia behu, i buzëqeshur dhe optimist si gjithmonë.
-Jeni mirë burra?
- Falimendit që erdhe me kohë!,- ia kteu Teni.
-Unë nuk di të vonohen , Ten.
-E hapin temën ? Shkurt, sa të jetë e mundur.
-Unë kam sjellë disa letra më vete. Mendoj se takimi duhet të mbahet të dielën që vjen. Përgatitemi më mirë. Që të mos na dështoj asgjë. Kësaj radhe do të jemi shumë më të vendosur. Do të grishim krijuesit , gjithandej. Së pari, t’i ndajmë punët. Dhe, të veprojmë. Antologjinë do ta përgatisim ngadalë, me përgjegjësi. Për hapat tjerë, do vendosim në ecje.-Pajtohesh A.?- tha Teni.
-Gjithsesi.Është në të mirën e Lidhjes. Lidhja e njerëzve në Lidhje bën forcën e fjalës. Në ikje, ata ia shtrënguan dorën njëri-tjetrit dhe u ndanë miqësisht.
Ishte një mbrëmje shumë e ftohtë. Po zemra e tyre dukej se ishte ngrohur nga fjalët e bukura e të ngrohta njerëzore.
Oslo, më 30.10.2017

0 comments:

Post a Comment