Sunday, October 15, 2017

Prend BUZHALA: EDHE NË UNIVERSALIZMIN GLOBAL LETËRSIA ËSHTË REFUZUESE


(Çaste eseistike), 15
Gjuha dhe letërsia kombëtare, kudo në Evropë, kishin dikur legjitimitet për ta edukuar kombin.
Po, sot, në erën e globalizmit që përpiqet të zhdukë kombe, si dikur komunizmi?
1.
Prandaj u parapëlqyeka një letërsi që i drejtohet "njeriut të përgjithshëm" e jo kombit! Prandaj edhe shpërblehen me Nobele e çmime tjera shkrimtarët e tillë... ku ngadalë shuhen arti, kombi dhe njeriu vetë... ku letërsia shkrihet "në njerëzim"! Ku ngadalë shuhet edhe gjuha e një kombi, për t'u shkrirë në "gjuhën" globale që sundon,...sepse globalizimi tashmë i ka ideologët e saj dhe letërsinë e saj zyrtare, Financuesin e saj Global Politik.
E pra, edhe njëherë në histori na shfaqet prirja për sundim! Për sundim financiar e politik, pra!
Njerëzimi ka të mira të përbashkëta, por secili mjedis ka edhe shpirtin e fytyrën e vet. Ka gjuhën e vet.
A është "e ndarë" letërsia nga shteti, nga jeta shoqërore, nga kombi, nga prirjet universale humaniste? Mu ashtu si ka pretenduar dhe pretendon vetë krishterimi, ... apo, pikërisht për të sunduar pa to, pa letërsinë dhe religjionin, shteti, kombi etj, "i ka hequr qafe" apo ndarë nga shteti, kombi, shoqëria? Tradicionalisht në Evropë krishterimi dhe letërsia, kultura dhe arti, kanë qenë "në opozitë" ndaj politikës, shtetit, kanë qenë "të ndara"... ndryshe , bie fjala, si qëndron puna me ortodoksizmin rus që ka qenë gjithmonë i lidhur me politikën e shtetit, por ndryshe ka qenë letërsia që ishte gjithmonë refuzuese e këtij realiteti rus... Dhe gjithandej, në botën e Lindjes së Mesme e deri në Japoninë e largët, letërsia i ka pasur disidentët e vet, refuzuesit e një politike jo vetëm antinjerëzore, por edhe antikombëtare...
2.
Gjithsesi, edhe në të ardhmen letërsia do ta ruajë shpirtin e vet të ndarë nga Globalizmi e Financuesi Global Politik e Financiar. Dhe do t’i ketë edhe aleatët refuzues në dobi të së mirës së përbashkët.
Një besim universal qytetar: është dhe pikësynim i njerëzimit, që qëndron në anën tjetër të litarit globalist.
Sigurisht që njerëzimi ka të drejtën e patjetërsueshme në kërkimin e një mesazhi universal të një bote tjetër, të mundshme.
Është dhe Epokë e Postmodernes.
Postmoderna profetizon dhe “zbaton” fundin e ideologjive, shuarjen e diskurseve... pra, të gjuhës!!!
Ndodhin drama e gjuhës, dramat e ideve dhe drama e kombit.
A mos është shndërruar kjo postmodernë, pavetëdijshëm, jondërgjegjshëm, në instrument të Financuesint të saj Global Politik? Të Ideologjisë së Re Globaliste? Ku parashikohet (dhe tashmë po arrin), humbja e sovraniteteve kombëtare, shtetërore e, besa, edhe gjuhësore?
E Mira e Përbashkët, kjo Res Publica Global.
Thënë, pak me një gjuhë (neo)romantike:
Rrregulli i parë i kësaj Res Publica Global: është E mira e Përbashkët që nderon vlerat dhe shpirtin e secilit.
Përsëri letërsia qenka ajo që e merr rolin e vet në shpëtimin e shpirtit.

0 comments:

Post a Comment