(tre ķëngë për Ali Pashanë)
Kënga e parë
Atje tej-përtej liqenit,
gati mbi syprinë,
Ndrijnë sarajet e levendit,
ndrijnë e vetëtijnë,
gati mbi syprinë,
Ndrijnë sarajet e levendit,
ndrijnë e vetëtijnë,
Ali Pasha mbi divane,
ulur këmbëkryq,
Brenda kullave me xhame,
Botës i bën gjyq.
ulur këmbëkryq,
Brenda kullave me xhame,
Botës i bën gjyq.
Thellë shpirtit, gjer në zemër,
seç e brejnë qederet,
Gjithë Janinës i dha emër,
n’ar ja shkroi defteret,
seç e brejnë qederet,
Gjithë Janinës i dha emër,
n’ar ja shkroi defteret,
Porse prapë e ha meraku
dhe s’e lë të qetë:
“A do çohet vallë bajraku,
gjer te Zoti vetë?!”
dhe s’e lë të qetë:
“A do çohet vallë bajraku,
gjer te Zoti vetë?!”
Përmbi gju e poshtë gjurit,
shihni nargjilenë!
Thithet nge më nge prej burrit
dhe në s’ia ka ngenë,
shihni nargjilenë!
Thithet nge më nge prej burrit
dhe në s’ia ka ngenë,
Të florinjtë dyzet qostekë,
varur kraharorit,
Takija mbi kokën drejtë,
si mal’ i Tomorrit.
varur kraharorit,
Takija mbi kokën drejtë,
si mal’ i Tomorrit.
Herë shtrihet mbi divanet,
herë pëlqen minderet,
Pranë oxhakut pret selamet,
këndit pret haberet.
herë pëlqen minderet,
Pranë oxhakut pret selamet,
këndit pret haberet.
Vijnë lajmet porsi era,
bezdisin kalanë,
Ca s’guxojnë t’ia thonë tek dera,
ca tek veshi pranë.
bezdisin kalanë,
Ca s’guxojnë t’ia thonë tek dera,
ca tek veshi pranë.
Ndërsa syri zbret nga bahçet
dhe lakmon çahiret,
Fërfërijnë e puthen flladet,
puthen me zefiret.
dhe lakmon çahiret,
Fërfërijnë e puthen flladet,
puthen me zefiret.
I habitur prej vegimit,
ndalet syri Pashës,
Prej magjis’ e prej tundimit,
mbi lulen e vashës...
ndalet syri Pashës,
Prej magjis’ e prej tundimit,
mbi lulen e vashës...
Ngrihen ulen kraharoret,
lehtas bredhin çapet,
Si një këngë, ndër korridoret,
befas dera hapet,
lehtas bredhin çapet,
Si një këngë, ndër korridoret,
befas dera hapet,
Shfaqet veshur e mëndafshtë,
lulja e sarait,
E gjitha drita që ish jashtë,
hyn brënda Pashait.
lulja e sarait,
E gjitha drita që ish jashtë,
hyn brënda Pashait.
Ngrin Aliu, ashtu i mekur
e nuk thotë një fjalë,
Trimi, që dikur i thekur
të priste me pallë,
e nuk thotë një fjalë,
Trimi, që dikur i thekur
të priste me pallë,
Nëpër deje i vlon gjaku,
por nuk marrka zemër
Si një yll i ndrin tek pragu,
më e bukura femër...
por nuk marrka zemër
Si një yll i ndrin tek pragu,
më e bukura femër...
Tak e tuk shkunden çibukët,
trak e truk nallanet
Tinëz qeshin eunukët
dhe sjellin filxhanet.
trak e truk nallanet
Tinëz qeshin eunukët
dhe sjellin filxhanet.
Në gjunjë ulen mbi sixhade,
ardhur prej Alepit,
Dhe kërcunjtë ndër oxhaqe,
digjen prej gazepit.
ardhur prej Alepit,
Dhe kërcunjtë ndër oxhaqe,
digjen prej gazepit.
Buzën vë në buzë të kupës,
thith nektarin surbull
Tek vështron hiret e çupës,
mëndja iu bë turbull,
thith nektarin surbull
Tek vështron hiret e çupës,
mëndja iu bë turbull,
Gjaku ndezur, po i vlonte,
xhanit porsi furrë,
Shtati i derdhur, po e ftonte:
“Eja në je burrë!”
xhanit porsi furrë,
Shtati i derdhur, po e ftonte:
“Eja në je burrë!”
Sheh në gjoks të Gjëraqinës,
shpërthyer dy cica
Një, sa mal’ i Trebeshinës,
një sa Këndervica,
shpërthyer dy cica
Një, sa mal’ i Trebeshinës,
një sa Këndervica,
Mbet’ Veziri i hutuar,
zhgjëndrra ja, i sosi,
Si në ëndërr sheh ndër duar,
dy arra kokosi.
zhgjëndrra ja, i sosi,
Si në ëndërr sheh ndër duar,
dy arra kokosi.
Tej në oda mbi divanet,
ndizen prap çibukët,
Trak e truk grinden nallanet,
qeshin eunukët,
ndizen prap çibukët,
Trak e truk grinden nallanet,
qeshin eunukët,
Ndërsa buzët e Pashait,
i çmend dashuria,
Po i ndez Lulja e Majit,
vetë Vasiliqia.
i çmend dashuria,
Po i ndez Lulja e Majit,
vetë Vasiliqia.
Bashkë me tekat, bashkë me nazet,
bashkë dhe me hiret,
Përmbi gushë, shkëlqejn’ elmazet,
shkëlqejnë dhe safiret,
bashkë dhe me hiret,
Përmbi gushë, shkëlqejn’ elmazet,
shkëlqejnë dhe safiret,
Mbetur koka e Aliut,
peng mbi prehër të femrës,
Dhe pse mëndja shkon gjetiu,
qejfin ia bën zemrës.
peng mbi prehër të femrës,
Dhe pse mëndja shkon gjetiu,
qejfin ia bën zemrës.
Kenga e dyte
Tutje majave të larta,
Maleve të Pindit,
Puthen ret’ e qelibarta,
porsi tyl i Hindit.
Maleve të Pindit,
Puthen ret’ e qelibarta,
porsi tyl i Hindit.
Rrezet zbresin edhe treten,
fushave të gjëra.
Pashait merak i mbeten,
si ti ketë të tëra...!
fushave të gjëra.
Pashait merak i mbeten,
si ti ketë të tëra...!
Si t'i ketë të gjitha lulet ,
prillet si t'i ketë!
Gjithe bota t'i përkulet,
tokë, qiell e det.
prillet si t'i ketë!
Gjithe bota t'i përkulet,
tokë, qiell e det.
T’i sodisë ashtu të plota,
me shpirt të panginjur.
Prej lakmisë tundet koka,
dridhet mjekër e thinjur.
me shpirt të panginjur.
Prej lakmisë tundet koka,
dridhet mjekër e thinjur.
Ndërsa mendja merr sarajet,
tutje, si e çmendur,
E ngarkuar nga gjynahet
e prapë s’ështe e trembur...
tutje, si e çmendur,
E ngarkuar nga gjynahet
e prapë s’ështe e trembur...
Le të digjet, le të shkrihet,
në zjarre Xhehnemi...
"Po si vallë mund të lihet,
një hurma Jemeni?"
në zjarre Xhehnemi...
"Po si vallë mund të lihet,
një hurma Jemeni?"
Vjen zeshkania dhe përkulet,
ja Pashai zbutet.
Me aromë e dehin lulet,
e dalldisin frutet,
ja Pashai zbutet.
Me aromë e dehin lulet,
e dalldisin frutet,
Duart zgjat e heq stolitë,
që me naze tunden,
S’ka Divan mos bëhet dritë,
kur dashnorët munden...
që me naze tunden,
S’ka Divan mos bëhet dritë,
kur dashnorët munden...
Porsi flaka ish e nxehtë,
rreze shkretëtire,
Si një pupël ish e lehtë,
xhinde dhe qafire...
rreze shkretëtire,
Si një pupël ish e lehtë,
xhinde dhe qafire...
"Allallah ç'ka bërë Zoti,
që i qofshim falë,
Sa një ditë mu kthye moti,
më ngjan vetja djalë!"
që i qofshim falë,
Sa një ditë mu kthye moti,
më ngjan vetja djalë!"
Eunuku ndreq takijen,
në vend vë qostekët,
Pallën, që të rëndë ka hijen,
gradat mbi jelekët,
në vend vë qostekët,
Pallën, që të rëndë ka hijen,
gradat mbi jelekët,
Kindat shtrin mbi fustanellë,
xhepit vë sëhatin,
Nargjilenë teksa thith thellë,
Plaku mendon fatin...
xhepit vë sëhatin,
Nargjilenë teksa thith thellë,
Plaku mendon fatin...
Po mendon Burri për namin,
ngritur mbi Janinë
Karshillëk, që tremb sulltanin,
tund perandorinë,
ngritur mbi Janinë
Karshillëk, që tremb sulltanin,
tund perandorinë,
Pran’ i vjen Vasiliqia,
i largon mendimet,
Kthehet prapë dashuria,
puthje-përqafimet.
i largon mendimet,
Kthehet prapë dashuria,
puthje-përqafimet.
Zoti, që dha kaq të mira,
hyqëm dhe të tjera,
I kërkon dy tre Xhamira,
Kisha dhe Tehqera...
hyqëm dhe të tjera,
I kërkon dy tre Xhamira,
Kisha dhe Tehqera...
Dhe thesari i grumbulluar,
më shumë marrka vlerë,
Kur sovrani vetë me duar,
falka ndër të tjerë.
më shumë marrka vlerë,
Kur sovrani vetë me duar,
falka ndër të tjerë.
Në kala hapen sëndukët,
n’ ar mbushen sinitë,
Të ngarkuar eunukët,
vijn’ e sjellin dritë...
n’ ar mbushen sinitë,
Të ngarkuar eunukët,
vijn’ e sjellin dritë...
Për sevap u derdh floriri,
grabitur ndër vite,
Grushtat plot i mbush Veziri,
plot për plot mexhite...
grabitur ndër vite,
Grushtat plot i mbush Veziri,
plot për plot mexhite...
Prap' Atij dorën bujare,
prap' ia ndal një femër,
Sa e dashur, aq tinzare,
kyçin vë në zemër...
prap' ia ndal një femër,
Sa e dashur, aq tinzare,
kyçin vë në zemër...
"Pa pushtet e pa thesare,
lavdia të humbi
Kur harbuti te ketë pare,
Imzot të vjen fundi."
lavdia të humbi
Kur harbuti te ketë pare,
Imzot të vjen fundi."
Qesh Aliu me tërë xhanin,
nga këto fjalë të rralla,
Kur kuptoi ,se gjithë namin
e kishte nga palla...
nga këto fjalë të rralla,
Kur kuptoi ,se gjithë namin
e kishte nga palla...
I çon gishtat maja-maja,
lehtas e prek millin
"Se çfarë qënka vetë dynjaja,
femra ja di fillin"
lehtas e prek millin
"Se çfarë qënka vetë dynjaja,
femra ja di fillin"
Unjet mjekra e sedeftë,
unjet të puthë pushin,
Si dy fllade që fryjnë beftë,
fryjn’ e ndezin prushin..
unjet të puthë pushin,
Si dy fllade që fryjnë beftë,
fryjn’ e ndezin prushin..
"Edhe kulmi i pushtetit,
që buron në zemër...
Edhe shtegu i Xhenetit
qënka tek një femër."
që buron në zemër...
Edhe shtegu i Xhenetit
qënka tek një femër."
kënga e tretë
Agu erdh, zbardhi Sarain,
ndriti dhe kalanë,
Kush guxon dhe zgjon Pashain,
o Zot gjen belanë...
ndriti dhe kalanë,
Kush guxon dhe zgjon Pashain,
o Zot gjen belanë...
Ja tek rrinë ashtu pas dere,
me zemër në dorë,
Presin me të verdhën çehre,
dyzet shërbëtorë...
me zemër në dorë,
Presin me të verdhën çehre,
dyzet shërbëtorë...
Të dyzetët mbajnë radhë,
me ndere të larta,
Veshur me kostum të bardhë,
të bardhë, si karta,
me ndere të larta,
Veshur me kostum të bardhë,
të bardhë, si karta,
Pjatat plot me mjaltë në hoje,
vën’ mbi tabakara,
Me shurupët lloje-lloje,
plot kupat e lara...
vën’ mbi tabakara,
Me shurupët lloje-lloje,
plot kupat e lara...
Ndihet brënda koll’ e rëndë,
hungërrimë luani,
Gjithë Janina brof më këmbë,
ditën çel Divani,
hungërrimë luani,
Gjithë Janina brof më këmbë,
ditën çel Divani,
Kryet unjin yzmeqarët,
servirin sherbetet,
Ja Veziri pret "Të Parët",
me gjithë salltanetet.
servirin sherbetet,
Ja Veziri pret "Të Parët",
me gjithë salltanetet.
Vijnë hafijet mbi postiqet,
të sjellin oguret,
Dhe kur japin sihariqet,
prap mbushin poturet,
të sjellin oguret,
Dhe kur japin sihariqet,
prap mbushin poturet,
Një nga një fjalët shkoqiten,
të drojtur nga gafat
Luten kokat, se mos priten,
me satër nga qafat...
të drojtur nga gafat
Luten kokat, se mos priten,
me satër nga qafat...
Nëpër oda s’ka më urdhër,
s’ndihen as nallanet,
Veç qatipët, si kukudhër,
po shkruajnë fermanet.
s’ndihen as nallanet,
Veç qatipët, si kukudhër,
po shkruajnë fermanet.
Rrëshket pena e argjendë,
rrëshket, pas çdo shkronje,
Gjersa shtrin hijen e rëndë,
shtati i një zonje...
rrëshket, pas çdo shkronje,
Gjersa shtrin hijen e rëndë,
shtati i një zonje...
E kush tjetër është kjo zonjë,
veç Vasiliqisë,
Që dhe pse nuk është leonë,
Plakun mban në sisë
veç Vasiliqisë,
Që dhe pse nuk është leonë,
Plakun mban në sisë
Teksa fal dy, a tri naze,
prapë fjala gjen fillë,
Karafil i çelur taze,
buza jep këshillë.
prapë fjala gjen fillë,
Karafil i çelur taze,
buza jep këshillë.
Dhe levendi prap çuditet,
nga fjalët e thëna,
Ndërsa vajza pran’ avitet,
e qeshur si Hëna,
nga fjalët e thëna,
Ndërsa vajza pran’ avitet,
e qeshur si Hëna,
“Më kot folkan njerëzia,
kur gjërat s’i dinë.
Gjoja s’paska bukuria,
motër mënçurinë!”
kur gjërat s’i dinë.
Gjoja s’paska bukuria,
motër mënçurinë!”
Tek Pashai me ngadalë,
derdh hiret e saja,
Peng lë belin porsi ngjalë,
mbi duart e mëdhaja,
derdh hiret e saja,
Peng lë belin porsi ngjalë,
mbi duart e mëdhaja,
Si ndër putrat e ariut,
ja drenusha lutet,
Nëpër shpullat e Aliut,
hepet e s’këputet...
ja drenusha lutet,
Nëpër shpullat e Aliut,
hepet e s’këputet...
Fërgëllon sa për nën mjekër,
gusha e fildishtë,
Dorë’ e trimit porsi kthetër,
zë gudulis mishtë,
gusha e fildishtë,
Dorë’ e trimit porsi kthetër,
zë gudulis mishtë,
Tek tërheq flokët e gjatë,
të çmëndur si jelet,
Pëllëmba që mban një shpatë,
bukur dhënka dhelet..
të çmëndur si jelet,
Pëllëmba që mban një shpatë,
bukur dhënka dhelet..
Në liqen rreken lopatat,
perde purpurt bie,
Marrin, japin rosat, patat,
tinguj dashurie.
perde purpurt bie,
Marrin, japin rosat, patat,
tinguj dashurie.
Plot për plot me xixëllonja,
muzgu mbush sokaqet,
Në hamam vashat, si zonja,
lajnë gush' e faqet...
muzgu mbush sokaqet,
Në hamam vashat, si zonja,
lajnë gush' e faqet...
Njëra-tjetrën ato ngasin
dhe hedhin romuzë,
Keqas zihen, po kur flasin
puthen buzë më buzë
dhe hedhin romuzë,
Keqas zihen, po kur flasin
puthen buzë më buzë
Fjalë-ëmblat koridori,
i tret pas çdo zhurme,
Sikur gjuh’ e një dashnori
uji zbret ndër kurme.
i tret pas çdo zhurme,
Sikur gjuh’ e një dashnori
uji zbret ndër kurme.
Ja aromë e trëndafiltë,
tutje çmend Sarain,
Sikur çel e shkon e prilltë,
ëndrra që zgjon Majin
tutje çmend Sarain,
Sikur çel e shkon e prilltë,
ëndrra që zgjon Majin
Nëpër rrugë ndizen fenerët
ndizen dhe shandanet,
Ndërsa gazi lëshon frerët
brenda në hamamet.
ndizen dhe shandanet,
Ndërsa gazi lëshon frerët
brenda në hamamet.
0 comments:
Post a Comment